E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: PD mori mbështetje të plotë nga PPE

TIRANË, 21 mars /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët përmes rrjeteve sociale, foli për mbështetjen politike që sipas tij, Partia Popullore Evropiane (PPE) i ka dhënë opozitës shqiptare.

Berisha nënvizoi se raportet e fundit të Parlamenti Evropian, përfshirë edhe raportin e misionit faktmbledhës të AFET-it, pasqyrojnë shumicën e shqetësimeve të opozitës.

“Me deklaratën që pashë dhe që është publikuar të raportit të AFET-it, raportit të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit që ishte me mision faktmbledhës, unë gjeta se aty ishin pasqyruar shumica dërrmuese e shqetësimeve dhe problemeve tona, çka tregonte se edhe socialistët evropianë kanë një ndërgjegjësim më të madh për zhvillimet në Shqipëri”, tha ai.

Berisha tha se thelbi i kërkesave të opozitës është i qartë “dënimi me forcë i bllokimit të drejtësisë, mbrojtjen e vjedhjeve dhe korrupsionit qeveritar”.

Kreu i PD-së përmendi gjithashtu vlerësimin e bërë nga instituti i njohur V-Dem, sipas të cilit Shqipëria klasifikohet si “autokraci elektorale,” duke e konsideruar “një lajm shumë të hidhur”.

“Ju besoj e morët vesh se po këto ditë Shqipëria është shpallur nga instituti më prestigjioz në Evropë për vlerësimin e demokracisë dhe të drejtave, V-Dem quhet ky institut, është shpallur diktaturë autoritare apo autokraci elektorale e shprehur, çka përbën kjo sigurisht një lajm shumë të hidhur Por nga ana tjetër përbën një ndërkombëtarizim të problemit të Shqipërisë, të lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në Evropë dhe në botë”, tha Berisha.

Ai shtoi se takimet e zhvilluara me sekretarët ndërkombëtarë të partive të qendrës së djathtë (PPE), gjatë misionit faktmbledhës në Shqipëri, kanë forcuar mbështetjen për opozitën.

“Natyrisht kulmore për ndihmën ndaj nesh ishte misioni faktmbledhës që erdhi 3 javë më parë në Shqipëri, i përbërë nga sekretarët ndërkombëtarë të 30 partive politike të qendrës së djathtë të BE dhe vendeve të asociuara, ku ata hartojnë një raport që e qarkullojnë për qeveritë e tyre dhe institucionet ndërkombëtare.

“Në këtë kuadër, sigurisht që takimet që zhvilluam aty dhe bisedat ishin shumë të rëndësishme. Por të them të vërtetën, aty ekziston një vetëdije e plotë për situatën në Shqipëri dhe ka një mbështetje të plotë për ne. Edi Rama sot është i bllokuar. Edhe njëherë e theksoj se ai që përmes mashtrimit dhe lobimit kishte arritur të konsiderohej si një shembull që shkëlqente, ylli i tij është shuar përgjithmonë dhe sot është një figurë e zezë në rreth të kuq që pritet me padurim largimi i tij”, tha Berisha.

/m.q/ /a.g/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›