E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Paga mesatare do të bëhet 500 $

"Më datë 1 korrik, 820 mijë familje shqiptare do të kenë në kontot e tyre një shtesë të rëndësishme, që tejkalon 2-7 herë inflacionin, i cili fatmirësisht po ulet; muajin e kaluar u ul me 1.2 %", tha kryeministri duke nformuar deputetët e PD-së në mbledhjen e tyre të përjavshme.

Ai theksoi se rritja e rrogave dhe pensioneve është mundësuar nga performanca ekonomike dhe suksesi i padiskutueshëm i reformave. "Ata që menduan se rritja e vitit të shkuar ishte elektorale do të dëshpërohen sivjet me rritjen e re, që është më e madhe se sa e vjetshmja", theksoi kryeministri.

"Ne po bëjmë një rritje rrogash e pensionesh duke qenë vendi i vetëm që merr një vendim të tillë, por kemi arsye për ta bërë këtë, sepse jemi vendi me treguesit e perfomancës ekonomike më të mirë dhe kjo është plotësisht e mundshme", tha kreu i qeverisë.

Sipas z. Berisha kjo rritje e re e rrogave e pensioneve i bën qytetarët shqiptarë të ndjehen më evropianë, pasi pagën mesatare, që 18 vjet më parë ishte 6 dollarë, e bëmë 500 dollarë.

"Nuk ka një vend tjetër që në 20 vite të ketë pasur një rritje të tillë prej 80 herë e më shumë të pagës mesatare të punonjësve. Kjo rritje ka një specifikë, se pagën mesatare e gjetëm me 230 dollarë në vitin 2005 dhe e bëmë me rreth 500 dollarë në vitin 2010. Pra, ndjehemi të lehtësuar se u kemi faktuar shqiptarëve respektin për mundin, punën dhe përkushtimin e tyre", theksoi kreu i qeverisë.

"Ne, vijoi ai, kemi bërë rritjen minimale të rrogave më të larta dhe rritjen maksimale të rrogave më të ulëta. Edhe këtë herë do të vazhdojmë me rritjen e rrogave më të ulëta, ndërsa të lartat thjesht do të indeksohen. Rrogat e ulëta do të njohin rritje të ndjeshme. Kjo është politika sociale e zemrës së dhimbsur dhe ne nuk heqim dorë nga këto parime", tha Kryeministri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›