Berisha: PD e hapur ndaj kritikave brenda forumeve, s’ka zgjedhje me Ramën

TIRANË, 4 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot se foltoret e kësaj force politike janë shpëtim për demokracinë.
Gjatë një takimi me demokratët në Mirditë, Berisha u kujtoi të pranishmëve kalvarin e kaluar nga Partia Demokratike.
Berisha gjatë fjalë së tij theksoi se “me Edi Ramën nuk ka zgjedhje”.
“Opozitarët, pse janë opozitarë? S’kanë asnjë imunitet, ama kur i arreston në vitin elektoral, ti e bën atë vetëm për të marrë mandatin me dhunë politike. Kur organizon me paratë e shqiptarëve, në periudhën e ndaluar me ligj, 4553 aktivitete për të ndikuar tek zgjedhësit. Po e disa sa i thonë? I thonë 30, 40 aktivitete në ditë. I thonë qindra-miliarda lekë vetëm e vetëm për të ndikuar te zgjedhësit”, tha Berisha.
“A mund të ketë zgjedhje kur shpërndan në mes të fushatës 100 euro për çdo pensionist për të blerë votë? A mund të ketë zgjedhje kur fal dy ditë para votimeve – unë gjer vonë ju kisha thënë ju 200 milionë – ju kërkoj ndjesë! Jo, ishin tani që janë bërë llogaritë, 1 miliard e 700 milionë euro. 1 miliard e 700 milionë euro fali dy ditë para zgjedhjeve. Vetëm gjobat dhe kamatat e biznesit ishin 200 mijë familje. Jo, zgjedhje nuk ka”, tha Berisha.
“Vetëm dy deklarata do sjell sot tek ju. Në raportin e vëzhguesve të zgjedhjeve në Shqipëri të Këshillit të Europës shkruan rekomandimin: ‘Në Shqipëri duhet të ndahet partia nga shteti’. Domethënë, në Shqipëri gjendja është pothuajse siç ka qenë me Partinë e Punës. Me dallimin që atëherë s’kishte parti të tjera, por tani ka parti, por partitë duhet të përballen me shtetin elektoral, i cili ka miliardat, i cili ka të gjitha mjetet, i cili vetëm zgjedhje nuk bën, por bën farsë elektorale”, tha Berisha.
Duke iu referuar foltoreve të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji, Berisha tha se në PD kritikat bëhen brenda forumeve.
“Partinë Demokratike mund ta forcojmë, mund ta ripërtërijmë, mund ta konsolidojmë vetëm kur çdonjëri ta ketë çështje këtë problem. Janë propozimet tuaja, kritikat tuaja, sugjerimet tuaja, tërheqja e vlerave nga secili prej jush në këtë parti, ato që do e ngrenë këtë në lartësinë e përmbushjes së një misioni historik. E vetmja forcë politike në Evropë që përmbysi dy diktatura dhe kjo do jetë Partia Demokratike”, vijoi Berisha.
Kreu i PD tha se kjo parti është e hapur dhe është vendi i fjalës dhe e mendimit të lirë.
“Në këtë parti, çdo njeri do ketë të drejtë të kritikojë, të votojë kundër në vullnetin e tij të lirë. Por si çdo parti tjetër, është një parti me rregullat e miratuara bashkërisht. Dhe ato duhet të respektohen. Nuk mundet kurrë t’i imponohesh në atë mënyrë. E kam fjalën këtu, secili nga demokratët, çfarëdo gjëje që të ketë, duhet ta thotë pa asnjë ndrojtje, por brenda forumeve. Secili demokrat do ketë të drejtën të votojë për cilindo. Të votojë i lirë”, theksoi Berisha.
Berisha cilësoi se Parlamenti po miraton buxhetin, por nuk po thotë asnjë fjalë për shpopullimin.
“Duhet të vendosim sa më urgjent politikën e antishpopullimit, në mënyrë që të paktën pas 25 vitesh të kemi disa rezultate”, tha Berisha.
/e.i/a.f/r.e/