E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Opozita pengesë për vizat

Kryeministri Berisha uroi të gjithë shqiptarët, por edhe përcolli emocionet e momenteve të veçanta që përjetoi që në orët e hershme të kësaj date, kur qytetarët e parë kaluan të lirë, pa viza, kufijtë e vendit drejt vendeve të hapësirës shengen të BE-së.

“Asnjë komb tjetër nuk e pret më me gëzim e kënaqësi këtë ditë, pasi vetëm 20 vite më parë, ne ishim njerëzit e lëvizjes me jashtë pothuaj totalisht të ndaluar. Shumë të paktë ishin shqiptarët që kishin mundësi të udhëtonin për detyrën ose arsye tjetër. Kloni, teli me gjemba dhe bunkeri ishte simboli i asaj që ne ishim”, theksoi Berisha. 

Ai përmendi më pas edhe qytetarin e parë që kaloi mbrëmjen e shkuar kufirin, ku sipas kryeministrit ishte një grua 70-vjeçare, e cila ishte marrë nga i biri me dokumente të rregullta në Greqi. “Dhe e kuptoni,  në atë moment, kur mësova edhe emrin e saj, ndjeva një gëzim të dyfishtë. Kur më thanë se ishte zonja Sheqere, - nënat vetëm ëmbëlsi kanë - ishte një gëzim i papërshkruar tek unë. Unë i uroj kësaj nëne gjithë të mirat dhe u gëzova shumë që ishte një nënë, ajo që kaloi e para dhe shkoi drejt nipave e familjes së vet për t’u çmallur. ”, u shpreh kryeministri.

Kreu i qeverisë foli gjithashtu edhe për përcjelljen e 50 të rinjve drejt Brukselit, së bashku me ministrin Basha. Më tej, kryeministri akuzoi opozitën se është përpjekur të bllokojë procesin e vizave, me letra dhe fakse. Sipas tij, opozita zhvilloi grevë urie vetëm për të bllokuar këtë proces.

“Nuk mund të harrohet se ata, të cilët bënë çdo gjë për të futur vizat në kuti, vendosën çadrat para kryeministrisë dhe parlamentit, në momentin më kulmor, kur merrej vendimi dhe filluan grevën e urisë, të ashtuquajtur grevë urie, se absolutisht as edhe një ditë të vetme, gjithçka në patronazhin e Kryeministrit, i cili largohej nga zyra në 2 të natës, gjer sa bënte kontrollin e fundit Fatmir Xhafa me fener. ”, theksoi ai, duke shtuar se liberalizimi i vizave nuk ishte as dhuratë dhe as favor ndaj Shqipërisë. Ai shtoi evropianët vlerësuan reformat e mëdha të ndërmarra nga Shqipëria. /S.Lleshi/start/

                                                                                             2010-12-15 11:11
  [ 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›