E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: PS po bllokon statusin, e pret disfata në 2013-ën

16-11-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha, thirrje deputetëve të PS: “Edi Rama iu trajton si kooperativistë 5-lekësh, ngrihuni në lartësinë e përgjegjësive tuaja”

Tre kushtet e Brukselit ishin në rendin e ditës së seancës së djeshme plenare, të cilat sollën dhe debate mes mazhorancës dhe opozitës. Ligjet e paketës së Komisionit Evropian me 12 rekomandime, për t’i dhënë Shqipërisë statusin e kandidatit brenda këtij viti, nuk morën as dje votat e opozitës. Përkundrazi, pakica parlamentare u rreshtua fort pas bllokimit të statusit. Nisur nga ky qëllim, kryeministri Sali Berisha i bëri një tjetër thirrje PS-së që t’i votojë këto ligje, duke i lënë si afat përfundimtar datat 19 dhe 20 nëntor. Ai tha se përmes mos-votimit të ligjeve, PS i jep Brukselit mesazhin e një force politike bllokuese. “Propozimi im i fundit është ky. Nëse doni nga sot e deri më datën 20 në çdo kohë, 24 orë mbi 24 orë, si kryeministër jam i gatshëm të shfrytëzoj atributin tim kushtetues për të mbledhur parlamentin për ti votuar ato ligje. Doni të mblidhemi në mesnatë, doni të dielën në mesnatë, apo të hënën deri më datën 19 në mënyrë që t’i çojmë Brukselit atë mesazh. Çfarë i tha zonjës Bregu deputeti Evropian. “Ore ç’kërkoni nga ne ju, kur nuk votoni ato që kërkoni vetë? Ju nuk votoni ato gjëra që vetë i kërkoni t’i votoni”. Se ju kërkuat Kolegjin Administrativ në Gjykatën e Lartë. Nuk e kërkuam ne dhe ne jemi në parlament për ta votuar. Si mund ta kuptojë njeri në Bruksel këtë bllokim që bëni, përveçse një përgjegjshmëri ekstreme. Çfarë mendoni ju, se më dëmtoni mua! Dëmtoni qeverinë në këtë mënyrë! Jo të jeni të sigurt  më dëmtoni  aq sa më dëmtuat për zgjedhjet lokale, por njeriu duhet të ketë burrëri, integritet. Nuk më duhet ai favor që më dhatë para zgjedhjeve lokale. Mua më duhet ai që i jepet çdo qytetari shqiptar, që i jepet çdo fëmije,  çdo burri dhe gruaje, që i jepet vendit në tërësi” - u shpreh kryeministri.
Shefi i qeverisë, deklaroi se ligji për Gjykatën e Lartë, për Nëpunësin Civil dhe akti për Rregulloren e Kuvendit, mishërojnë standardet ndërkombëtare. Sipas Berishës edhe debati për fjalën e kryeministrit dhe kreut të opozitës në Kuvend ka gjetur zgjidhjen e duhur pasi këtij të fundit i ofrohen 10 minuta të plota. “Ligji mishëron pra standardet ndërkombëtare më të mira të një shërbimi civil dhe në këtë rast është bërë thirrje nga ana e mazhorancës të shqyrtojë dhe të paraqesë çdo amendament, çdo propozim dhe ne jemi të gatshëm ti shqyrtojmë ato me seriozitetin më të madh. Në Rregulloren e parlamentit u bënë 18 lëshime, gjer në kufirin më skajor të Kushtetutës dhe kushtetutshmërisë dhe ky ligj faktikisht shënon një standard të ri, i cili nuk ekziston në asnjë nga vend demokratik të kontinentit Evropian. Kryetari i opozitës, dhe nuk thuhet kryetari i grupit parlamentar,  do të ketë të drejtën të marrë fjalën pas kryeministrit, jo për 2 minuta siç e ka marrë për 20 vjet me radhë, por për  10 minuta. Edhe ky ligj është vlerësuar nga institucionet ndërkombëtare që ndërmjetësuan si një standard  i shkëlqyer, për ti dhënë përgjigje kërkesave të opozitës. Në të vërtetë z. Rama ra dakord me të, për kohën që ndodhej në Bruksel, por  kur u kthye në Tiranë hoqi dorë nga konsensusi  i dhënë”- tha ai.
Duke u ndalur te pretendimet e PS për qarkun e Fierit, Berisha akuzoi ligjvënësit socialistë se nuk e duan mocionin, i cili siç tha ai, është një propozim tërësisht ligjor, por kërkojnë të bllokojnë ligjet. Sipas tij, deklaratat e kreut të opozitës se, nuk do t’i votojë këto ligje pa u zgjidhur më parë çështja e Fierit është një pretekst, që bie ndesh me interesin e shqiptarëve. “Preteksti është Këshilli  i Qarkut të Fierit. Unë e kuptoj që në politike mund të përdoren pretekste, mund të krijohen pretekste, por pretekste për të nderuar çdo qytetar shqiptar dhe ëndrrën e tyre, janë pretekste që vijnë ndesh me interesin e çdo qytetari të shoqërisë shqiptare, të vendit dhe kombit në tërësi. Mendoj se propozimi i bërë për rrethin e Fierit është propozimi politik, që i jep përgjigjen më të shkëlqyer kërkesave  tuaja. Propozohet mocioni dhe  realizimi i tij, të cilin ju e keni praktikuar në Bubullimë dhe keni marrë përfaqësuesin tuaj Alban Mësonjësi, e keni praktikuar në Divjakë,  por nuk bëtë dot kuorumin e në këtë rast ju premtoj se do bëhet kuorumi,  e keni praktikuar në Fier- Shegan, nuk bëtë dot kuorumin. Oferta jonë është se do të bëhet kuorumi dhe njerëzit tanë do të vijnë dhe do të votojnë. E keni praktikuar në Dermenas, por nuk bëtë dot kuorumin. Çfarë ju propozohet ju! Unë ju vlerësoj ju, është ai tjetri që ju quan kooperativist. Unë mund t’ju vë nofka nga më të çuditshmet, jo kooperativist, kooperativist jeni për atë ju dhe keni vlerën e kooperativistëve që shpërbleheshin me 5 lekë.
Kreu i ekzekutivit solli në vëmendje para ligjvënësve se, vendimi i Gjykatës së Lartë lë në fuqi kryetarin aktual, shkresat, vulën dhe çdo dokument tjetër. Sipas tij, Gjykata e Lartë e ka lënë në fuqi me një kusht gjersa të bëhet gjykimi në themel, por pasi u hap procesi gjyqësor, përfaqësuesi i PS kërkoi shtyrjen e seancës, ndërsa më vonë do të vinte edhe një raport mjekësor i Vangjel Ndrekos të firmosur nga bashkëshortja e tij, mjeke, për pamundësi për të ndjekur procesin. “Z. Vangjel Ndreko, paraqiti raport të firmosur nga bashkëshortja e tij, duke dëshmuar nga familjari se nuk mund të shkojë në sallën e gjyqit. Për të mos shkuar më tej, sepse i di nga Artur Shehu i cili është Kryetar i Qarkut dhe më informoi. Këta që bërtasin për gjykatat, këta nuk duan gjykimin në themel. Unë ju them prapë ju, se zgjidhja është më dinjitozja. Le të votohet” - deklaroi ai.
Në mbyllje, kryeministri Berisha tha se ai ka respektin maksimal për ligjvënësit opozitar, ndërsa Edi Rama i cilëson ata si kooperativistë 5-lekësh. “Unë ju vlerësoj ju, është ai tjetri që ju quan kooperativist. Unë mund t’ju vë nofka nga më të çuditshmet, jo kooperativist, kooperativist jeni për atë ju dhe keni vlerën e kooperativistëve që shpërbleheshin me 5 lekë. Jeni njerëz me përgjegjësi të larta, jeni njerëz me përgjegjësi të mëdha para vendit tuaj dhe zgjedhësve tuaj. Nuk jeni kooperativistë. Ndaj dhe duhet të ndiheni në lartësinë e përgjegjësive tuaja”. 
Komisioni Evropian rekomandoi më datën 10 tetor që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, por me kushtet që të shënohet progres në fushën e drejtësisë, në atë të administratës publike si dhe në reformën parlamentare, duke kërkuar njëkohësisht edhe një angazhim më të fortë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Topalli: Absurditet mos votimi i 3 ligjeve të Brukselit për shkak të “Fierit”/Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli fton opozitën të votojë 3 ligjet e integrimit, ligje që siç tha ajo, projektojnë Shqipërinë në Bashkimin Evropian. “Ne kemi nevojë për votat tuaja për tri ligje që presin në axhendën e Parlamentit. Ndaj dhe ftoj të gjithë kolegët e opozitës, që të bashkojmë votat për ligjin për Gjykatën e Lartë, për nëpunësin civil dhe për Rregulloren e Parlamentit. Këto janë ligje që na kërkohen dhe për të cilat nevojitet vota juaj. Të votojmë këto tri ligje dhe të mos zhgënjejmë as familjet tona, as elektoratin tonë, as të huajt”- u shpreh ajo. Znj.Topalli theksoi se do ishte e papranueshme që PS të bëhej pengesë e fateve evropianeve të vendit, për çështjen “Fieri”. “Do të ishte jashtëzakonisht zhgënjyese që opozita të mos pranojë të votojë për ligjet të cilat i kemi detyrim ndaj elektoratit, si të majtë, si të djathtë. Ndaj, edhe një herë, ju ftoj njerëzisht të votojmë ligjet që kemi në axhendë, si përgjegjësi tonën, por edhe me rastin e këtij 100-vjetorit. Në fund të fundit, historia shkruhet, të gjitha transkriptohen dhe fëmijët tuaj nesër, e nipërit tuaj pasnesër, do të lexojnë se një grup parlamentar nuk pranoi të shtypte butonin për 3 sekonda për tri ligje që projektojnë Shqipërinë tonë në Bashkimin Evropian. Sigurisht do të ishte një njollë shumë e madhe që unë s’do ta dëshiroja për askënd, ndaj edhe ju ftoj që të votojmë tri ligjet e integrimit.
Këto ligje kërkojnë votat e opozitës. Pa votat tuaja këto ligje nuk kalojnë. Pa votat tuaja nuk plotësohen kushtet që kërkon Brukseli. Është në dorën tuaj, në përgjegjësinë tuaj dhe do të ishte e patolerueshme dhe e pajustifikueshme nëse sot kur Parlamenti Evropian diskuton për ne, të mos votojmë për atë që kërkohet nga ne”- deklaroi më tej kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›