E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: U përmbys përpjekja primitive e Edi Ramës për qeveri teknike

05-04-2013 / Gazeta 55

Mazhoranca, solide në Kuvend, voton me 72 vota “pro” ministrat e rinj të qeverisë “Berisha”. Kryeministri, opozitës: Minorancë e nisët, minorancë e sosët, minorancë do mbeteni

Vullnet unanim i mazhorancës për votimin e dekreteve të Presidentit, Aldo Bumçi ministër i Punëve të Jashtme, Florjon Mima i Ekonomisë, poeti Visar Zhiti ministër i  Kulturës dhe Halim Kosova ministër i Shëndetësisë. Dështon edhe njëherë tjetër përpjekja e Edi Ramës për rrëzimin e qeverisë, teksa dje ka marrë shuplakën e radhës nga vota “pro” qeverisë “Berisha”

Nga Leonard Quku

Kuvendi miratoi dje me 72 vota ministrat e rinj të propozuar nga kryeministri Sali Berisha, pas tërheqjes nga qeveria të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Deputetët miratuan me 72 vota pro, 59 vota kundër dhe 3 abstenime dekretin e Presidentit të Republikës, që emëron Myqerem Tafaj, në postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Arsimit.
Në postin e ministrit të Shëndetësisë, Halim Kosova, mori 72 vota “pro”, 58 abstenime dhe 3 vota kundër; Aldo Bumçi, në postin e Ministrit të Jashtëm, u votua me 72 vota “pro”, 59 abstenime dhe 3 vota kundër; Florjon Mima në postin e Ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, mori 72 vota “pro”, 59 vota kundër dhe 3 abstenime, ndërsa Visar Zhiti, u emërua Ministër i Kulturës, duke marrë 72 vota pro, 57 vota kundër dhe tre abstenime. Gjithashtu, Kuvendi votoi dhe dekretet e Presidentit për shkarkimin nga detyra të ministrave që mbanin postet e mësipërme. Deputetët me 75 vota pro dhe 55 kundër miratuan dekretin e shkarkimit të zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto; me 74 vota pro miratuan dekretin e shkarkimit të ministrit të Jashtëm, Edmond Panariti dhe të ministrit të Shëndetësisë, Vangjel Tavo.
Dy vota “pro” ndryshimeve në qeveri ishin të deputetëve të larguar nga PS, Asllan Dogjani dhe Gjovalin Kadeli, ndërsa deputetët e LSI-së, ashtu siç paralajmëruan, abstenuan në votimin e dekreteve.
Pas votimit të ndryshimeve në kabinetin qeveritar, kryeministri Sali Berisha përgëzoi deputetët, për atë që ai e quajti përmbysje të përpjekjes primitive të kryetarit të opozitës për të shkuar në qeveri teknike.
“Me këtë votë historike ju përmbyset një përpjekje primitive të Edvin Ramës për të shkuar në qeveri teknike, me të cilën dështoi”, u shpreh kryeministri.
Ai iu drejtua deputetëve të PS se, do të mbeten në minorancë edhe për një kohë të gjatë. “Zotërinj deputetë të PS-së, në minorancë e nisët, në minorancë e sosët, minorancë do të ktheheni, në minorancë do të mbeteni”, deklaroi kryeministri.
Largimi nga koalicioni i partnerit kryesor në qeverisje nuk e vë në diskutim mazhorancën parlamentare të Partisë Demokratike. Koncentrimi i debatit të ditëve të fundit kryesisht tek “rënia” e qeverisë dhe krijimi i një “qeverie teknike” dy muaj para zgjedhjeve, dha dje shkëndijat e para të një kalkulimi matematikor të gabuar. Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim janë tashmë de facto partnere të koalicionit të majtë opozitar. Protagonistët e kësaj kulture politike të karakterizuar prej disa vitesh nga mosmarrëveshje dhe ndasi të thella, bënë paqe duke i quajtur “të shkuara të harruara” akuzat dhe kundër-akuzat edhe në momentet më të nxehta dhe me pasoja të rënda, siç ishte 21 janari i dy viteve më parë. Pa asnjë dyshim kostot prapavepruese do t’i vuajë Edi Rama dhe PS.
Përtej reagimeve emocionale të socialistëve në rrjetet sociale, të cilët kanë plotësisht të drejtë, e vërteta është se, askush nuk e paragjykon një koalicion të përbërë nga parti politike që në thelb i bashkon ideologjia, por në këtë rast mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim ka një problem të thellë jo vetëm nga ndarja e tyre e gjatë, që prej 2007-ës, por nga mënyra sesi Edi Rama e sulmuar LSI-në dhe liderin e saj, Ilir Meta me synim kryesor nxjerrjen e tij jashtë skenës politike.
Në një analizë të hollë, kurba elektorale i ofron Edi Ramës një tjetër 4-vjeçar në opozitë. Votuesit socialistë janë në qorrsokak, ndërsa ka ardhur koha që Edi Rama të marrë prej tyre shpagimin e të gjitha dështimeve. Dhe ky është një mesazh kuptimplotë për Partinë Socialiste dhe Edi Ramën kur kanë mbetur më pak se 2 muaj nga zgjedhjet parlamentare. PS është në opozitë, ndërsa do të vazhdojë të mbetet për një kohë të gjatë në këtë situatë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›