E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Pas bllokimit nga PS-ja, progres me reformat

“Pas bllokimit dy vjeçar nga ana e opozitës të reformave integruese axhenda e reformave është plotësuar më sukses në pjesën më të madhe të saj si pasojë e marrëveshjes politike të nëntorit 2011 dhe bashkëpunimit mazhorancë-opozitë”. Kështu është shprehur kryeministri Sali Berisha gjatë takimit të zhvilluar me Ministren e Shtetit për Çështjet Evropiane të Irlandës, Lucinda Craighton.

Ministrja deklaroi se kjo vizitë kishte rëndësi në kuadrin e kryesimit të OSBE-së nga ana e Irlandës dhe marrjes së Presidencës së BE-së në semestrin e ardhshëm, si dhe vleresoi bashkepunimin e mire.

Kryeministri e siguroi Craighton për angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare në avancimin me sukses të integrimit evropian të vendit si projekti më i madh për qeverinë dhe popullin shqiptar.

Ndër të tjera Berisha theksoi si arritje madhore përmbylljen me sukses dhe konsensus të reformës zgjedhore, kufizimin e imuniteteve dhe miratimin e ligjit për gjykatën administrative.

Craighton u shpreh se progresi në Shqipëri është i prekshëm dhe real dhe reformat e ndërmarra janë shumë inkurajuese qoftë në aspektin e Bashkimit Evropian ashtu dhe të OSBE-së.

“Ajo shprehu shpresën që rekomandimi i Bashkimit Evropian në tetor do të jetë pozitiv dhe se progresi i bërë nga Shqipëria do të marrë vlerësim pozitiv në mbledhjen e Këshillit Evropian në dhjetor”- thuhet ne njoftimin e kryeministrise.

Ambasadori i prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Volfart i pranishëm në takim duke u bazuar në eksperiencën e institucionit që drejton shprehu bindjen që Shqipëri do të vazhdojë pa lëkundje në rrugën e reformave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›