Gjoni: Përse i duhen snajperët, SHIU-t të Imamit
Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë: Ligji ia ndalon
Blerja e armatimeve dhe pajisjeve speciale në llogari të Shërbimit Informativ Ushtarak ka ndezur polemika të mëdha në Parlament. Deputetët e opozitës në mbikëqyrjen parlamentare të nisur nga Komisioni Parlamentar i Sigurisë do të kenë objekt të punës së tyre shitjen dhe blerjen e armëve nga MEICO në llogari të SHIU-t. Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, deputeti i PS-së, Ilir Gjoni, në artikullin e tij të sotshëm ngre shqetësimin për blerjen e armatimeve tip snajper në llogari të SHIU-t. Sipas tij, ky institucion nuk e parashikon blerjen apo pajisjen me armë si dhe kryerjen e operacioneve ushtarake, pasi është një organ zbulues
ILIR GJONI*
Ndërkohë që siguria kombëtare është një shqetësim parësor e legjitim i çdo shteti, një shtet demokratik përcaktohet si i tillë nga rëndësia që ai i jep vlerave demokratike, të drejtave të njeriut dhe lirive qytetare. Në një shtet demokratik shërbimet inteligjente duhet të veprojnë brenda kontekstit të respektimit të të drejtave të njeriut, fjalës së lirë, kontrollit e balancave dhe vlerave të tjera që konsiderohen të rëndësishme prej shoqërisë.
Dallimi mes një shteti demokratik dhe atij autoritar është nga vlera që i jepet sigurisë, pra nëse mbizotërojnë vlerat e sipërpërmendura apo nëse siguria merr vlera absolute, duke e përjashtuar atë nga çdo formë kontrolli demokratik.
Nëse shërbimet inteligjente nuk i nënshtrohen kontrollit dhe mbikëqyrjes, atëherë, duke pasur parasysh karakteristikat e veçanta të sektorit të inteligjencës, siç janë ekspertiza në survejim, aftësia për të kryer operacione të fshehta, kontrolli i informacioneve sensitive, funksionimi në tërësi nën petkun e sekretit, të gjitha këto mund të çojnë në minimin e qeverisjes demokratike dhe cenimin e të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve. Prandaj shoqëritë demokratike kanë krijuar mekanizma mbikëqyrës, për të mos i lejuar këto struktura të dalin jashtë funksionit kushtetues.

8800 euro
MEICO në kontratën e lidhur me kompaninë italiane Beretta parashikon blerjen e dy armëve snajper, tip SAKO TRG-42. Vlera totale e dy armëve llogaritet 8800 euro
E bëra këtë parantezë për të argumentuar nevojën e domosdoshme për një mbikëqyrje të menjëhershme parlamentare të veprimtarisë së Ministrisë së Mbrojtjes (MM) dhe në veçanti të Shërbimit Informativ të Ushtrisë. Kanë kaluar mbi dy muaj që Komisioni i Sigurisë së Kuvendit ka miratuar me unanimitet të plotë mbikëqyrjen e tij, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën e vendit, në Ministrinë e Mbrojtjes. Ka pasur një korrespondencë shteruese mes kryetarit të Komisionit të Sigurisë (KS) dhe ministrit të Mbrojtjes, ka pasur disa tentativa të anëtarëve të KS-së për të ushtruar funksionet e tyre, por janë ndeshur me një mur arrogance hermetike nga ana e ministrit të Mbrojtjes dhe drejtuesve të tjerë të këtij institucioni. Ndërkohë që ka një heshtje të plotë dhe komplicitet në këtë krim kushtetues si nga Kryeministri, ashtu dhe nga Kryetarja e Kuvendit dhe Presidenti. Për të mos u zgjatur dhe sa për të ngacmuar sadopak ndjenjën e detyrimit qytetar të çdo shtetasi për tu revoltuar nga fakti se me paratë publike dhe në emër të shtetasve abuzohet pa ia bërë syri tërr nga ana e drejtuesve të Ministrisë së Mbrojtjes (MM), po sjell një shembull domethënës të kapërcimit të kompetencave dhe limiteve që i jep ligji këtyre strukturave të shtetit, përkatësisht SHIU-t dhe MM-së.
Është publikuar para do kohësh në media një urdhër i ministrit të Mbrojtjes me nr.1585/1, datë 19.01.2011 “Për një ndryshim në Urdhrin nr.1585, datë 01.09.2010 si dhe Autorizimin e Ministrit nr.503, datë 19.01.2011 ku autorizohet ndërmarrja MEICO të realizojë kryerjen e importit të armëve të lehta nga kompania italiane BERETTA për llogari të SHIU-t. Në këtë blerje përveç artikujve të tjerë, janë përfshirë edhe snajperë dhe automatikë.
Pyetja shtrohet – Përse i duhen snajperët dhe automatikët SHIU-t të drejtuar prej Ylli Zylajt dhe komanduar prej Arben Imamit? Shumëkush që njeh funksionimin e shërbimeve inteligjente mund të thotë se u duhet për operacione të fshehta? Edhe ky në vetvete është një problem. Operacionet e fshehta të njohura ndryshe si misione aktive apo aksion direkt, përdoren si një formë alternative e veprimtarisë së shteteve që qëndron mes dy polariteteve – nga njëra anë diplomacisë dhe nga ana tjetër përdorimin të forcës, d.m.th konfliktit ushtarak. Nëse një vend zgjedh që shërbimeve të veta inteligjente tu japë edhe këtë funksion, atëherë kapërcehet misioni bazë i shërbimeve inteligjente, që është grumbullimi dhe analiza e informacionit. Është fakt i njohur që pjesa ekzekutive e shtetit e dëshiron shumë një element të tillë për shërbimet inteligjente, pasi këto shpesh dalin jashtë mbikëqyrjes së Parlamentit për shkak të vetë natyrës dhe specifikave të tyre. Kjo qëndron edhe për demokracitë e konsoliduara, por ama në një vend si ky i yni, me një demokraci hibride e infantile, operacione të tilla jashtë mbikëqyrjes së rreptë të ligjvënësit, përbëjnë kërcënim për demokracinë dhe mbijetesën e saj. Aq më shumë po të kemi parasysh historinë politike dhe qeverisëse të Kryeministrit aktual dhe paranojën e tij për të kontrolluar e vënë në shërbim të tij shërbimet inteligjente. Për njohësit dhe hulumtuesit e fushës së veprimtarisë së shërbimeve inteligjente është fakt i njohur se operacionet e fshehta janë një çështje kontraverse. Përpos kësaj, në rastin konkret të vendit tonë, ligji i Shërbimit Informativ të Ushtrisë Shqiptare e përjashton një element të tillë.
Prandaj çdo shërbim inteligjent funksionon në bazë të ligjeve dhe çdo kapërcim i ligjit është shkelje e rëndë dhe e dënueshme sipas Kodit Penal. Pikërisht për këtë arsye janë ligjet dhe mbikëqyrja, e cila teorikisht realizohet përmes disa filtrave, një ndër të cilët është dhe Komisioni i Sigurisë së Kuvendit të Shqipërisë.
Por çfarë thotë ligji organik i SHIU? Cilat janë detyrat e këtij shërbimi dhe a justifikohen, në pikëpamjen ligjore operacionet e fshehta dhe marrja në dispozicion e snajperëve apo automatikëve nga ky shërbim? Ligji nr. 9074, datë 29.5.2003 Për Shërbimin Informativ Ushtarak, në nenin 2, Misioni dhe në nenin 5 Detyrat nuk përmend askund dhe në asnjë rast as operacionet e fshehta e as përdorimin e armëve të luftimit që nuk hyjnë në kategorinë e armatimit personal.
Nga analiza e ligjit të sipërpërmendur, është lehtësisht e konstatueshme se ligjvënësi nuk ka parashikuar asnjë lloj veprimtarie ushtarake nga ana e këtij shërbimi, gjë që e bën të pajustifikueshme dhe të dyshimtë marrjen në dispozicion të snajperëve dhe automatikëve. Punonjësit e SHIU-t, ashtu si dhe të gjithë punonjësit e tjerë të shërbimeve inteligjente, mund të mbajnë armatim personal, por kurrsesi nuk e kanë të justifikuar ligjërisht mbajtjen e snajperëve apo automatikëve për përmbushjen e