E Diel, 1 Nëntor 2026

IRAN – Teherani akuzon Merz për “hipokrizi” pas kritikave për sulmin ndaj EBA-s

TEHERAN, 19 maj /ATSH-DPA/- Iran ka akuzuar kancelarin gjerman, Friedrich Merz për “hipokrizi”, pas kritikave të tij ndaj sulmit të fundit mbi objekte bërthamore në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA).

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei, në një reagim të publikuar në platformën X, dënoi heshtjen e Merz për sulmet amerikano-izraelite ndaj objekteve bërthamore iraniane gjatë konfliktit në Lindjen e Mesme.

Merz deklaroi dje se Teherani mban përgjegjësi për sulmet ajrore ndaj Emirateve dhe paralajmëroi se sulmet ndaj centraleve bërthamore përbëjnë një kërcënim për sigurinë e njerëzve në të gjithë rajonin.

Nga ana tjetër, Baqaei tha se ky parim duhet të zbatohet për të gjitha shtetet dhe jo vetëm “kur i shërben oportunizmit politik të Perëndimit”, duke e quajtur reagimin e kancelarit gjerman “qartësisht hipokrit”.

Ai gjithashtu e cilësoi sulmin e fundit ndaj Emirateve si një “operacion të dyshuar të flamurit të rremë”.

Tensionet u përshkallëzuan pasi një sulm me dron të dielën shkaktoi zjarr në një gjenerator energjie pranë centralit bërthamor Barakah, në perëndim të Abu Dabit.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Emirateve, tre dronë që hynë në hapësirën ajrore nga perëndimi u identifikuan gjatë incidentit.

Dy prej tyre u interceptuan, ndërsa i treti goditi një gjenerator energjie jashtë perimetrit të brendshëm të sigurisë së centralit. Hetimet për sulmin janë ende në vijim.

Që nga fundi i shkurtit, Emiratet kanë raportuar afro 3,000 sulme iraniane me raketa, dronë dhe raketa kruz, duke u kthyer në një nga vendet më të prekura nga përshkallëzimi i luftës mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.

Centrali i Barakahut konsiderohet burimi më i rëndësishëm i energjisë në Emirate, pasi katër reaktorët e tij furnizojnë rreth një të katërtën e kërkesës kombëtare për energji elektrike. I projektuar nga Koreja e Jugut, ai është centrali i parë bërthamor në botën arabe. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›