Panariti takon homologun grek, Avramopoulos: Vlerësohet progresi i bërë nga Shqipëria në kuadër të integrimit evropian

Në kuadër të punimeve të Sesionit të 67-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ministri i Punëve të Jashtme, zoti Edmond Panariti, u takua sot me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Greke, z. Dimitris Avramopoulos. Bashkëpunimi dypalësh, projekti TAP, bashkëpunimi rajonal, zhvillimet në rajon, si dhe ecuria pozitive e integrimit evropian të Shqipërisë, ishin temat kryesore që u diskutuan gjatë këtij takimi.
Ministri Panariti vlerësoi bashkëpunimin me Greqinë si një partner i rëndësishëm i Shqipërisë. Ai shprehu vullnetin për avancimin e agjendës dypalëshe, duke theksuar se vizita e tij e ardhshme, në Athinë, do të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe në trajtimin e të gjitha çështjeve me interes të ndërsjellë për të dyja vendet.
Ministri grek, Avramopulos, vlerësoi marrëdhëniet me Shqipërinë dhe interesin e qeverisë greke për avancimin e mëtejshëm të tyre. Duke vlerësuar progresin e bërë nga Shqipëria në kuadër të integrimit evropian ai siguroi vijimësinë e mbështetjes së Greqisë në këtë drejtim.