Berisha: PS bllokuese, sërish në opozitë

Berisha dhe Topalli dje në Postribë
Kryeministri përuron një rrugë dhe kujton kryengritjen e Postribës: PS do të rikthejë taksën e Marksit.
Kryeministri Sali Berisha e akuzoi dje nga Postriba opozitën se ka qëllim vetëm bllokimin dhe se në këtë mënyrë do të qëndrojë sërish në opozitë. Kreu i maxhorancës ishte në komunën e Shkodrës për të inauguruar përfundimin e punimeve të rrugës Ura e Mesit Prekal, si dhe për të marrë pjesë në 66-vjetorin e kryengritjes së parë antikomuniste në Europë. Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se përballë kësaj maxhorance qëndron një opozitë, e cila në qendër të saj ka vetëm bllokimin. Cili është qëndrimi tjetër? Ai është një dhe vetëm një: Bllok-bllokim-bllokator Bllok-bllokim-bllokator. Çdo gjë mund të quhet, por vetëm vizion nuk mund të quhet. Kaq është e tërë filozofia e tyre, ky është gjithë qëndrimi i tyre. Por, e vërteta është se, siç kanë faktuar këto 8 vite, Blloku, bllokimi ka luajtur më shumë se për këdo tjetër, për ata zotërinj që i ka mbajtur dhe do ti mbajë në bankinë për shumë e shumë kohë. Sipas tij, maxhoranca me politikat e saj ekonomike ka vendosur regjimin e taksave të ulëta, në mënyrë që qytetarët ti investojnë vetë të ardhurat e tyre. Ndërsa nga ana tjetër është opozita, e cila, sipas Kryeministrit, kërkon të aplikojë taksën marksiste. Modeli tjetër që kemi përballë është taksa e Marksit. Se çfarë i bëri Shqipërisë taksa e Marksit, nuk mund ta harrojmë kurrë. Në një kohë kur na thoshin se jemi pa asnjë taksë, punonim si skllevër për shtetin diktatorial me taksa indirekte, 8 muaj të djersës sonë, tha më tej Berisha. Sipas tij: Ndaj, ju jeni vetë të mençur. Po shkojmë drejt një fushate elektorale, drejt një fitoreje të re. Themelore është të mbrojmë vizionin tonë. Me këtë vizion, ne po ndryshojmë Shqipërinë, me këtë vizion ne kemi ndërtuar në këtë vend mbi 10 mijë km rrugë, nga vetëm 2430 km të asfaltuara që ishin në 2005-n. Duke u ndalur në kryengritjen e Postribës, Kryeministri u shpreh se 66 vjet më parë, ata vendosën të mos nënshtrohen, të mos pranojnë poshtërimin e një regjimi barbar, por të ngrihen si viganë kundër tij, të sakrifikojnë jetën. Ndaj saj u vërsulën, në Postribë dhe në Shkodër, i gjithë aparati policesk i diktaturës komuniste. U ekzekutuan me gjyqe e pa gjyqe mbi 70 martirë të kësaj ngjarjeje të madhe, mijëra të tjerë do të mbushnin burgjet e kampet e përqendrimit.
Topalli: Kaluam diktaturën çnjerëzore
Duke kujtuar ngjarjen e Postribës, kryeparlamentarja u shpreh: Çka ishin 100 vitet që ne po festojmë sot? Çka ishte shekulli i kaluar në historinë tonë? Shekulli i luftërave të paarsyeshme, të pakuptueshme, shekulli i diktaturës më çnjerëzore. Ajo ishte një ngjarje që tregon se ju guxuat. Ju ishit të parët. Ju guxuat të parët. Sigurisht edhe reaguat të parët. Ne guxojmë, ne i ndryshojmë gjërat. Ne shikojmë përpara. Ne e çojmë Shqipërinë përpara.Rruga e re, 400 milionë lekë
Segmenti rrugor Ura e Mesit Prekal, në komunën Postribë, është realizuar me një investim rreth 400 milionë lekë. Kjo rrugë është e gjatë 15.4 km dhe shtrihet përgjatë luginës së lumit Kir. Rruga fillon në Urën e Mesit dhe përfundon në fshatin Prekal. Nga rikonstruksioni i saj përfitojnë drejtpërdrejt fshatrat Domen, Drisht, Ura e Shtrenjtë, Prekal, me rreth 2000 banorë. Nga kjo rrugë përfitojnë edhe banoret e komunave Pult, Shosh, Shalë, të cilët e përdorin atë për tu lidhur me qytetin e Shkodrës.
RIDVAN DIBRA