Bozdo: Projektligji për mbetjet i vonuar 12 vite, me kosto të lartë për qytetarët

TIRANË, 4 dhjetor /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo, deklaroi sot se Projektligji “Për përgjegjësitë e zgjeruara të subjekteve prodhuese të produkteve që gjenerojnë mbetje” është një koncept i ngjashëm me projektligjin që PD kishte propozuar 12 vite më parë.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Bozdo theksoi se është ironike që ky kuadër ligjor po propozohet nga e njëjta qeveri që më parë kishte promovuar djegien e mbetjeve, duke injoruar riciklimin dhe ripërdorimin. “Por, siç thuhet, më mirë vonë se kurrë”, shtoi ai.
Deputeti kritikoi gjithashtu qeverinë për moskonsiderimin e koncepteve të Bashkimit Europian në të kaluarën, duke kujtuar se për 12 vite janë humbur 420 milionë euro dhe është dëmtuar imazhi i Shqipërisë ndërkombëtarisht.
Bozdo vuri në dukje se projektligji parashikon një mekanizëm të ri, i cili do të ketë kosto të lartë për familjet dhe pushtetin vendor, pasi tarifat pritet të trefishohen për individët dhe bizneset. Ai tha se qeveria nuk ka dhënë shifra konkrete për kostot që do të mbajnë bashkitë.
Sipas tij, ligji ndërton një mekanizëm të ndërlikuar institucional, duke krijuar një agjenci që ai e cilësoi si një koncesion i qartë dhe paralajmëroi rreziqet e mundshme të përfshirjes së interesave private në menaxhimin e mbetjeve. Bozdo theksoi se ligji mund të funksiononte në vende të konsoliduara, por jo në Shqipëri, ku mungojnë mekanizmat e kontrollit, duke sjellë si shembull mbetjet e rrezikshme ende të ankoruara në portin e Durrësit.
Deputeti i opozitës përfundoi duke kritikuar mungesën e transparencës për kostot që do t’u shtohen bizneseve dhe konsumatorëve dhe theksoi se projektligji është i papërgatitur dhe nuk është diskutuar me grupet e interesit.
/e.xh/a.f/r.e/