Berisha: Pas hyrjes në NATO, projekti i dytë më i madh është anëtarësimi në BE
Speciale/ Kremtohet 4-vjetori i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO
Ambasadori i SHBA, Arvizu: Sot përjetojmë 4 vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, marrëdhëniet tona mbeten të spikatura. Forcat e Armatosura kanë shërbyer globalisht në disa prej vendeve më të rrezikshme nën komandën e NATO-s, si si Bosnje, Irak e Afganistan. Anëtarësimi përveç përfitimeve ka edhe detyrime, kur them se vlerësoj marrëdhënien e hapur me Shqipërinë nënkuptoj që ne do vazhdojmë ta mbështesim Ministrinë e Mbrojtjes Shqiptare. Angazhohemi që të punojmë së bashku për përparimin e vendit, për përparimin e Shqipërisë në NATO”
Ministri Arben Imami: Mund të themi me bindje se katër vjet pas anëtarësimit në NATO, Shqipëria ka një Forcë të Armatosur të vogël në numër, por efiçente, moderne dhe të ndërveprueshme. Ushtria shqiptare sot është një ushtri perëndimore.
Nga Lavdrim Lita
Me rastin e 4-vjetorit të anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në NATO, pasditen e djeshme në sallën e auditoriumit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes u zhvillua konferenca me temë “Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe NATO”.
Kryeministri Sali Berisha në përshëndetjen e tij u shpreh se, “Është një privilegj i madh për mua të përshëndes në emër të qeverisë, qytetarët shqiptarë dhe anëtarët e Forcave të Armatosura, në 4-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, datën më të rëndësishme në historinë tonë, pas shpalljes së pavarësisë vendit. Është një rast i veçantë të shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj vendeve aleate dhe vendeve mike në tërësi, Shteteve të Bashkuara, udhëheqës të Aleancës së Atlantikut të Veriut, në veçanti, për mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në NATO, për bashkëpunimin e shkëlqyer që është vendosur në kuadrin e Aleancës së Atlantikut të Veriut”.
Më pas kreu i ekzekutivit Berisha theksoi se, “anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ishte një proces rreth 18 vjeçar, në të cilin shqiptarët, me përpjekje dhe përkushtim të madh, hodhën themelet e një sistemi të bazuar në vlerat e lirisë dhe demokracisë, institucioneve demokratike. Ishte një proces, në të cilin shqiptarët transformuan në mënyrë rrënjësore Forcat e tyre të Armatosura, sistemin e tyre të sigurisë”.
Sipas tij, “në të gjithë këtë proces shumëvjeçar, rol kryesor dhe të pazëvendësueshëm ka patur bashkëpunimi me ushtrinë, me institucionet dhe me qeveritë e vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut, vendeve aleate dhe vendeve partnere. Në të gjithë këtë proces konsolidimi i vlerave të demokracisë ka qenë përcaktues, për aq sa NATO-ja është para së gjithash një aleancë politike, aleancë e sistemeve të bazuara në vlerat e lirisë, demokracisë dhe shoqërive të lira”.
Ndër të tjera, kryeministrit Berisha vuri në dukje se për Shqipërinë, anëtarësimi në NATO shënon një moment historik, shënon momentin e vendosjes së saj në sistemin e sigurisë kolektive më të fuqishme të kohërave, shënon një moment të përgjegjësive të reja në kuadrin e këtij sistemi, të detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi në të.
“NATO-ja është një institucion frymëzues jo vetëm për vendet anëtare të saj, por një institucion frymëzues dhe një organizatë frymëzuese për të gjitha organizatat e tjera të vendeve të lira. Kapaciteti i saj për të reformuar veten, për të ndjekur qëllimet dhe misionin e saj për t’u përshtatur me to, jo vetëm në hapësirën euro-atlantike, por edhe në hapësira të tjera, kur e kërkojnë çështjet e sigurisë globale, janë me të vërtetë frymëzuese dhe të një rëndësie të jashtëzakonshme”, theksoi ai.
Në këtë kontekst, vlerësoi kryeministri Berisha, “Shqipëria, si një anëtar i ri, ka bërë përpjekjet më serioze dhe me përkushtim të madh t’u përgjigjet obligimeve të saj. Njësitë e saj të armatosura kanë shërbyer dhe do të shërbejnë në zonat më të nxehta të veprimtarisë së forcave të Aleancës. Ne mbetemi të vendosur të përmbushim çdo detyrim që rrjedh nga akti i anëtarësimit të vendit në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Është i admirueshëm reformimi i Forcave tona të Armatosura gjatë këtyre viteve, kalimi në sistemin e ushtrisë profesioniste, por, në mënyrë të veçantë, përmbushja me disiplinë dhe vendosmëri e objektivave për demilitarizimin e municioneve të vjetra, të cilat kanë përbërë një rrezik serioz për shqiptarët dhe jo vetëm për shqiptarët, por edhe më gjerë”. Ndërsa u ndal të falënderoi ndihmën e madhe e qeverisë amerikane, ndihma e madhe e dy burrave të shquar të këtij kombi, Senatorëve Nunn dhe Lugar, në kuadrin e zhdukjes së armëve kimike dhe armëve të shfarosjes në masë, ka qenë i një rëndësie të jashtëzakonshme.
“Shqipëria, falë këtij projekti, u bë vendi i parë pa armë të shfarosjes në masë. Së shpejti ne do të jemi ndër vendet e para që ndahemi përfundimisht nga male të tëra municionesh tërësisht të rrezikshme. Jashtë Aleancës së Atlantikut të Veriut kjo do të kishte qenë tërësisht e pamundur. Pa ndihmën dhe mbështetjen e ushtrisë amerikane, qeverisë së Shteteve të Bashkuara, kjo nuk do të ishte e mundur”, vijoi ai.
Sipas kryeministrit Berisha anëtarësimi i Shqipërisë në NATO tre fushoi investimet e huaja direkte.
“Shqipëria punon me përkushtimin më të madh në projektin e dytë më kryesor të këtij shekulli, projektin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Edhe kjo, një organizatë e bazuar në vlera të lirisë, paqes, demokracisë, stabilitetit dhe prosperiteti. Ne jemi të vendosur të bëjmë çdo përpjekje, do të ndërmarrim çdo reformë, për të ecur në një proces plotësisht të merituar. Ky është interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë dhe interesi më i mirë i vendit”, nënvizoi ai.
Në fund të përshëndetjes, kryeministrit Berisha garoi se, “brenda një afati të shkurtër kohor demokracia shqiptare ka një test të fuqishëm, ka një festë të vërtetë dhe këto janë zgjedhjet e përgjithshme. Më lejoni t’ju garantoj ju, të dashur përfaqësues të vendeve aleate, se qeveria shqiptare do të bëj gjithçka që të nderojë vlerat, votën, ligjet, kushtetutën dhe standardet më të mira ndërkombëtare në këtë proces zgjedhor”. Konferencën “Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe NATO” e ka përshëndetur edhe ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Alexander Arvizu.
“Është kënaqësi që përfaqësoj SHBA-në në këtë aktivitet përkujtues”, tha në nisje të fjalës së tij ambasadori.
Ambasadori Arvizu deklaroi gjatë kësaj konference se kjo aleancë përveç përfitimeve ka edhe detyrime për një vend anëtar.
Sipas tij, Forcat e Armatosura Shqiptare kanë kontribuar për NATO-n edhe në vende të rrezikshme.
“Sot përjetojmë 4 vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, marrëdhëniet tona mbeten të spikatura. Forcat e Armatosura kanë shërbyer globalisht në disa prej vendeve më të rrezikshme nën komandën e NATO-s, si si Bosnje, Irak e Afganistan. Anëtarësimi përveç përfitimeve ka edhe detyrime, kur them se vlerësoj marrëdhënien e hapur me Shqipërinë nënkuptoj që ne do vazhdojmë ta mbështesim Ministrinë e Mbrojtjes Shqiptare. Angazhohemi që të punojmë së bashku për përparimin e vendit, për përparimin e Shqipërisë në NATO”, tha ai.
NATO tha Arvizu duhet të jetë një aleancë që bashkëpunon për sigurinë e përgjithshme. “Kjo është arsyeja se pse si aleatë duhet të theksojmë aleancën, kjo përfshin luftën ndaj terrorizmit, përhapjes së armatimeve të rrezikshme, etj. Duhet ta bëjmë këtë, NATO mund të ruajë ende një mbrojtje të fortë. Ne vazhdojmë të inkurajojmë aleatët të kontribuojnë fizikisht, financiarisht dhe ushtarakisht”, tha ai.
Në këtë përvjetor tha Arvizu, dallojmë arritjet dhe kuptojmë sfidat që na presin.
Duke cituar një fjalim të Presidentit të SHBA-ve Obama ai tha se, “s’mund të kënaqemi me kaq, duhet të mësojmë nga e shkuara të gjejmë zgjidhje për sfidat e këtij shekulli të ri”, shtoi ai.
Ndërkohë duke folur për këtë ngjarje të shënuar për Shqipërinë, ministri i Mbrojtjes Arben Imami theksoi se,
“Sot katër vjet më parë Shqipëria realizoi një ndër arritjet më të mëdha që prej themelimit të shtetit shqiptar. Anëtarësimi në NATO, Aleancën më të madhe politiko-ushtarake të historisë moderne, zgjidhi përfundimisht problemin themelor të shtetit shqiptar, atë të sigurisë. Katër vjet pas anëtarësimit Shqipëria jo vetëm është më e sigurt në planin e mbrojtjes kombëtare, por ofron të gjitha garancitë për një zhvillim të sigurt”.
Duke i bërë një panoramë të shkurtër arritjeve themelore që prej anëtarësimit të vendit në NATO, ministri Imami theksoi se, procesi i integrimit të plotë dhe përfundimtar i FA Shqiptare në NATO ka qenë fokusi kryesor i punës sonë katër vjeçare. Ky proces ka përfshirë në vetvete transformimin e FA në një Forcë të NATO-s, në të gjitha fushat, si në personel, modernizim, planëzim, trajnim, arsimim, stërvitje dhe është udhëhequr e monitoruar hap pas hapi nga Komanda e NATO-s për Transformim (ACT), përmes organizimit 2 herë në vit të Konferencave të Integrimit.
Në vijim të fjalës së tij, Imami theksoi se gjatë periudhës 2009-2013 FA kanë shtuar në inventarin e tyre pajisje moderne bashkëkohore të standardeve më të përparuara perëndimore, helikopterë shumë-rolesh dhe anije patrulluese, armatim të lehtë, sisteme vëzhgimi, qendra stërvitje dhe simulimi etj. Po hartohen planet afatmesme dhe afatgjatë të modernizimit tërësor të FA, kryesisht Forcës Tokësore, pasi përqendrimi kryesisht këto vite ka qenë tek Forca Ajrore dhe Forca Detare.
Gjithashtu ai ka nënvizuar kontributin e FA Shqiptare në operacionet paqeruajtëse. “Misionet paqeruajtëse jashtë vendit, janë sukses i jashtëzakonshëm. Performanca e FA Shqiptare në misionet paqeruajtëse gjatë këtyre viteve ka njohur një transformim rrënjësor. Jo vetëm që numri i ushtarakëve në misione është rritur, duke e renditur Shqipërinë në vendin e dytë kontribuues në Afganistan, në raport me GDP dhe numrin e popullsisë, por misionet tona operacionale të Forcave Speciale, OMLT, Toga Mjekësore, MAT, përbënë thelbin e kontributit tone”, është shprehur ministri Imami.
Ndërsa procesi i demontimit të municioneve të tepërta është projekti më i suksesshëm i realizuar nga Forcat e Armatosura. Ministri Imami theksoi se, Shqipëria është vendi i parë i ish-bllokut komunist që çlirohet përfundimisht nga kjo trashëgimi e rrezikshme për qytetarët shqiptarë, por edhe për rajonin dhe më gjerë.
Gjatë katër viteve janë evaduar dhe asgjësuar thuajse 100 mijë ton municione duke hequr këtë barrë të rëndë, e cila ka qenë dhe një kosto e lartë për Forcat tona të Armatosura. Pas shpërthimit të fundit në poligonin e Bizës u shënua përfundimi i shkatërrimit të municioneve në poligone të hapura, ndërsa brenda pak muajsh do të përfundojë dhe demontimi masiv i municioneve të tepërta në rrugë industriale, duke e bërë Shqipërinë një vend model dhe një shembull për t’u ndjekur nga vendet e tjera që trashëgojnë të njëjtën problematikë.
“Përfundimisht mund të themi me bindje se katër vjet pas anëtarësimit në NATO, Shqipëria ka një Forcë të Armatosur të vogël në numër, por efiçente, moderne dhe të ndërveprueshme. Ushtria shqiptare sot është një ushtri perëndimore”, ka deklaruar ministri i Mbrojtjes Imami.
Në fund të fjalës së tij, ai ka shprehur një falënderim të veçantë për të gjithë vendet anëtare të NATO-s dhe partnerët, me të cilat FA Shqiptare kanë bashkëpunuar gjatë katër viteve të fundit, duke theksuar se kontributi dhe ndihma e tyre ka qenë tepër të çmuara në procesin e stërvitjes, operacionalitetit dhe modernizimit të forcave tona të armatosura.
Më pas konferenca u përshëndet nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH-së Gjeneral Major Xhemal Gjukshi. Pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë eveniment të rëndësishëm për Forcat e Armatosura Shqiptare, Gjeneral Gjunkshi paraqiti në mënyrë të përmbledhur zhvillimet më të rëndësishme gjatë kësaj periudhe.
“Periudha katër vjeçare e të qenit anëtar i NATO-s i ka shërbyer ushtrisë sonë për t’u transformuar dhe zhvilluar në perspektivën e një ushtrie të Aleancës. Bashkëpunimi i ngushtë dhe monitorimi i vazhdueshëm i strukturave transformuese të Aleancës kanë rezultuar në një sërë arritjesh madhore”.
Më tej Gjeneral Gjunkshi nënvizoi se përveç arritjeve dhe progresit të bërë në kuadër të integrimit të plotë në NATO, FA Shqiptare janë angazhuar edhe në aktivitete të tjera të rëndësishme që janë të lidhura si me proceset e integrimit të Aleancë ashtu edhe në aspekte të rëndësishme të mbrojtjes kombëtare.
“Shpreh bindjen e plotë dhe garantoj se Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë do të përmbushin të gjitha sfidat transformuese si anëtare të denja të NATO-s, dhe do të jenë gjithmonë në lartësinë e detyrave që i ngarkon misioni i vet kushtetues”, u shpreh në përfundim të fjalës së tij Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA Gjeneral Major Xhemal Gjunkshi.
Në këtë konferencë morën pjesë: kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ministra të tjerë të kabinetit qeveritar, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Alexander Arvizu, personalitete të lartë nga institucione të tjera të shtetit, autoritete nga përfaqësitë diplomatike dhe atashetë ushtarakë të akredituar në vendin tonë, si dhe mjaft të ftuar të tjerë.