Me Berishën, socialistët mbeten gjithmonë në minorancë
Edhe skema e puçit parlamentar, edhe skema e puçit parazgjedhor, s’e ndryshoi dot fatin e një të dështuari në politikë, si Edi Rama. Votëbesimi parlamentar me 72 vota për 3 ministrat e rinj të kabinetit “Berisha”. Reaksioni në të majtë pati rezultatin e parë në parlament dhe pritet të konfirmojë në terren faktin se me mazhorancën reformatore të Berishës, e majta është e destinuar të mbetet në minorancë
Kryeministri Sali Berisha ngadhënjeu edhe një herë tjetër në Kuvend. Miratimi i ministrave të rinj të kabinetit qeverisës me 72 vota pas largimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe shmangia e grackave të vëna nga opozita për dekretet e presidentit Nishani tregoi për lidershipin fitues të Partisë Demokratike.
Kreu i opozitës, Edi Rama për 8 vite në opozitë ka qenë një hap prapa në strategji politike dhe ofrim të alternativës qeverisëse. Është i vërtetë fakti që kryeministri Berisha dëften epërsinë e përvojës në momentet me deçizive të politikës shqiptare duke hedhur tuç çdo lloj kundërshtari.
Në betejën e fundit parlamentare të matjes së forcës, kreu i PS Edi Rama nuk u fut fare në lojë, duke u tërhequr në një heshtje. Loja për qeveri teknike pas tërheqjes së LSI-së nga maxhoranca rilindi e vdekur. Ai stërvitej për katër vite për këtë betejë politike. Habia e shumë socialistëve në lidhje me marrëveshjen PS-LSI dhe kërkesa për informacion nga anëtarët e kryesisë së PS për anekset e marrëveshjes sinjalizoi se vendimet merren vetëm nga Edi Rama duke e kthyer një organizëm vullnetar politik në një monoorganizëm vullneti personal.
Argumentet logjikë të Ramës për bashkim dhe jo përçarje të së majtës anulon një veprimtari politike 48 mujore. Sofizmat e Ramës për të justifikuar një martesë pa fejesë dëshmon se për t’u bërë kryeministër është i gatshëm për të bërë hasha çdo deklaratë dhe njeri që e ka mbështetur gjithë këto vite. Rrjetet sociale po delegjitimojnë paraprakisht Partinë Socialiste, ndërsa kryeministrit Berisha po shkon drejt një mbështetje gjysmë milioni fansa.
Ndërkohë vendi nuk ka opozitë, ka qeveri që shkon e sigurt për një mandat tjetër por jo opozitë pasi nuk ka alternativë.
Edi Rama nuk ka gojë të flasë për të metat e qeverisë Berisha, nuk mund të flasë për ministritë kyç që kishte LSI, nuk mund të flasë për protestat e demonstratat e tij me viktima, nuk mund të flasë për një “rilindje”. Ai është lidhur me duart e tij. Pas katër vitesh ecejake me protesta, grevë urie dhe demonstrata të dhunshme Edi Rama ngeli politikisht pa frymë. Më e keqja është se i kanë mbushur mendjen se e ndihmon aritmetika e numrave por edhe pa llogaritur fare abstenimin e shumë socialistëve dhe votën kundër të elektoratit gri, me rezultatet e këtij katër vjeçari falimentoi opozitën.
Më e forta është se ditën e djeshme Edi Rama nxori sekretarin për Programin Ilir Beqjen për të thënë se modeli ekonomik i kryeministrit Berisha është i dështuar. Mirëpo sekretari i PS Beqja nuk iu përgjigj pyetjes së gazetarëve nëse programi i tyre është i vlefshëm pasi LSI-ja është kundër pikave të programit për taksat, integrimin dhe shëndetësinë. Kësisoj PS-ja në 79 ditë nga zgjedhjet e 23 qershorit nuk ka një program politik të aleancës qeverisëse. Programi i PS për shëndetësinë dhe taksën progresive bie automatikisht poshtë sepse aleati kryesor i PS në opozitë ka dalë kundër rritjes së taksave dhe e ka quajtur blof reformën në shëndetësi. Sigurisht, është e pakuptueshme një opozitë që për 8 vjet ka folur për programin e saj dhe dy muaj përpara zgjedhjeve del se është pa program për shkak të piruetës së Edi Ramës.
Socialistët janë të destinuar të jenë një minorancë e përhershme. Edi Rama nuk e njeh fitoren prej shumë kohësh. Të vetmen gjë që njeh mirë është humbja. Por të humbur janë dhe deputetët e PS. Prurjet e reja të Ramës dhe futja në koalicion e LSI-së ul vendet e lira në listat e sigurta të Partisë Socialiste çka do të thotë se shumë prej këtyre deputetëve aktualë do të jenë jashtë orbitës së parlamentit.
Sido që të jetë, një gjë është sigurt: socialistët janë të përcaktuar si një minorancë pasi përpara një kryeministri si Berisha ndihen fajtorë dhe të pafuqishëm. Fajtorë sepse kanë bërë faje edhe në opozitë, të pafuqishëm sepse lidershipi i PS është i dobët në vlera dhe strategji politike. Shtatëdhjetë e nëntë ditë përpara zgjedhjeve parlamentare Edi Rama nuk është i qartë për mënyrën sesi do të bëjë fushatë elektorale. Paranoja ka marrë tatëpjetën në mendjen e tij.