E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Për shqiptarët, rrugët kanë vlerë të veçantë si bashkues të kombit

27-09-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha përshëndeti sot, Kongresin e Rrugëve të Shqipërisë

Kryeministri Berisha përshëndeti sot, Kongresin e Rrugëve të Shqipërisë, një organizim për herë të parë i katër shoqatave që veprojnë në këtë sektor, Shoqata shqiptare e inxhinierëve konsulentë, Shoqata e ndërtuesve të Shqipërisë, Shoqata shqiptare e gjeoteknikëve dhe Shoqata e gjeodetëve të Shqipërisë, me mbështetjen e Ministrisë së Punëve Publike dhe Transporteve.
Rrugët, tha në fjalën e tij Kryeministri, janë jetike jo vetëm për zhvillimin,  luftën kundër varfërisë, valorizimin e aseteve, nxitjen e sipërmarrjes, por për shqiptarët, të cilët “kufizohen nga të gjitha anët me shqiptarët, ato marrin një vlerë të veçantë, bashkojnë kombin”.
Projekti i ndërmarrë nga qeveria, theksoi Kryeministri, është ambicioz dhe synon që me tre tunelet, Kalimashit, tunelin e Elbasanit dhe atë të Qafë Murrizit të shkurtohen në mënyrë dramatike distancat nga skajet e vendit me Tiranën. Për realizimin e këtij projekti, investimet në infrastrukturën rrugore kanë qenë të mëdha, madje edhe në kulmin e krizës botërore, në vitin 2008-2009, investuar në rrugë ishin10 përqind e Prodhimit të Brendshëm të vendit.
Pas kompletimit të rrjetit rrugor, tha Kryeministri, imperative është vendosja e një sistemi eficent të mirëmbajtjes së tyre, në bashkëveprim me partneritetin publik privat.

Fjala e Kryeministrit Berisha në Kongresin e Rrugëve të Shqipërisë.

“Ju përshëndes shumë përzemërsisht për punën e shkëlqyer që keni bërë,  përshëndes të gjithë inxhinierët, teknikët e punëtorët, që në këto vite shndërruan në realitet, bënë të vërtetë ëndrra që dekada e dekada ishin të ndryrë në sirtarë, projekte që prisnin zbatimin  tyre. Përshëndes punonjësit e Ministrisë së Punëve Publike, drejtuesit e saj, për të gjithë suksesin në këtë projekt, si projekti më i madh i vendit në këto 7 vitet e fundit.

Qeveria ka konsideruar dhe konsideron infrastrukturën rrugore si jetike dhe vendimtare për zhvillimin e Shqipërisë. Rruga e ndërtimi i saj ka të bëjë dhe është e lidhur pazgjidhshmërisht me dy nga të drejtat më themelore të njeriut. Së pari, me lirinë e lëvizjes. Pa rrugë, liria e lëvizjes është e “ndëshkuar”. Së dyti, me lirinë e tregut. Sigurisht, tregu lind nga gjenia krijuese e iniciativës së lirë, por energjia e tij lëviz në rrugë. Pa rrugë, ajo është e “ndëshkuar” të mos arrijë kurrë produktin e saj. Ndaj një shprehje e mençur thotë: Ne ndërtojmë rrugën, rruga na ndërton ne. Dhe kjo është një e vërtetë  madhe!

Për shqiptarët, rrugët janë jetike për bashkimin e tyre kombëtar. Albert Calmes, një profesor i Luksemburgut, i ngarkuar nga Lidhja e Kombeve në vitin 1922, për të bërë një raport për ekonominë shqiptare, shkruan se në këtë vend janë gjithsej të ndërtuara 530 kilometra rrugë, njëra prej të cilave nga Saranda në Kapshticë, e ndërtuar mesa duket, kryesisht nga Perandoria Osmane dhe dy tre segmente të tjera. Qytetarit nga Shkodra, thotë Calmes, për të blerë produktet e Vlorës i duhet të shkojë në Bari, sepse me rrugë tokësore nuk shkon dot në Vlorë. E njëjta gjë për të blerë prodhimet e mrekullueshme të lëkurës e produkte të tjera të Shkodrës, vlonjatët i marrin më lehtë në Bari, sesa mund t’i marrin në ndonjë treg brenda vendit të tyre. Në këtë kontekst, po të shohësh sistemin rrugor në raport me izolimin, ai është faktori ndofta më përcaktues se çdo gjë tjetër. Por, meqenëse padrejtësitë historike përcaktuan që ne, shqiptarët, të kufizohemi nga të katër anët, përveç detit, me shqiptarë, natyrisht, sistemi rrugor, i cili do të shërbente për të na bashkuar me fqinjët tanë, tani merr një rëndësi dy herë më të veçantë, sepse bashkon të gjitha trojet shqiptare, bashkon kombin shqiptar.

Sistemi rrugor e rrugët janë kusht vendimtar për zhvillimin dhe luftën kundër varfërisë, valorizimin e aseteve, nxitjen e sipërmarrjes. Asgjë nuk ka më të çmuar njeriu, se kohën. Dhe ne po bëjmë gjithçka t’u japim kohë shqiptarëve, sepse unë besoj se me gjeninë e tyre krijuese, të tjerat, ata i krijojnë vetë.

Projekti ynë është ambicioz. Ne synojmë që me tre tunelet, Kalimashit, tunelin e Elbasanit dhe atë të Qafë Murrizit të shkurtojmë në mënyrë dramatike distancat nga skajet e vendit me Tiranën. Ndërkohë që hapen potenciale të mëdha turistike, potenciale të mëdha minerare, potenciale të mëdha bujqësore për zhvillimin e zonave të vendit.

Pak vite më parë kisha dëgjuar një strategji absurde, e cila përcaktonte territore të tëra të vendit si zonat e asgjësë. Kjo është reaksionare! Kjo është antikombëtare! Ata që e njohin dhe e shëtisin vendin dhe inxhinierët e rrugës e bëjnë këtë, nuk konstatojnë kund një pëllëmbë tokë të pavlefshme të këtij vendi. Ato kanë qenë të tilla, si asgjë dhe iu nënshtruan një braktisjeje masive, normale kjo, pasi nuk jetohet pa rrugë, por, në të vërtetë, ndërtimi rrjetit rrugor i bën ato zona të bekuara, zona të pasura.

Ne kemi ecur në projektin e rrugëve me seriozitetin më të madh. Dua t’ju rikujtoj se në kulmin e kësaj krize botërore, ne kemi pasur edhe investimet më kulmore. Në vitin 2008-2009, 10 përqind e Prodhimit të Brendshëm të vendit është investuar në rrugë. Ju premtoj se do të vazhdojmë me të gjithë potencialin tonë, deri në kompletimin e këtij rrejti dhe më pas, ajo që përbën imperativ të madh është vendosja e një sistemi eficent të mirëmbajtjes së tyre, i cili, natyrisht, në çdo segment që do mund të vendoset, do të jetë partneritet publik privat dhe në raste të tjera do të jetë qeveria që do të bëjë gjithçka, me sipërmarrjet e saj, për mirëmbajtjen e tyre.

Edhe një herë ju falënderoj dhe ju garantoj se ne kemi vlerësimin më të madh për punën tuaj, vlerësimin më të madh për projektuesit shqiptarë e të huaj, për ndërtuesit, inxhinierët, teknikët, punëtorët, të cilët në këto vite kanë bërë të mundur që shqiptarët të kenë një infrastrukturë rrugore krejtësisht tjetër.”

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›