E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Parandalim të trafiqeve dhe luftë kundër krimit

18/05/2010 Shqipëria me sistem radarësh modern për kontrollin e bregdetit

Kryeministri Sali Berisha ka vlerësuar dje se kontrolli i kufijve detarë përbën një kusht të rëndësishëm për vendin në funksion të proceseve të integrimit europian. Duke folur gjatë ceremonisë së inaugurimit të Qendrës së Përbashkët të Kontrollit të Hapësirës Detare, shefi i ekzekutivit e vuri theksin në ligjin e miratuar në Kuvend për moratoriumin e mjeteve lundruese në ujërat detare shqiptare. Sipas tij, kontrolli i bregdetit dhe i hapësirës detare të vendit ka një rëndësi të jashtëzakonshme për parandalimin e trafiqeve dhe në luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër kontrabandës, trafiqeve kriminale. Kryeministri u shpreh se falë radarëve të instaluar gjatë muajve të fundit është bërë e mundur ndalimi i trafiqeve kriminale, të cilat destinoheshin për në vende të tjera. “Është bllokuar në këtë mënyrë eksporti i kriminalitetit, duke shndërruar brigjet shqiptare dhe ujërat e vendit në ujëra sigurie për Shqipërinë, por edhe për rajonin”, - ka deklaruar kreu i qeverisë. Berisha theksoi se nuk ka dhe nuk mund të ketë shoqëri të lirë pa shtet ligjor dhe funksionim të tij. “Çdo përpjekje për të imponuar me cilindo mjet apo forcë qoftë dhunimin e shtetit ligjor, do të marrë përgjigjen ligjore nga kushdo dhe cilido”, - deklaroi kryeministri. Për Berishën qeveria shqiptare është gati të paguajmë çdo çmim për të përmbushur detyrimet e saj, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të përfitojnë sa më shpejt liberalizimn e vizave. Sipas tij, kontrolli i brigjeve detare të vendit do të jetë gjithnjë e më i fortë. Për të arritur këtë është instaluar një sistem radarësh, i cili ka kushtuar rreth 2.4 miliardë lekë dhe bazohet në një teknologji moderne.

Moratoriumi

Në vendimin e fundit të qeverisë është sanksionuar se mjetet lundruese të drejtuesve të shtetit shqiptar, të krerëve të ministrive dhe institucioneve që varen prej tyre, kanë të drejtën të lëvizin gjatë periudhës së njohur ndryshe si “moratoriumi i skafeve”. Po kështu në vendim saktësohen procedurat për marrjen e një lejeje lundrimi.

Kontrolli

Kontrolli i hapësirës detare me radar rrit në shkallë maksimale mundësinë e operacioneve të shpëtim-kërkimit. Sistemi i radarëve i instaluar së fundi bën të mundur kontrollin e bregdetit shqiptar, u mundëson njësive të specializuara të shpëtim-kërkimit në çdo rast dhe në çdo rrethanë mundësinë për operacione më të suksesshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›