E Diel, 1 Nëntor 2026

“Me Kinën marrëdhënie të shkëlqyera, me Izraelin inkurajim investimeve të ndërsjella”

20-03-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha, telegrame urimi homologut kinez dhe atij izraelit

Kryeministri Berisha i ka dërguar  telegram urimi Kryeministrit të Republikës Popullore të Kinës, Li Keqiang, me rastin e zgjedhjes së tij në këtë detyrë dhe Kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, me rastin e formimit të qeverisë së re.
Në telegramin drejtuar homologut të tij kinez, kryeministri Berisha thekson se dy vendet ruajnë marrëdhënie të shkëlqyera, mbështetur në ndjenjat më të sinqerta të miqësisë tradicionale mes dy popujve.
“Kam kënaqësinë e veçantë që, me rastin e zgjedhjes Suaj Kryeministër i Republikës Popullore të Kinës, t’Ju përcjell në emrin tim, të qeverisë shqiptare dhe të Partisë Demokratike të Shqipërisë përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të ngrohta e miqësore për sukses të plotë në detyrat e rëndësishme përpara. Kam ndjekur me vëmendje e vlerësim prezantimin e vizionit Tuaj qeverisës dhe mbetem me bindjen e thellë se nën drejtimin Tuaj, me largpamësinë, përkushtimin dhe integritetin që Ju karakterizon, Kina mike do të vijojë rrugën e reformave e të suksesit në shërbim të zhvillimit e modernizimit të mëtejshëm të saj, si edhe në shërbim të paqes e forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar. Jemi shumë të lumtur që dy vendet tona ruajnë marrëdhënie të shkëlqyera, mbështetur në ndjenjat më të sinqerta të miqësisë tradicionale mes dy popujve tanë, ndaj unë pres me padurim për të vijuar e thelluar bashkëpunimin e ngushtë me Ju dhe qeverinë Tuaj në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë në dobi të së mirës të të dy popujve. Marrëveshja e Partneritetit Strategjik, nënshkruar katër vite më parë në Pekin, përbën një bazë e kuadër solid e të shkëlqyer në këtë aspekt dhe unë dëshiroj me këtë rast t’Ju ripohoj vendosmërinë e qeverisë sime për të mirëpritur e mbështetur  investimet nga vendi Juaj, të cilat do të shndërrohen në histori suksesi si për investitorët kinezë, ashtu edhe për Shqipërinë. Duke Ju uruar edhe një herë suksese në përmbushjen e misionit Tuaj fisnik, shfrytëzoj këtë rast për t’Ju përcjellë njëherazi dëshirën time për t’Ju pritur në Tiranë, si mik i madh e i shquar i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, në kohën më të përshtatshme për Ju”, thuhet në telegramin e Kryeministrit Sali Berisha për homologun kinez Li Keqiang.
Ndërsa në telegramin drejtuar homologut të tij Izraelit, kryeministri Berisha theksoi se, “I kam ndjekur me vëmendje përpjekjet tuaja për një koalicion vizionar dhe prezantimin e platformës suaj qeverisëse dhe mbetem thellësisht i bindur se nën udhëheqjen Tuaj, me largpamësinë e vendosmërinë që Ju karakterizon, Izraeli do të shënojë suksese të reja në rrugën e zhvillimit e të modernizimit të mëtejshëm dhe prosperitetit për qytetarët e kombin Tuaj, mik të Shqipërisë dhe shqiptarëve, sikundër besoj se qeveria juaj e re do të sjellë kontribut të rëndësishëm në drejtim të konsolidimit të paqes e stabilitetit në rajon. Duke qenë se marrëdhëniet ndërmjet të dyja qeverive e vendeve tona janë në një nivel të shkëlqyer e të bazuara në ndjenjat më të sinqerta dhe miqësinë tradicionale e të veçantë ndërmjet të dyja kombeve tona dhe duke u mbështetur te premtimi i juaj gjatë vizitës sime në Izrael, dëshiroj, me këtë rast, t’Ju ripohoj dëshirën time e të gjithë shqiptarëve t’Ju presim së shpejti në Tiranë, si mik i madh dhe i shquar i Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Kjo vizitë do të përbëjë një kontribut të çmuar për ti thelluar edhe më tej këto marrëdhënie të ngushta me Ju dhe qeverinë Tuaj si edhe për të nxitur e promovuar  bashkëpunimin e frytshëm  e të gjithanshëm, në veçanti atë ekonomik, e inkurajimin e investimeve të ndërsjella, në të gjitha fushat, në dobi të interesit më të mirë të qytetarëve e vendeve tona”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›