Berisha: Përshëndes ata që më uruan
TIRANË- Edhe pse nuk ka përfunduar ende procesi i numërimit të votave, dhe kur nuk ka asnjë qëndrim zyrtar nga ana e KQZ-së, Kryeministri Sali Berisha, vijon të dalë nëpër konferenca shtypi si fitues i zgjedhjeve.
Edhe dje, në daljen me të shkurtër për mediat, Berisha, pa asnjë agjendë të përcaktuar, doli për të shprehur mirënjohjen për të gjithë ata që e kishin uruar përmes sms-ve.
"Jam këtu për të shprehur mirënjohjen time më të thellë, urimet e mia më të përzemërta për dhjetëra e mijëra qytetarë shqiptarë, të të gjitha moshave, burra, gra, fëmijë, të rinj e të reja, të moshuar, nga të katër anët e Shqipërisë, nga Kosova e të gjitha trevat shqiptare, nga diaspora dhe emigracioni shqiptar në të gjitha vendet e Europës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja dhe vendet e tjera për mesazhet, që më kanë dërguar dhe urimet që kanë formuluar, nga data 29 qershor e deri më sot.
Pasi kam lexuar një për një dhe me shumë mirënjohje e respekt çdo mesazh, në pamundësi për t'iu përgjigjur me mesazh e sms gjithsecilit, edhe një herë u shpreh atyre falënderimin më të përzemërt dhe u uroj gëzime, suksese dhe mbarësi atyre dhe familjeve të tyre",- tha dje Berisha.