E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Opozita të vijë në Parlament

Kryeministri Sali Berisha në një intervistë për Zërin e Amerikës, dhënë pas debatit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka ftuar edhe një herë opozitën që të vijë në Kuvend. Sipas Berishës zgjedhjet nuk ishin të përsosura, sepse zgjedhje të përsosura Shqipëria do të dojë shumë kohë për të patur, dhe janë të pakta vendet që i kanë zgjedhjet të përsosura. Por, ajo që ofron kryeministri në këmbim të kthimit të opozitës në Kuvend është do t'i japë asaj të drejtën që të përcaktojë rrugët e zbatimit të sugjerimeve që ka në lidhje me zgjedhjet, të arbitrit ndërkombëtar "Opozita është e ftuar nga unë të ulet, dhe unë do t'i jap asaj të drejtën që të përcaktojë rrugët e zbatimit të këtyre sugjerimeve të arbitrit ndërkombëtar. Por zbatimi i këtyre sugjerimeve bëhet në parlament dhe jo jashtë parlamentit. Ndaj dhe unë e mirëpres opozitën, të vijë në parlament, e garantoj se sikundër ka përcaktuar thuajse çdo gjë në kuadrin zgjedhor të këtyre zgjedhjeve, duke filluar nga sistemi tek komisionet, sërish i njoh asaj të drejtën, dhe përsa kohë të jem në pushtet, do t'i njoh të drejtën e përzgjedhjes opozitës. Ky është një qëndrim i pandryshueshëm i imi", u shpreh kreu i qeverisë. Në intervistën e tij kryeministri Berisha ka sqaruar edhe deklaratën e tij të bërë në lidhje me euron. "Unë nuk përjashtoj një ndikim të lehtë të saj, por çështja e deklaratës ka të bëjë më shumë me një plan perspektiv dhe aspak të menjëhershëm", ka sqaruar Berisha.Më tej në intervistën e tij kryeministri Sali Berisha ka folur edhe për debatin në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ku ka theksuar se Shqipëria ka qenë e suksesshme në luftën kundër varfërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›