E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Pas 16 vjet prezence, FMN-ja po konfirmon bilancin impresionues të ekonomisë shqiptare

Kreu i qeverisë Sali Berisha ka shprehur mirënjohjet e tij për Institucionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, në ndihmën e çmuar që i ka dhënë Shqipërisë në 16 vite tranzicion. “Dëshiroj të shpreh mirënjohjen për FMN, e cila në 16 vite ka ndihmuar Shqipërinë gjatë tranzicionit ekonomik, i cili mund të konsiderohet i suksesshëm”, tha Berisha. Gjatë fjalës përshëndetëse në konferencën “Shqipëria, mundësitë dhe sfidat e kalimit drejt stadit të vendit në zhvillim”, që u organizua dje nga FMN në hotel “Sheraton” në Tiranë, Kryeministri Berisha theksoi se “FMN ka dhënë një kontribut thelbësor në rritjen dhe transformimin e madh të të gjitha vendeve ish-komuniste”. Kreu i qeverisë vuri në dukje se Shqipëria vjen sot me një bilanc impresionues të zhvillimit ekonomik. “Në vitin 1992 rroga mesatare mujore e shqiptarëve ishte 96 dollarë për frymë, ndërsa rroga minimale ishte 48 dollarë. Ndërkohë sot rroga minimale mujore është 200 dollarë dhe ajo mesatare është mbi 300 dollarë”, bëri të ditur Berisha. Kryeministri evidentoi ndër të tjera se fillimi i vitit ’92 e gjeti vendin tonë me një kolaps të plotë ekonomik dhe qeveria vendosi të mbyllë të gjitha industritë e mëdha të vendit. “Shqipëria ishte plotësisht e kolektivizuar dhe ne nisëm rrugën e transformimeve të mëdha ekonomike dhe liberalizimin e plotë të tregut”, vijoi më tej, Kreu i qeverisë, duke nënvizuar se “rritja ekonomike ka njohur vlera dy shifrore, ndërkohë që procesi i privatizimit vijon”. Të gjitha këto, vlerësoi Kryeministri, hodhën themelet e një ekonomie solide, e cila nuk u lëkund as në vitin ’97. Gjatë fjalës së tij, Shefi i ekzekutivit, nënvizoi se probleme të mëdha edhe në zhvillimin e ekonomisë shqiptare ka qenë krimi i organizuar dhe korrupsioni, të cilat u shndërruan në një pengesë serioze për investimet e huaja. “Lufta me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit ka qenë prioritet i qeverisë sime. Ende ka korrupsion, por rezultatet e kësaj lufte janë impresionuese”, theksoi Kryeministri, duke nënvizuar se “rritja e të ardhurave në buxhet si pasojë e kësaj lufte është 22-28 përqind e GDP”. Kryeministri Berisha evidentoi ndër të tjera se “kemi sjellë çdo vit një buxhet të dytë në Parlament, ndërkohë që administrata është jashtë konfliktit të interesit”.Po dje kryeministri Berisha në një takim të veçantë shefin e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Gerëin Bell dhe përfaqësuesen e këtij misioni në Shqipëri, Ann- Margaret Ëestin. Në këtë takim, përfaqësuesit e FMN-së vlerësuan situatën fiskale dhe e konsideruan atë mjaft positive. Bisedimet më pas u fokusuan në çështjen e rritjes së inflacionit. Kryeministri Berisha rikonfirmoi masat e qeverisë për të ndërhyrë në këtë situatë. Kryeministri tha se për të zbutur efektin e rritjes së çmimeve do të ketë rritje të pagave, ndërsa për grupet sociale në nevojë, për familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe për pensionistët do të aplikohen politika mbështetëse . Përfaqësuesit e FMN-së diskutuan me Kryeministrin Berisha edhe për reformën në Koorporatën Elektro-Energjitike dhe çështjen e privatizimit të Divizionit të Shpërndarjes.
Berisha-Costales: Shqipëria shembull i shkëlqyer i harmonisë fetare/Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim ambasadorin Felix Costales, Koordinator i Aleancës së Qytetërimeve në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Bashkëpunimit të Mbretërisë së Spanjës, gjatë të cilit theksoi se Shqipëria është shembull i marrëdhënieve të shkëlqyera ndërfetare. Gjatë këtij takimi z. Berisha vlerësoi si shumë të rëndësishme pjesëmarrjen e Shqipërisë në grupin e miqve të Aleancës së Qytetërimeve, ku bëjnë pjesë pothuajse të gjitha vendet e Bashkimit Evropian. Aleanca e Qytetërimeve u themelua në vitin 2005 me iniciativë të qeverisë Spanjolle dhe Turke, dhe nën mbikëqyrje të Kombeve të Bashkuara dhe synon përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve dhe popujve, përmes kulturave dhe feve. Duke vlerësuar se dialogu ndërmjet qytetërimeve është shumë i rëndësishëm, Kryeministri theksoi se Shqipëria është shembull i marrëdhënieve të shkëlqyera ndërfetare, një vlerë që e sjell dhe me pjesëmarrjen në këtë iniciativë të rëndësishme. Nga ana e tij, koordinatori Felix Costales vlerësoi si tepër të rëndësishëm bashkëpunimin nga ana e Shqipërisë si në iniciativën e Aleancës së Qytetërimeve, ashtu dhe në iniciativa të tjera si “ONE UN”. Kryeministri Berisha dhe ambasadori Costales vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve, si dhe shprehën angazhimin e qeverive të dy vendeve për intensifikimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi mes takimeve të niveleve më të larta politike. Costales vlerësoi hapat që ka ndërmarrë Shqipëria për ndërtimin e infrastrukturës institucionale dhe ligjore për t’u bërë anëtare e Aleancës së Qytetërimeve. Ambasadori Costales përshëndeti përparimet që ka bërë Shqipëria në periudhën e fundit, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik. Zoti Felix Costales vlerësoi se marrja e ftesës për anëtarësim në NATO nga ana e Shqipërisë, është një tregues i qartë i suksesit të reformave në vend

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›