Berisha: “Po kërkojnë të gjejnë në të vdekur gjurmët e një minoriteti që nuk ka ekzistuar kurrë në Himarë”
Incidentet nga neonazistët - reagon kryeministri
Kreu i qeverisë dënon thirrjet antishqiptare në Himarë nga një grup i vogël ekstremistësh në një ceremoni përkujtimore mortore, pak ditë më parë. Kryeministri Berisha thotë se një ceremoni përkujtimore mortore me politizim ekstrem dëshmon dhe njëherë mjerimin e atyre që duan të gjejnë në të vdekur gjurmët e një minoriteti që nuk ka ekzistuar kurrë në Himarë. Sipas kryeministrit, Himara është djep i atdhetarizmit shqiptar dhe se çdo përpjekje për minoritet tjetër aty, është tragjikomike
Kryeministri Sali Berisha reagoi dje ndaj incidenteve të fundit të krijuara në Himarë nga një grup neonazistësh grekë të “Agimit të Artë”, gjatë përkujtimores së të riut Aristotel Guma. Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, kreu i qeverisë thotë se përpjekjet për të gjetur nëpërmjet nekropolitikës minoritet në Himarë janë donkishoteske dhe tragjikomike. Sipas tij, ajo ceremoni mortore e politizuar deri në nazizëm, vrau për së dyti të riun Guma. “Një ceremoni mortore e politizuar deri në nazizëm nga një grusht fare i vogël ekstremistësh, vrau këto ditë për së dyti të riun A. Guma. Përpjekjet për të gjetur nëpërmjet nekropolitikës minoritet në Himarë janë donkishoteske dhe tragjikomike”- shkruan Berisha. Shefi i ekzekutivit sjell në vëmëndje se Himara në shekuj ka qenë dhe mbetet djep i atdhetarizmit shqiptar me kontribute të mëdha në luftërat e vendit për liri, në letrat, artin dhe kulturën kombëtare. “Në këtë zonë, disa nga fshatrat dhe vetë Himara janë bilingual, por me ADN dhe nëngrupe gjaku identike me fshatrat e tjera që në mijëra vjet nuk kanë folur një fjalë në gjuhen greke apo tjetër përveçse shqipes së bukur. Një ceremoni përkujtimore mortore me politizim ekstrem dëshmon dhe njëherë mjerimin e atyre që duan të gjejnë në të vdekur gjurmët e një minoriteti që nuk ka ekzistuar kurrë në Himarë”- deklaroi më tej kryeministri Berisha.
Thirrjet antishqiptare në Himarë, reagon Policia e Vlorës: Në hetim disa grekë e shqiptarë/Thirrjet antishqiptare në Himarë nuk kanë rënë në vesh të shurdhër. Policia e Vlorës bëri të ditur dje se ka kryer të gjithë veprimet procedurale dhe materialet në ngarkim të disa shtetasve shqiptarë e grekë ia ka kaluar prokurorisë së Vlorës. Në një njoftim për shtyp, Policia e Vlorës thekson se në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes së para dy ditëve në Himarë, me rastin e 3-vjetorit së vdekjes se Aristotel Gumës, i mbetur i vrarë në një aksident automobilistik. “Në lidhje me ngjarjen e datës 11.08.2013 në qytetin e Himarës, ku gjatë përkujtimores (3-vjetori i vdekjes) të shtetasit Aristotel Guma, nga disa persona te pranishëm ne këtë përkujtimore, shtetas shqiptar dhe grek, janë bërë thirrje për urrejtje nacionale ju bëjmë me dije se :
Nga ana e strukturave te Drejtorisë Policisë Qarku Vlorë janë kryer të gjitha veprimet e para procedurale dhe materialet janë dërguar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësore Vlorë në ngarkim të disa shtetasve shqiptare dhe grek për veprën penale “Thirrje për urrejtje nacionale” parashikuar nga neni 266 e 25 i Kodit Penal. Drejtoria e Policisë Qarkut Vlore ne bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësore Vlore po punojnë për dokumentimin e plote te kësaj ngjarje”, thekson drejtoria e Policisë së Vlorës në njoftimin për shtyp.
Po kështu Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë theksoi se është e vendosur të luftojë kriminalitetin anë e kënd territorit të vet në të gjitha format e tij dhe fton të gjithë qytetarët e Vlorës të vazhdojnë të mbështesin policinë, për goditjen e kriminalitetit dhe pasjen e një mjedisi sa më të sigurt. “Për çdo lloj informacioni apo për probleme të ndryshme që mund të ketë çdo qytetar, Drejtori i Policisë së Qarkut Vlorë z. Artan CUKU vë në dispozicion edhe numrin e tij zyrtar të telefonit 069 41 11 021 ku mund të dërgoni vetëm mesazhe”. Më 11 Gusht, në 3-vjetorin e vdekjes së banorit të Himarës Aristotel Guma, përfaqësuesi i partisë së ekstremit të djathtë grek deklaroi: “Agimi i Artë nuk erdhi në Himarë për të mbajtur zi, por përulet para varrit të këtij trimi dhe betohet se do të vazhdojë luftën deri në ditën e çlirimit. Rroftë kombi!”.