UASHINGTON – SHBA vendos sanksione ndaj konglomeratit më të madh kuban

UASHINGTON, 7 maj /ATSH-DPA/ – Administrata Trump ka vendosur sanksione të reja ndaj konglomeratit të fuqishëm ushtarak dhe të biznesit kuban, GAESA, së bashku me figura të tjera brenda udhëheqjes komuniste të Kubës.
Departamenti i Shtetit i SHBA-së deklaroi se qëllimi i masave është t’i mohohet udhëheqjes ushtarake dhe elitave të Kubës qasja në asete.
“Këto sanksione janë pjesë e fushatës gjithëpërfshirëse të administratës Trump për të adresuar kërcënimet urgjente të sigurisë kombëtare të paraqitura nga regjimi komunist i Kubës dhe për të mbajtur përgjegjës regjimin dhe ata që i ofrojnë atij mbështetje materiale ose financiare”, tha sekretari i Shtetit, Marco Rubio në një deklaratë.
Sipas vlerësimeve të ekspertëve të cituar në raportet e medias amerikane, GAESA kontrollon të paktën 40% të ekonomisë kubane dhe sektorëve kyç si turizmi, shërbimet financiare, shitja me pakicë, logjistika portuale dhe importet.
Përveç GAESA-s, Uashingtoni vendosi sanksione edhe ndaj presidentes ekzekutive të konglomeratit ”Ania Guillermina Lastres Morera”.
Masat shënjestruan gjithashtu kompaninë e nikelit MNSA, një sipërmarrje e përbashkët midis shtetit kuban dhe një grupi minerar kanadez.
SHBA e akuzon kompaninë për shfrytëzimin e lëndëve të para të Kubës për përfitimin e udhëheqjes.
Sanksionet ngrijnë asetet në SHBA dhe u ndalojnë qytetarëve amerikanë të bëjnë biznes me subjektet përkatëse.
Bankat dhe kompanitë e huaja gjithashtu përballen me sanksione nëse vazhdojnë të punojnë me kompanitë e listuara në bursë.
Masat e reja ndëshkuese janë pjesë e një politike dukshëm më të ashpër ndaj Kubës nga administrata Trump. Javën e kaluar, Trump njoftoi sanksione të gjera kundër mbështetësve të qeverisë kubane me urdhër ekzekutiv.
GAESA u krijua në vitet 1990 nën ish-presidentin Raúl Castro.
Kompanitë më të rëndësishme brenda konglomeratit janë kompania hoteliere ”Gaviota” dhe grupi tregtar dhe financiar ”Cimex”.
Megjithatë, portofoli përfshin gjithashtu një kompani transporti detar, një linjë ajrore, firma ndërtimi, shitës makinash, kompani pronash, banka dhe dyqane. Përmes Bankës Ndërkombëtare të Financave (BFI), GAESA kontrollon gjithashtu tregun e këmbimit valutor të Kubës./ a.jor.