E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Opozita të bashkëpunojë për reformat

“Garat e ngushta, për çdo vend dhe demokraci, janë para së gjithash provë e shtetit ligjor. Mendoj se shteti ligjor në Shqipëri dëshmoi funksionalitet të plotë, dëshmoi maturi të plotë. Natyrisht, nuk mund të mohohet gëzimi që krijoi tek të gjithë bashkëbiseduesit e mi lajmi që Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, u bë blu. Pra në hartën e fitoreve të qendrës së djathtë në Evropë u shtua fitorja e qendrës së djathtë në Shqipëri në tërësi dhe fitorja në Tiranë në veçanti”. Kështu deklaroi kryeministri Sali Berisha gjatë një prononcimi për shtyp, ndërsa ka folur ne takimin e PPE ne Bruksel.
 

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në punimet e Samitit të Partive Popullore Evropiane (EPP). Pas Samitit, u mbajt sesioni akademik me rastin e 35 vjetorit të themelimit të PPE-së dhe gjatë këtij aktiviteti, Berisha zhvilloi takime e biseda të përzemërta me Kancelaren gjermane Angela Merkel, me Kryeministrin italian Silvio Berluskoni, me Presidentin e Komisionit Europian José Manuel Barroso, me Kryeministrin hungarez Viktor Orban, me Kryeministrin e Belgjikës Yves Leterme, me Kryeministrin e ri të Portugalisë Pedro Passos Coelho, me Kryeministrin e Irlandës Enda Kenny, Kryeministrin e Finlandës Jyrki Katainen, Kryeministrin e Suedisë Fredrik Reinfeldt, me zëvendëskryeministrin e Danimarkës Lars Barfoed.
 

Gjithashtu, Berisha zhvilloi takime të veçanta edhe me Presidentin e PPE-së Wilfried Martens, me Zëvendës Presidentin e Komisionit Evropian Antonio Tajani, me kryetarin e grupit parlamentar të PPE-së, Joseph Daul, me Presidentin e Parlamentit Evropian Jerzy Buzek.
 

Kryeministri ka dhënë dhe vlerësimet sa i takon krizës greke dhe sa e ndjeshme ka qënë në Shqiqëri.
“Ekonomia shqiptare në të gjitha vlerësimet nuk ka njohur dhe nuk do të njohë recesionin. E vërteta është që kriza aktuale e borxheve, le ta quajmë kështu, është një krizë shumë problematike. Një krizë, e cila në Samitin që sapo përfundoi mori një pjesë të gjerë të diskutimit. Por shqiptarët dhe Shqipëria, në saj të modelit ekonomik të aplikuar nga qeveria, janë tërësisht jashtë krize. Në rast se këto do të kishin qenë biseda të hapura, ju do të dëgjonit kryeministra të raportonin se “shkurtuam rrogat me 25 përqind”. Këtë e deklaronin për t`ia ofruar si model kolegut tjetër që kish probleme. Ata raportonin se “duhet të ulen pensionet në këtë masë, se duhen shkurtime të tjera shumë të dhimbshme”. E vërteta është se kjo krizë ka imponuar shkurtimet më të dhimbshme të shpenzimeve të njohura ndonjëherë. Sikundër, edhe rritje të madhe të taksave. Edhe kjo është po kaq e dhimbshme”.
 

Ndër të tjera, kryeministri ka kërkuar që dhe opozita të japë kontributin e saj, sa i takon dhe reformave të integrimit.
“Unë mendoj se përdorimi i fuqisë dhe i pushtetit që të kanë dhënë zgjedhësit për të bllokuar dhe jo për të votuar, sigurisht që ka një çmim për vendin, por çmimin më të madh e ka për atë që e përdor në këtë mënyrë. Uroj dhe dëshiroj që në ofertën e bërë nga qeveria edhe para 3 ditës, dhe që sërish do të përsëritët, opozita të përfitojë për të dhënë kontributin e saj real në proceset e integrimit. Shteti ligjor është kushti më themelor për funksionimin e një shoqërie të lirë, është kushti më themelor për veprimtarinë normale të një opozite, por është njëkohësisht dhe kushti i të gjitha kushteve për suksesin e reformave. Ndaj në kuadrin e këtij parimi të madh mendoj se të gjitha zgjidhjet janë të mundshme. Opozita është e ftuar të bëj të gjitha amendamentet. Opozita është e ftuar të bëjë të gjithë propozimet e të gjitha kandidaturave që janë më 3/5. Uroj dhe dëshiroj që ta lexojnë mesazhin siç duhet. Opozita e lexon, por ca të tjerë që donin të përfitonin nga kjo lloj ofertë ngatërruan edhe mediat, mirë të tjerat”.
 

Sa i takon vendimit se opozita do të ankimojë rezultatin e Tiranës, Berisha është shprehur:
“Aspak nuk më shqetëson. Opozita dhe çdo qytetar ka të drejtë t`i drejtohet gjykatës. E rëndësishme është që duhet t`i shprehim besim gjykatës dhe jo një vendim që na pëlqen e duartrokasim, vendimin tjetër që s`na pëlqen e anatemojmë. Opozita dhe kushdo ka të drejtë t`i drejtohet, në përputhje me ligjin. Kjo është normale” ka thenë me tej Berisha.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›