E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha Per kater vitet e ardhshme projekte per Delvinen moderne

Kryeministri Berisha vijoi sot, takimin me qytetarë të Delvinës, në kuadër të paraqitjes së alternativës për qytetarin dhe mbështetjes së kandidatëve të koalicionit “Aleanca për qytetarin” për zgjedhjet vendore të 8 majit. Kryeministri shprehu mbështetjen për kandidatin për kryetar bashkie Dhurim Alinani dhe garantoi qytetarët e Delvinës për mbështetjen e çdo projekti për zhvillimin e saj.

Delvina, - tha Kryeministri - është rrethi i potencialeve të mëdha, i burimeve naturore nëntokësore të mëdha, i potencialeve të mëdha turistike, i trashëgimisë kulturore, i potencialeve të jashtëzakonshme bujqësore. Kryeministri edhe nga Delvina u bëri thirrje fermerëve shqiptarë të shtojnë sipërfaqet e mbjella me ullinj, dru frutorë e vreshta, duke i garantuar se qeveria do t’i subvencionoijë për çdo rrënjë të mbjellë.

“ Në katër vitet e shkuara, ne kemi investuar në rrugë kombëtare, në rrugë lokale, ujësjellës e kanalizime, shkolla, siç theksoi kryetari juaj, më shumë se në një shekull. Ju garantoj se në katër vitet që vijnë do të investojmë në rrugët e rrugicat tuaja, shkollat e kopshtet, ujësjellës e kanalizime, në infrastrukturën më moderne dhe turizmin shumë e shumë herë më tepër, se gjatë katër viteve që shkuan. Projektet tona, për katër vitet që vijnë, janë projekte për Delvinën moderne, Delvinën e zhvilluar. Në infrastrukturë do të jetë asfaltimi i plotë i të gjitha rrugëve e rrugicave të territorit të bashkisë së Delvinës, të të gjitha shkollave e kopshteve, ujësjellësit e kanalizimet. Gjatë këtij mandati do të ndërtojmë e rindërtojmë rrugën Delvinë-Muzinë, do përfundojmë rrugën Delvinë-Kardhiq, do të asfaltojmë çdo rrugë të kësaj bashkie. Gjatë këtij mandati, një horizont të ri do të marrë Delvina turistike, Delvina e bukurive të mëdha natyrore, e brigjeve dhe e trashëgisë të shkëlqyer kulturore. Delvina është rrethi i potencialeve të mëdha, rrethi i burimeve naturore nëntokësore të mëdha dhe ju garantoj se shpejt, ato do të jenë vlerë për qytetarët e Delvinës dhe për mbarë qytetarët shqiptarë. Delvina është rrethi i potencialeve të mëdha turistike, i trashëgimisë së madhe kulturore. Çdo ditë e më shumë, ato do të bëhen disponibël për qytetarët shqiptarë dhe qytetarët nga mbarë bota. Këtë vit Delvina, Shqipëria është e bukura e dheut, destinacioni kryesor turistik i planetit. Delvina ka një potencial të jashtëzakonshëm bujqësor dhe këtu është thirrja ime për fermerët e Delvinës, për qytetarët e saj, të mos harroni se ky vend shumë shpejt, shumë më shpejt sesa mendohet, do të renditet në grupin e vendeve të zhvilluara. Revolucioni industrial është i pandalshëm. Eksportet shqiptare u rritën me 62 përqind vitin e kaluar. Shumë shpejt, ne do të jemi në moshën dixhitale, madje më lart se kombe të tjera. Ne ia dolëm të shndërrohemi destinacioni turistik kryesor i planetit.

Pasuritë tona nëntrokësore do të jenë vlera për të gjithë qytetarët. Por ne duhet të vendosim me guxim, me dashuri të madhe për Delvinën, për çdo metër katror të këtij vendi të bekuar, të shumëfishojmë sipërfaqet e mbjella me ullinj, agrume, fruta e vreshta, ta shndërrojmë Delvinën, ta shndërrojmë Shqipërinë në kopshtin më madhështor, më të bukur në Europë, ta bëjmë Delvinën e Shqipërinë të famshme jo vetëm për turizmin dhe zhvillimin e saj, por edhe për kopshtet e saj më të bukura e më mahnitëse. Ndaj kërkesën e kryetarit tuaj të bashkisë, për të bërë disponibël kullotat, do ta bëjmë realitet brenda disa javëve. Ju garantoj se qeveria do të financojë çdo rrënjë ulliri, agrumesh apo vreshti që ju do të mbillni në fermat tuaja”, është shprehur kryeministri.

Ndër projektet e rëndësishme në infrastrukturorë rrugore për këtë rreth, gjatë këtij mandati, Kryeministri veçoi ndërtimin e rrugës Delvinë-Muzinë dhe përfundimin e rrugës Delvinë-Kardhiq.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›