E Diel, 1 Nëntor 2026

Spahiu: Dosje penale për krimet e politikanëve

Sipas kësaj partie, fotot e politikanit, vendi i krimit dhe referenca ligjore do t’i tregohen publikut por dhe dosjet do dërgohen në prokurori nga juristët e Aleancës Kuq e Zi.

“Parlamenti i ri KuqeZi si dhe qeverisja e kuqezinjve pas pak muajsh do i japin fund amnistisë që demokratët dhe socialistët i bënë njëri-tjetrit. 8 vite qeverisje demokratësh nuk u ndëshkua asnjë socialist dhe 8 vite socialistësh nuk u ndëshkua asnjë demokrat. Për këto arsye Aleanca KuqeZi ka vendosur të nis me dosjen e parë penale që i përket shtetasit Sali Berisha”, tha kreu i AK-së, Kreshnik Spahiu.

Kreu i Aleancës KuqeZi i kërkoi departamentit juridik dhe ekspertëve që të punojnë për dosjen e shtetasit Sali Berisha dhe ta përgatisin atë përpara 100 vjetorit të pavarësisë. Kjo dosje tashmë duhet referuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese ku qeveria e kryesuar nga Kryeministri Berisha ka shkelur hapur kushtetutën dhe integritetin territorial të Republikës Shqipërisë.

“Është në moralin e një shoqërie që jo vetëm të vlerësoj heronjtë dhe rilindësit por edhe të ndëshkojë tradhtarët e kombit apo ata që kryejnë krime. Shteti dhe shoqëria shqiptare nuk do kenë stabilitet nëse nuk do vendosim një shtet të hekurt ligjor nëpërmjet ndëshkimit të qeveritarëve që kanë kryer krime, ky është respekti më i madh që ne mund të kemi për historinë dhe integritetin e vendit. Shqipëria ka nevojë të aplikojë për modelin kroat që dërgoi në bankën e të akuzuarve ish kryeministrin Sanader si precedent besimi për t'iu hapur dyert në procesin e integrimit Evropian”, tha më tej Spahiu.

Kjo nismë e Aleancës Kuq e Zi do të vazhdojë të zbatohet për për çdo ministër, deputet, kryetar bashkie, komune demokrat dhe socialist që ka kryer vepra penale. /Start/

                                                                                             2012-09-02 12:27
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›