E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Po realizojmë projektin Shqipëria e distancave të afërta, Tirana dhe Korça do afrohen me 50%

10-04-2011 / Gazeta 55

“Aleanca për Qytetarin”, çel fushatën për bashkinë e Korçës, kryeministri Berisha prezanton kandidatin Andrea Mano


Kryeministri Sali Berisha ka premtuar sot në Korçë se 4 vitet në vijim ky qytet do jetë në fokus të investimeve të qeverisë. Në prezantimin e kandidatit për kryetar bashkie, Andrea Mano, kreu i qeverisë tha se në 8 maj korçarët do votojnë alternativën e zhvillimit, alternativën e Korçës turistike. “4 vitet që vijnë, Korça do të njohë një nga transformimet e saj më të mëdha, Korça turistike, Korça universitare, Korça e mirëqënies. Ky është objektivi ynë në 4 vitet që vijnë”- tha Berisha para mijëra mbështetësve të Partisë Demokratike, në Korçë. Sipas tij, qeveria shqiptare në 4 vitet që vijnë, do të mbështesë çdo projekt që korçarët do të hartojnë së bashku me kryebashkiakun e ardhshëm, Andrea Mano, për Korçën evropiane. Duke pohuar se është krenar për arritjet, duke përmendur se në qarkun e Korçës janë ndërtuar 380 kilometra rrugë dhe se këto të fundit janë të shumta. “Por unë angazhohem këtu para jush se prioritet mbetet asfaltimi i çdo kilometri rrugë në Korçë. Do ta shndërrojmë atë në qendrat më tërheqëse turistike dhe një ndër tregjet më të zhvilluar, siç ka qenë në të vërtetë Korça e dikurshme. Korça dhe Tirana do të afrohen me 50% dhe më afër njëra-tjetrës, falë autostradës Tiranë-Elbasan dhe atë të Qafë-Plloçit. Në investimet e arsimit, janë ndërtuar rreth 62 shkolla dhe është fuqizuar kampusi i universitetit. Në 4 vitet e ardhshme, premtojmë se universiteti i Korçës do të jetë një ndër më të fuqishmit e vendit. Në Aleancën tonë për Qytetarin, ne kemi vendosur në qendër të përpjekjes sonë dhe alternativës sonë qytetarin, ndaj edhe kjo fushatë është betejë për rrugë më të mira për ju, për parqe më të mira, për shkolla më të mira për fëmijët tuaj”, premtoi ndër të tjera kreu demokrat në qytetin juglindor. Duke përfunduar se ka qenë vetë Brukseli që ka deklaruar se ekonomia shqiptare është e vetmja që ecën me shpejtësinë më të madhe, edhe në periudhën e krizës më të thellë, e kjo falë reformave të ndërmarra nga qeveria. “Eshtë ky vrap i qeverisë shqiptare q bëri të mundur për ne të asfaltojmë mijëra kilometra rrugë, e të ndërtojmë e rindërtojmë mbi 1200 shkolla, apo të realizojmë me dhjetëra kanalizime e ujësjellësa. Sikundër, edhe të dyfishojmë rrogat e mësuesve dhe të mjekëve e infermierëve vetëm në pak kohë”, përfundoi Berisha.


Andrea Mano: Niko Peleshi e la Korçën në periferi të zhvillimeve të vendit


Kandidati demokrat për Korçën, Andrea Mano, premton një administrim vizionar dhe modern  


“Me Korçën lidhet ngushtë jeta dhe familja ime, ndaj unë do të bëj të pamundurën për t’i dhënë dinjitet qytetit tim”. Kështu u shpreh kandidati demokrat për bashkinë e Korçës, Andrea Mano, gjatë ceremonisë së prezantimit të tij zyrtar para qytetarëve korçarë. Duke shtuar se pikë referencë për të ka qenë tradita që ka Korça në arsim, duke qenë model i vendit në këtë sektor. “Korça nuk është një qytet dosido, por është djep i arsimit dhe i kulturës, e megjithatë ai, po përjeton disa nga momentet më të vështira të tij, falë një administrimi të keq. Por ajo që unë premtoj, është një administrim vizionar, jo si tentativat e kryebashkiakut aktual, për të dëmtuar traditat e këtij qyteti. Korça jonë ka mbetur në periferi të zhvillimeve që po përjeton vendi, e kjo jo për faj të qeverisë, e cila ka investuar vazhdimisht. Por për faj të kryebashkiakut aktual. Prandaj unë premtoj një drejtim që t’i shpëtojë dinjitetin qytetit tonë”, tha Mano. Sipas tij, mungesa e investimeve nga pushteti lokal dhe largimi i korçarëve nga Korça bën thirrje për ndryshim. “Unë kandidoj sepse kryebashkiaku aktual, nuk punon për qytetin e tij dhe dua ta ndryshoj këtë gjendje. Qytetit tonë i duhet një kryebashkiak, për të cilin, qytetarët janë të parët”, përfundoi Mano.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›