Rama me axhendë private – përsërit çadrat e protestës përpara Bulevardit

Kryeministri në ardhje Edi Rama po nxit protestën e OJQ-ve sipas modelit të “Mjaftit” kundër bashkisë së Tiranës për çështjet e strehimit të romëve, për të sulmuar opozitën. 11 vjet në bashkinë e Tiranës, ai nuk bëri asgjë për romët, ndërsa këto ditë gushti po stimulon vatra proteste për kapital politik. Axhenda personale synon të delegojë fonde shtesë tek Erion Veliaj, i cili është paraparë të marrë nën patronazh komunitetin rom, si dispeçer i dhjetëra milionë eurove të BE-së
Nuk ka vetëm një stinë zjarresh në gusht. Parakryeministri Edi Rama ka ndezur një tjetër zjarr politik me ndihmën e medieve pranë tij për të hedhur tym ndaj çështjes së strehimit të romëve duke ia faturuar Bashkisë Tiranë. Marrja me furgona të ndoca romëve dhe thirrja e kamerave për të filmuar protestën përpara bashkisë dhe fushimit të tyre tek sheshi Skëndërbej ngjan me ngritjen e çadrave përpara kryeministrisë. Padyshim kronikat paramilitare të ca televizione afër Edi Ramës që aludojnë për përgjegjësitë të bashkisë Tiranë janë fund e krye hipokrite sot sepse dje dhe për 11 vite nuk thënë një fjalë për komunitetin rom dhe përgjegjësinë e ish-kryebashkiakut Edi Rama. Ky i fundit nuk del në skenë sepse do të përgjigjej për çka bëri ai në 11 vite në Bashkinë Tiranë për këtë komunitet, pra, asgjë. Edi Rama përdor ca persona OJQ-sh që organizojnë ca protesta demonstrative të llojit të “Mjaft-it” për të goditur kryetarin e Bashkisë Tiranë, Lulzim Basha, njëkohësisht kryetar i ri i Partisë Demokratike.
Me një llaf, parakryeministri Edi Rama ka nisur një fushatë goditjesh indirekte të opozitës pa filluar detyrën. Parullat e njerëzve të OJQ-fe të frymëzuar politikisht dhe të keqpërdorur mediatikisht kundër Bashkisë Tiranë dhe ndaj personit të Lulzim Bashës sinjalizojnë vesin demonizues të Edi Ramës. Padyshim, personat që lëshonin parulla të forta e denigruese përpara Bashkisë Tiranë nuk ishin të komunitetit rom, por eksponentë të majtë të infiltruar në OJQ-së e mirëpaguara që heshtën për 11 vjet kur kryebashkiak ishte Edi Rama. Mjafton të shikoje fytyrën e atyre që flisnin dhe të kuptoje që nuk ishin rom në pikë të hallit.
Sakaq Edi Rama po kërkon të testojë kryetarin e ri të PD në planin e reagimit politik me nxitjen e disa OJQ-ve për të protestuar përballë bashkisë Tiranë dhe institucionit të ministrisë së Mbrojtjes. Këto sulme publike në dukje naive për moszgjdhje të strehimit të romëve janë në sinkron me deklarata e eksponentëve të Partisë Socialiste për nevojën e një auditimi ndërkombëtar të financave, për nevojën e ngritjes së një Byroje hetuesie dhe për dublimin e Bankës së Shqipërisë me një bord të posaçëm. Dhe pa të voglin dyshim këto manovra të tokës së djegur i nevojiten Ramës për të përligjur shthurjen e shtetit dhe thurjen e një strukture surrogate.
Gjithashtu, parakryeministri Edi Rama shfaqet i nervozuar prej dorëzimit me protokoll dhe rregulla të pushtetit nga ana e kryeministrit Berisha dhe së djathtës. Parakryeministri Rama kërkon që të vijë në pushtet si “shpëtimtar i kombit”, si një rilindas, dhe po investohet të paraqesë një Shqipëri të destabilizuar në çdo segment të jetës publike. Pra, protestat demonstrative të këtyre ditëve kanë matrikullin politike që synon të ushqejë një imazh të përçudnuar të vendit dhe diskursit publik. Gjithashtu këto protesta ordinere janë shtojca të asaj çka deklarojnë deputetët socialistë dhe parakryeministri Rama për falimentin të Shtetit, të Prokurorisë, të Financave, të Arsimit, të Energjisë.
Sido që të jetë, një gjë është e sigurt: Edi Rama po kërkon të testojë opozitën e re derisa mund të shtyhet në ndryshimet e arkitekturës shtetërore. Ministria e Ramës që do të merret me komunitet rom është ajo që do të merret beniamini i tij, Erion Veliaj, paraministri i Mirëqenies sociale. Shkatërrimi i arkitekturës së ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe ngritja e ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë me emërimin ministër të Erion Velisë është konceptim i shtetit nga ana e Edi Ramë. Ai që del i fituar në këtë fushatë politiko-meditiake të së majtës është Erion Veliaj, ministri që do të ketë nën patronazh komunitetin rom dhe do jetë shpërndarës i dhjetëra milion eurove të BE-së.