TEHERAN – Irani: Propozimi amerikan për negociata ende duke u shqyrtuar

TEHERAN, 7 maj /ATSH-DPA/ – Irani po vazhdon të shqyrtojë një propozim të SHBA-së për negociata dhe ende nuk është përgjigjur, tha sot një zëdhënës i qeverisë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei i tha agjencisë shtetërore të lajmeve IRNA se Teherani do t’ia komunikojë qëndrimin e tij Uashingtonit nëpërmjet Pakistanit, i cili po vepron si ndërmjetës, sapo të përfundojnë konsultimet e brendshme.
Shtëpia e Bardhë aktualisht po pret përgjigjen e Iranit ndaj memorandumit të mirëkuptimit prej 14 pikash, i cili synon të krijojë një kornizë për një raund fillestar 30-ditor bisedimesh për t’i dhënë fund konfliktit.
Propozimi thuhet se përfshin lehtësim të mundshëm të sanksioneve të SHBA-së, marrëveshje në lidhje me të ardhmen e Ngushticës së Hormuzit dhe një bazë për negociata të rinovuara bërthamore.
Presidenti Donald Trump shprehu dje optimizëm se një marrëveshje mund të arrihet së shpejti, por paralajmëroi se nëse nuk arrihet asnjë marrëveshje, Shtetet e Bashkuara do të duhet të rifillojnë veprime të mëdha ushtarake kundër Iranit./ a.jor.