E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Pedofilëve, vrasësve të policëve, ndëshkim më të rreptë

TIRANE – “Do të ketë ndëshkime shumë më të rrepta për dhunën ndaj fëmijëve, për vrasjen ndaj policëve dhe po kështu për gjakmarrjen”. Kështu ka deklaruar sot kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

I nxitur nga ngjarja e cila ka tronditur opinionin publik shqiptar e pedofilit vrasës, Ardian Prenjasi, Berisha këmbënguli në faktin që zbulueshmëria ndaj krimit është në shkallët më të larta, edhe pse monstra e Laprakës zhvillonte aktivitetin e tij kriminal nën hundën e drejtësisë, pasi “ia kishte hedhur’ në vitin 2008 vetëm me një gjobë për akuzën e një të mituri.

“Mori fund shoqëria mori fund shteti! Këto janë deklarata të papërgjegjshme të cilat kanë përballë ose injorancën ose mllefin. Një shtet i cili ka shkallën më të lartë të zbulimit, shkallët më të larta të ndëshkimit në përputhje me ligjin, dëshmon para qytetarëve të vet se ligji funksionon”, tha Berisha.

Shefi i mazhorancës theksoi sërish se dënimi me vdekje do të ishte kthim pas, dhe se është gjithashtu i kushtëzuar nga fakti që Shqipëria është anëtare e Këshillit të Evropës.

“Zëra të shumtë kërkojnë rikthimin e dënimit me vdekje. Mirepo Shqipëria është anëtare e Këshillit të Evropës, dhe heqja e dënimit me vdekje është një kusht për anëtaresimin në këto institucione. Asnjë nga vendet anëtare nuk ka dënimin me vdekje”, nënvizoi Kryeministri.

Në përfundim të fjalës së tij mbajtur në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, berisha tha se “fakti që ne sot sjellim një paketë ligjore e cila shkëput Kodin Penal dhe Civil nga disa praktika më të buta të mëparshme, dëshmon se reformat po ecin”.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›