E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani: Rama ofron slogane të lodhura, bashkë me planin për të rritur taksat

20-03-2013 / Gazeta 55

Demokratët vijnë me projekte konkretë përballë projekteve boshe të PS

Deputeti i Partisë Demokratike Gerti Bogdani nëpërmjet një konference për shtyp ka sqaruar ndryshimet thelbësore mes programit të qeverisë Berisha dhe atij të propozuar nga kryesocialisti Edi Rama. “Kryeministri Berisha vazhdoi dje me prezantimin e planit më realit dhe më konkret për hapjen e vendeve të reja të punës dhe foli për aksione konkrete që do të krijojnë një klimë më të favorshme për zhvillimin e biznesit. Prej vitit 2005, numri i bizneseve të vogla është rritur me 50 për qind dhe numri i biznesit të mesëm me mbi 150 për qind. Kjo ka ardhur për shkak të politikave të heqjes dhe uljes së taksave për biznesin e vogël dhe eliminimin e burokracisë përmes sistemit one stop shop. Dhe ne jemi të ndërgjegjshëm që puna jonë nuk përfundon këtu. Kryeministri Berisha hoqi TVSH-në për makineritë që do të përdoren për prodhim, duke krijuar kështu një klimë të favorshme për hapjen, menaxhimin dhe rritjen e një biznesi, sepse kjo është e vetmja mënyre realiste për të hapur vende të reja pune. Kryeministri propozoi politika të zhdërvjellëta për tregun e punës, të bazuar në modelet më të suksesshme, ku do të mbështeten me grante dhe kredi pa kolateral të gjithë të rinjtë dhe të papunët që dëshirojnë të hapin një biznes të ri”, deklaroi Bogdani. 
Ndërsa vuri dukje se  Edi Rama bën të kundërtën. “Jo vetëm nuk ka asnjë plan konkret për të përmirësuar klimën e biznesit, por madje po e pengon atë. Gjithçka Edi Rama ofron janë vetëm slogane të lodhura dhe i vetmi plan që ka ai, është plani për të rritur taksat, që nuk bën gjë tjetër veçse rrit papunësinë dhe shkatërron klimën pozitive të biznesit”, deklaroi Bogdani. 
Sipas tij, i ashtuquajturi plan i Ramës, do t’i ngrejë taksat me 50 për qind për çdo biznes të vogël e të mesëm, që përbejnë gjeneratorin e krijimit të vendeve të reja të punës në ekonominë tonë.
Kudo ku ka një mundësi zhvillimi, është Partia Socialiste dhe Edi Rama që bllokojnë.
“Ai nuk ishte Edi Rama dhe Partia Socialiste që bllokuan ngritjen e Gjykatës Administrative, një organ që do të thjeshtonte procedurat burokratike, do të mbronte biznesin, madje do të krijonte edhe vende të reja pune? A nuk ishte Edi Rama ai, që si kryetar i Bashkisë së Tiranës i dyfishoi taksat? A nuk ishte Edi Rama ai që shkatërroi sektorin e ndërtimit në Tirane, rrjedhimisht dhe punësimin Tiranë, me 399 ditshin e tij të famshëm për një leje ndërtimi, leje me të cilat favorizoi vetëm klientët e tij, duke lënë Tiranën pa një Plan Urbanistik, për 11 vjet me radhë? Edi Rama është bërë macja e zezë për çdo biznes të vogël, të mesëm apo të madh, për çdo iniciativë zhvillimi të biznesit dhe të hapjes së vendeve të reja të punës?”, pyeti herë pas here deputeti i PD, Bogdani.
Në fund të deklaratës së tij, ai nënvizoi se PD nuk mund ta ndalojmë Edi Ramën të tallet me sloganet e tij boshe. “Ai do të vazhdojë të tjerrë planin e tij për të rritur taksat, për të dëmtuar biznesin dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Dhe ne nuk kemi rrugë tjetër përveçse të bëjmë atë që kemi bërë deri tani dhe akoma më shumë: Të fokusohemi në krijimin e një klime ku sektori privat të lulëzoje dhe të marrë frymë lirisht, pa taksa të larta, që të zhvillohet e të krijojë akoma më shume vende të reja pune, me paga më të mira për qytetarët Shqiptarë!”, përfundoi ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›