Zgjedhjet, Arben Imami prezanton në Hotolisht kandidatin e mazhorancës për kryetar komune, Fadil Alliu

Ministri Imami: Kooalicioni i djathtë, një kooalicion i ngritur mbi bazën e shërbimit dhe të shërbesave
Partia Agrare Ambjentaliste hap zyrtarisht fushatën për zgjedhjet lokale të 2011
Ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami ishte sot në komunën Hotolisht, ku prezantoi kandidatin demokrat për kryetar komune, z. Fadil Alliu.
Duke falënderuar të pranishmit për mikpritjen që i bën në këtë komunë, si dhe duke e cilësuar mbështetjen e votuesve të kësaj zone një fitore për të gjithë vendin ministri Imami u shpreh: “Është kënaqësi që sot jemi të gjithë bashkë këtu, për të filluar një fushatë fitimtare për kandidatin e Partisë Demokratike, për kooalicionin fitimtar të Aleancës për Qytetarin në komunën Hotolishtë. Aleanca për Qytetarin është kooalicioni më i madh që është organizuar në historinë politike shqiptare të këtyre 20 viteve. Është një kooalicion i cili i fiton dhe do të vazhdoj ti fitoj këto zgjedhje, për shkak se, të gjitha partitë e rëndësishme me këtë lokomotivë që kemi, Partinë Demokratike, me kryeministrin Berisha, përbëjnë shumicën dërrmuese të elektoratit shqiptar. Ne do të fitojmë këto zgjedhje sepse ne e kemi ngritur këtë koalicion mbi bazën e vlerave të shërbimit dhe të shërbesës, mbi bazën e idesë se ne duhet t’i shërbejmë qytetarit, jo mbi bazën e idesë se qytetari duhet të na shërbej ne”- u shpreh Imami.
Duke folur për kundërshtarin politik të saj, ministri Imami u shpreh se fushata që po bën kreu i Partisë Socialiste në Tiranë është një fushatë që lidhet direckt me interesat e tij vetijake dhe jo me interesat e popullit. “Çfarë propozon sot Partia Socialiste? Propozon të shpëtoj kreun e saj, Edi Rama. Fushata e Edi Ramës në Tiranë është fushatë për Edin, nuk është fushatë për qytetarët, fushata e Partisë Socialiste është për Partinë Socialiste, por fushata e Fadilit nuk është fushatë për Fadilin por është fushatë për ju, është një komunë nesër për ju. Kjo është vlera jonë, vlera e këtij kooalicioni i cili prej 7 vjetësh po e qeveris Shqipërinë, duke arritur rezultate të jashtëzakonshme. Ato që deri dje mendoheshin si ëndrra, sot janë realitete. Ajo që ishte e pa menduar dikur sot është bërë realitet. Rruga Durrës – Kukës sot mund të bëhet për dy orë, ndërsa e njëjta gjë po ndodh edhe me rrugën Tiranë Elbasan. Investimet e qeverisë Berisha po bëjnë të mundur afrimin e distancës që lidh këto dy qytete çka do të bëj të mundur afrimin e Elbasanit me Tiranën në një hark kohor tepër të shkurtër. Kjo rrugë do ta sjell Hotolishtin 45 minuta larg sheshit qëndror të kryeqytetit. Inagurimi i fillimit të punimeve do të bëhet përpara zgjedhjeve, tuneli do të mbaroj brenda 18 muajve dhe ky nuk është më një premtim por një realitet. Partia Demokratike është fituese në zgjedhjet e tjera, është fituese edhe në komunën e Hotolishtit”, deklaroi ministri Imami, gjatë prezantimit të kandidatit Fadil Alliu në Hotolisht.
“Unë gjej rastin sot publikisht të falënderoj kryetarin aktual të komunës suaj, z. Hajdar Nogun, mikun tim, për punën jashtëzakonisht të mirë që ka bërë në këtë komunë. Këto fitore, këto suksese, këto përparime të komunës padyshim do t’i çojmë përpara. Partia Demokratike padyshim i është mirënjohëse për kontributet e tij”- deklaroi Imami.
Duke e konsideruar kandidatin Alliu si përfaqësuesin më të mirë të Partisë Demokratike në këtë zonë, ministri Imami, premtoi mbështetje të plotë nga ana e tij për kandidatin Alliu, duke kërkuar njëkohësisht mbështetjen e qytetarëve më 8 maj. “Jemi në një fushatë të rëndësishme ku çdo vote e juaja është e vlefshme. Ju propozojmë një kandidat të pjekur, një njeri të suksesshëm, një njeri serioz, që ka ditur të punoj këtu por ka ditur të punoj edhe në Tiranë. Një njeri i cili ka mbështetjen e plotë të PD-së, në Hotolisht, në Librazhd, në Elbasan dhe në Tiranë. Unë do t’i jap mbështetjen maksimale z. Alliu dhe kësaj komune për të dalë fitimtare, për të qenë një komunë e suksesshme në katër vitet e ardhshme”, përfundoi Imami.
Në fjalën e tij kandidati demikrat që synon kreun e kësaj komune, z. Alliu, duke paraqitur platformën e tij në këto zgjedhje, u shpreh se “në këto vite të qeverisjes së saj, Partia Demokratike ka investuar për mirëqënien e banorëve të saj”. “Me kandidimin tim dhe fitoren tonë të përbashkët, ju siguroj se ju jeni të parët”- tha kandidati demokrat, Alliu.
Duke folur për projektet afat shkurtra dhe afat mesme kandidati për kryetar komune Fadil Alliu deklaroi se “si prioritet të punës sime, dyfishim të investimeve në komunë, vendosjen e konstruksionit metalik të urës në fshatin Çerçan, asfaltim në afatin më të shkurtër për rrugën e Xhyrës, asfaltimi i rrugës Hotolisht-Qendër-Frarë, ndërtimi i ujësjellësit kryesor në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Mbrojtjes dhe deputetin e kësaj zone brenda vitit 2012, rikonstruksionin e shkollave 9-vjeçare, projekte të cilat kanë mbetur pa përfunduar si dhe rikonstruksionin e qendrës shëndetësore Hotolisht, me vlerë 12 milion lekë”. “Detyrë parësore transparencë të plotë për taksapaguesit e kësaj komune, ku qytetarët do të jenë vendimarrës në miratimin e të gjithsa projekteve që do të ketë kjo administratë”- tha ai.
Në përfundim të këtij takimi përshëndeti edhe Prefekti i Qarkut Elbasan, z. Shefqet Deliallisi, si dhe kryetari aktual i komunës Hotolisht z. Hajdar Noku të cilët i bën ftesë banorëve të kësaj komune për të vazhduar të gjithë së bashku rrugën që kanë nisur, për një Shqipëri demokratike, duke mbështetur kandidatin Fadil Alliu.
Partia Agrare Ambjentaliste hap zyrtarisht fushatën për zgjedhjet lokale të 2011
Elbasani një qytet tërësisht në shërbim të qytetarëve
Partia Agrare Ambientaliste ka zgjedhur qytetin e Elbasanit për të hapur zyrtarisht fushatën e saj elektorale, për zgjedhjet lokale të 8 majit. Në këtë takim merrnin pjesë kryetari i kësaj force politike Lufter Xhuveli, koordinatori i fushatës për qarkun e Elbasanit, ministri i Mbrojtjes z. Arben Imami, kandidati për bashkinë e qarkut Elbasan, z. Durim Hushi e mbështetës të koalicionit Aleanca për Qytetarin.
Drejtuesi i fushatës elektorale në qarkun e Elbasanit, Ministri i Mbrojtes z. Arben Imami, në fjalën e tij përshëndetëse deklaroi se qyteti i Elbasanit, pas zgjedhjeve të 8 majit, do të kthehet në një qytet model dhe modern, do të kthehet tërësisht në shërbim të qytetarëve.
“Është kënaqësi që sot jemi së bashku këtu, për të filluar një fushatë fitimtare për kooalicionin fitimtar të Aleancës për Qytetarin në qytetin e Elbasanit. Aleanca për Qytetarin është kooalicioni që ofron sot mundësinë më të mirë për ju dhe fëmijët tuaj, për të ardhmen e Elbasanit dhe të të gjithë Shqipërisë. Ne do të fitojmë këto zgjedhje sepse ne e kemi ngritur këtë kooalicion mbi bazën e vlerave të shërbimit dhe të shërbesës, mbi bazën e idesë se ne duhet t’i shërbejmë qytetarit. Elbasani do ti kthehet qytetarëve dhe kjo do të ndodhë nëpërmjet votës për Durim Hushin”- nënvizoi ministri Imami.
Ndërsa kryetari i PAA Xhuveli, u shpreh se në zgjedhjet e kaluara Partia Agrare Ambientaliste arriti të ketë 300 këshilltarë në shkallë vendi dhe se në këto zgjedhje synon të marrë edhe më shumë. Votuesit, -tha Xhuveli, -duhet të votojnë programin e PAA, pasi kjo forcë politike ka prioritet zhvillimin e fshatit dhe përmirësimin e gjendjes së mjedisit në shkallë vendi.
Gjatë këtij takimi ku ka marrë pjesë kryetari i kësaj partie, Lufter Xhuveli, ka premtuar se anëtarë e simpatizantë të kësaj partie, do të mbështesin kandidatin për kryetar bashkie të zgjedhur nga koalicioni “Aleanca e Qytetarit”, z. Durim Hushi, pasi ai është sot alternativa më e mirë që ofron mazhoranca për qytetin e Elbasanit.
Gjatë fjalës së tij, kandidati Hushi ka deklaruar se “Qeveria shqiptare ka vendosur që qytetin e Elbasanit ta rendisë të dytin mbas Tiranës”, duke vlerësuar kështu të gjitha arritjet e bëra deri më tani nga Qeveria Shqiptare.
Ndër të tjera Hushi ka shprehur bindjen e plotë se në këto zgjedhje fitorja do të jetë e sigurtë pasi sipas tij “shumë shpejt Elbasani do të kthehet në një qytet universitar, duke hapur kështu perspektiva të mëdha për punësim dhe zhvillim, pasi tashmë është miratuar fondi për ndërtimin e kampusit universitar në zonën e Krastës, zonë e cila aktualisht është zonë informale”, tha kandidati për bashkinë e qarkut të Elbasanit Hushi.
Ndër të tjera ai shtoi se “stafi i ri i bashkisë së Elbasanit mbas zgjedhjeve të 8 majit, si edhe kryetari i ri i kësaj bashkie, do të bëjë përpjekjet maksimale për një qytet të pastër, pa ndotje, me ambjente shlodhëse për moshën e tretë, me shumë gjelbërim, si edhe më shumë punësim për të rinjtë që sapo dalin nga bankat e universiteteve”.
“Bashkia rezulton me një borxh prej 2 miliard lekësh që i ka biznesit, ndërsa ka braktisur këto katër vjet të gjitha zonat informale. Elbasani ende nuk ka një plan rregullimi, janë ndërtuar një numër i madh pallatesh shumë katëshe të cilat po i marrin frymën qytetarëve, ndërkohë që rreth tyre mungon gjelbërimi, lulishtet dhe këndet e lojrave për fëmijët. Një tjetër premtim i parealizuar i kryetarit aktual, njëkohësisht kandidatit për kryetar Bashkie, Qazim Sejdini, katër vite më parë ishte pika e grumbullimit të plehrave, ende Elbasani nuk e ka një të tillë. Gjithashtu, lumi Shkumbin është kthyer në një lum të vdekur”, tha Hushi, duke premtuar se në katër vitet që do të vijnë, Elbasanit do të kthehet në një qytet turistik, në një qytet universitar spitalor, një qytet tërësisht në shërbim të qytetarëve.