Berisha: PD do të përdorë të gjitha format e qëndresës për largimin e Ramës

TIRANË, 15 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se “PD do të përdorë të gjitha format e qëndresës për largimin e Edi Ramës”.
Nga foltorja e vendosur para kryeministrisë, në protestën e përjavshme të PD-së, Berisha njoftoi se data 22 është data e protestës së përgjithshme kombëtare.
“Tani koha është e guximtarëve, e sakrificës dhe ne jemi të vendosur për sakrificë. Ne do i japim atij përgjigjen që meriton. Unë garantoj se PD do bëjë gjithçka për frontin më të gjerë të mundshëm në këtë betejë”, tha ai.
Berisha paralajmëroi zënien për tre javë të sheshit para kryeministrisë nga protestuesit.
Ndaj, kreu i PD-së kërkoi nga mbështetësit e opozitës që të përgatiten për protestën e 22 dhjetorit.
“Këto ditë, nga e hëna deri të hënën tjetër duhet të bëjmë çdo gjë. Të mbledhim dhe takojmë çdo guximtar. Koha është e guximtarëve, e burrave dhe grave që guxojnë, që vendosin të sakrifikojnë. Dhe u garantoj ju se fitorja jonë është e pashmangshme”, u shpreh Berisha.
E konceptuar si platformë parlamentaro-qytetare, ky tubim ka në fokus denoncimet e deputetëve të PD-së dhe aleatëve, por edhe qytetarëve ndaj qeverisë.
Të pranishëm në protestë ishin deputetë të PD-së dhe përfaqësues të partive aleate, ndërsa i është bashkuar edhe Adriatik Lapaj.
/m.m/a.f/