E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Ka nisur kthimi i emigrantëve, Berati qyteti me më shumë kthime se largime

TIRANË, 21 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se tashmë ka nisur trendi i kthimeve të emigrantëve në Shqipëri të cilët e shikojnë se vendi po bëhet gjithmonë e më i mirë për ata që duan të punojnë.

Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së, Rama tha se “Berati është qyteti ku ka më shumë kthime sesa largime”.

“Kjo, jo sipas meje, por sipas studimeve të bashkuara pastaj nga një grup profesorësh të London School of Economics, me në krye profesor Gjonçaj. Në të gjitha pjesët e territorit trendet kanë filluar të lëvizin sepse është shumë e qartë dhe shumë e thjeshtë. Shqipëria është gjithmonë e më e mirë për ata që duan të vënë në punë mendjen dhe duart e tyre. Shqipëria nuk është e mirë për ata që duan të jetojnë si anëtarë shoqatash të ‘molotovarëve’, por për të tjerët ka gjithmonë e më shumë diçka për të bërë në Shqipëri”, tha Rama.

Në këtë drejtim, ai solli në vëmendje nismën për Paketën e Maleve, ku kushdo që ka një tokë në fshat por që nuk i ka titujt e pronësisë të certifikuara, sepse nuk e ka pranuar ligjin “7501”, mund të aplikojë.

“Nuk ka shans që, duke punuar për dikë jashtë, kudo që të jesh, në Gjermani, në Angli, në Greqi nuk diskutohet, në Itali nuk diskutohet, të fitosh më shumë sesa të punosh për veten këtu me paketën e maleve. Paketa e maleve është thjesht dhe vetëm për ata që e kanë nga stërgjyshi atë copë toke, pastaj duan ata të bashkohen me të tjerë, është zgjedhja e tyre”, tha Rama.

Po ashtu edhe programi tjetër “Dyfisho ndërmarrjen tënde”, sipas Ramës është një mundësi për çdo emigrant që do të ndërtojë një ndërmarrje të vogël apo të mesme. /a.g/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›