E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Pasuesit e diktaturës duan të bllokojnë integrimin e vendit në BE

10-09-2012 / Gazeta 55

Përkujtohet 66 vjetori i kryengritjes së Postribës, lëvizja e parë antikomuniste në Shqipëri dhe në Evropë

Kreu i qeverisë Sali Berisha iu bashkëngjit dje në Shkodër, ceremonisë së përkujtimit të 66 vjetorit të Kryengritjes së Postribës, të organizuar në 9 shtator 1946, kryengritja e parë antikomuniste në Shqipëri dhe në Evropë. Në këtë ceremoni morën pjesë Kryetarja e Kuvendit zonja Jozefina Topalli, deputetë të zonës, Kryetari i Bashkisë së Shkodrës Lorenc Luka, përfaqësues të qeverisjes vendore, Kryetari i Komunës së Postribës, familjarë të pjesëmarrësve në këtë kryengritje, banorë të zonës, etj. Fillimisht, Kryeministri Berisha dhe personalitetet e tjera vendosën kurora me lule dhe bënë homazhe te Memoriali kushtuar kësaj ngjarjeje historike, në qendër të komunës Postribë. Gjithashtu, në shenjë simbolike Kryeministrit Berisha i dhuruan një Flamur të qëndisur të studentëve të shkollës “Adem Haxhia”. Duke shprehur kënaqësinë e madhe dhe falënderimet për këtë dhuratë, Kryeministri vlerësoi se “ky flamur, në qelizat e të cilit prehen shpirtrat e martirëve të Postribës, por dhe të gjithë martirëve të Shqipërisë, është flamuri me i bukur që ka toka sot”. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë shprehu nderimin më të thellë të tij dhe të mbarë kombit shqiptar, për këtë ngjarje që shndrin e do vazhdojë të shndrijë përjetë në historinë e njerëzve të lirë, pasi, siç theksoi ai, “Kryengritja e Postribës është dhe mbetet në historinë e lirisë së shqiptarëve, ngjarja me e madhe, nga viti 1944 deri në vitin 1990”. “Dëshiroj të përulem me nderimin më të thellë para jush, para baballarëve, gjyshërve tuaj, për aktin e tyre të madh, që shndrit dhe do të shndrisë përjetë në historinë e njerëzve të lirë, kryengritësve të Postribës dhe Shkodrës. Le të përulemi ne dhe mbarë kombi shqiptar, para kësaj ngjarjeje që bën dhe do të bëjë dritë përgjithmonë, sepse Kryengritja e Postribës është dhe mbetet në historinë e lirisë së shqiptarëve, ngjarja me e madhe, nga viti 1944 deri në vitin 1990. Historia e lirisë është historie e njerëzve të qytetërua, është historia e grave dhe burrave të cilët janë të vendosur të sakrifikojnë çdo gjë për të mbrojtur liritë, dinjitetin e tyre njerëzor. Këtë vendim morën gjyshërit tuaj, baballarët tuaj, nënat tuaja. 66 vjet më parë, ata vendosën të mos nënshtrohen, të mos pranojnë poshtërimin e një regjimi barbar, por të ngrihen si viganë kundër tij, të sakrifikojnë jetën. Ndaj saj u vërsulën, në Postribë dhe në Shkodër, i gjithë aparati policesk i diktaturës komuniste. U ekzekutuan me gjyqe e pa gjyqe, mbi 70 martirë të kësaj ngjarjeje të madhe, mijëra të tjerë do të mbushnin burgjet e kampet e përqendrimit. Por shembulli, heroizmi, vendosmëria e burrave të Postribës, do të këndohej vit pas viti, edhe në vitet më të errëta të diktaturës, si një këngë e shpresës, si një thirrje shprese se një ditë qytetarët e tjerë do të ishin të lirë”- u shpreh Berisha.
Kryeministri theksoi se, “ne shqiptarët ecim të lirë në rrugën e idealeve fisnike të kryengritësve të Postribës, por dhe të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë e atdheut, sepse ne kemi realizuar ëndrrën madhështore për të cilën ata sakrifikuan jetën dhe rininë e tyre”. “Sot ne jemi fatlumë, sepse jemi brezi që festojmë 100 vjetorin e pavarësisë së pavarur. Kur shikon pas, këto 100 vite, gjen në historinë tonë, gjen në trupin e Shqipërisë dhe të kombit tonë, drama nga më të rëndat, copëtime nga më të dhimbshmet, tradhti nga më të ulëtat dhe me të drejtë shtrohet pyetjen; Si ia dolëm të bëhemi  100 vjeç, si ia dolëm të jemi të lirë?. Ne ia dolëm, sepse gratë e burrat e Postribës dhe të mbarë Shqipërisë, me dashurinë e tyre, me qëndresën e tyre, me atdhetarinë e tyre, me përkushtimin e tyre, ditën t’i dalin zot vendit të tyre. Sot ne jemi të lirë dhe sot ne shprehim ngushëllim të madh për sakrificën e kryengritësve të Postribës e të Shkodrës, sepse ne kemi realizuar atë ëndërr madhështore për të cilën ata sakrifikuan jetën dhe rininë e tyre. Ata donin që Shkodra, Postriba dhe Shqipëria, të mbanin syrin, shikimin, drejt perëndimit, drejt familjes së kombeve që vendi i tyre u përkiste, donin që qytetarët shqiptarët të besonin të lirë te Zoti, Krishti, Muhameti dhe e ardhmja e tyre. Ne po ecim në rrugën e idealeve të tyre fisnike. Çdo ditë e më shumë po bëhet realitet ëndrra e tyre e madhe. Shqipëria po integrohet gjithnjë e më shumë me botën e qytetëruar. Sot ajo është anëtare e Aleancës më të fuqishme të lirisë së të gjitha kohërave, anëtare e NATO-s. Sot shqiptarët lëvizin të lirë në mbarë Evropën, sot shqiptarët bëjnë përpjekjet më të mëdha për integrimin në Bashkimin Evropian”- tha ai.
Shefi i ekzekutivit vuri në dukje se edhe sot pas 66 vitesh, pasardhësit e organizatorëve të masakrës së Postribës, janë vënë në bllok kundër integrimit të vendit në BE. Ai tha se Shqipëria do ecë drejt BE-së, ndërsa pinjollët e nomeklaturës do vazhdojnë të jetojnë në bllokun imagjinar. “Përsëri në këtë 100 vjetor, përsëri, në këtë 66 vjetor, ata të cilët organizuan masakrën e Postribës dhe të Shkodrës, pasardhësit e tyre, duan të bllokojnë rrugën, të bllokojnë progresin e Shqipërisë drejt BE-së. Le t’u themi; jetoni në Bllokun tuaj imagjinar, rilindni ju në bunkerin e Bllokut tuaj, sepse Shqipëria do të ecë e sigurt drejt BE-së, drejt Evropës, drejt prosperitetit. Unë jam sot këtu gjithashtu për t’u zotuar para jush, për t’i dhënë fjalën kryetarit tuaj, se në këtë komunë, kjo qeveri do të investojë në të katër anët e saj, në çdo projekt që ju keni nevojë. Unë ftoj qytetarët shqiptarë të vizitojnë Postribën, “kështjellën” e lirisë së shqiptarëve, të vizitojnë Postribën, Urën e Mesit, një nga kryeveprat e arkitekturës kulturore, të vizitojnë Drishtin, por të mos harrojnë të ecin 2-3 km në rrugën që ne inauguruam sot, sepse aty do të shohin një mrekulli tjetër të vërtetë, Kopshtet e Varura, për të cilat mund të kenë lexuar vetëm në librat e shenjta, vepër e mrekullueshme e mundit, djersës, punës suaj. Ndaj dhe, zoti kryetar i Komunës, le të punojmë bashkë për çdo projekt, që ta bëjmë jetën e këtyre qytetarëve të mrekullueshëm të Postribës gjithnjë e më të mirë, më të begatë e më të sigurt”- deklaroi kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›