E Diel, 1 Nëntor 2026

Ferdinand Xhaferaj: Durrësi s’meriton të jetë arenë betoni dhe klientele korrupsioni

10-04-2011 / Gazeta 55

Kandidati për kryetar Bashkie në Durrës i “Aleancës për Qytetarin”, takime me banorë të lagjes nr.15 dhe 11 të qytetit bregdetar


Kandidati për kryetar Bashkie në qytetin e Durrësit i “Aleancës për Qytetarin”, Ferdinand Xhaferaj, zhvilloi sot takime me banorë të lagjes nr. 15 në Spitallë dhe lagjes nr. 11 pranë Muzeut të Dëshmorëve. Në Spitallë, në zonën e njohur ndryshe si “Tri Çezmat”, Xhaferaj u njoh më nga afër me problemet që shqetësonin qytetarët e kësaj periferie dhe premtoi se zgjidhja e tyre do të ishte një nga prioritetet e programit të tij. Sipas tij, furnizimi me ujë të pijshëm dhe ndërhyrja në sistemin e kanalizimeve, ishin dy nga problemet kryesore të zonës së Spitallës, të cilat do të kishin vëmendjen e munguar në katër vitet e qeverisjes vendore nga socialistët. “Të na vijë turp që kemi pasur për kryetar bashkie në qytetin tonë një njeri, i cili të vetmen gjë që ka bërë në këta katër vjet ka qenë betonizimi i çdo hapësire të gjelbër dhe shtimin e buxhetit personal nga 3 milionë dollarë që kishte në vitin 2007, në 12 milionë dollarë në vitin 2010”, është shprehur Xhaferaj. Ndërkaq, ai theksoi se e vetmja arsye për të cilën ka hequr dorë nga detyra e rëndësishme si ministër dhe ka qenë fakti se ishte i bindur që ky qytet meriton të bëhet më shumë për të, ndaj edhe ai do të ishte i gatshëm që ta kthente Bashkinë e Durrësit, në shtëpinë e qytetarit, në funksion të qytetarit. Xhaferaj tha se detyra e tij e vërtetë, nëse do të përzgjidhej në krye të Bashkisë së Durrësit, do fillonte pas zgjedhjeve të 8 majit, ku prioritet, veç sistemimit të ujësjellës-kanalizimeve për këtë zone, do të merrnin edhe përmirësimi i infrastrukturës rrugore, hapja e vendeve të reja të punës me ngritjen e Kampusit Universitar, përkrahja sociale për familjet në nevojë, krijimi i hapësirave të gjelbra dhe çlodhëse për banorët si edhe pastrimi i zonës nga mbetjet urbane, i cili njëkohësisht është një nga problemet më madhore të Spitallës. Nga ana e tyre, banorët e duke i treguar kandidatit Xhaferaj shqetësimet e tyre, u shprehen të revoltuar ndaj indiferencës së drejtuesve aktuale të Bashkisë së Durrësit dhe e cilësuan kryetarin aktual, Vangjush Dakon si te papërgjegjshëm. Dako, sipas banoreve, të vetmen gjë që ka bërë në katër vjet, ka qene shitja e rrugëve të kësaj zone. “Indiferenca e Vangjush Dakos arrin deri aty sa nuk të pret në zyrë për të të dëgjuar një hall edhe pse kam katër vjet që trokas në derën e tij. Përveç kësaj nuk të thotë as “mirëmëngjes”, apo “mirëmbrëma”, kur e përshëndet në rrugë”, - u shpreh një nga banoret e pranishëm në takimin me kandidatin Xhaferaj. Më pas, Xhaferaj ka vijuar takimet e tij me banorët e lagjes nr. 11 të qytetit të Durrësit, ku veç përshëndetjeve të përzemërta, qytetarët e kësaj lagjeje i kanë shprehur kandidatit të “Aleancës për Qytetarin” për kreun e Bashkinë e Durrësit, mbështetjen e tyre maksimale në zgjedhjet e 8 majit.


Durrësi, pranë kolapsit urbanistik, gjatë 4 viteve bashkia s’ndërtoi as edhe një parking


Qyteti i cili gjatë sezonit veror mbipopullohet nga njerëzit, po shkon drejt një kolapsi urban. Durrësi po vuan një zhvillim kaotik infrastrukturor, ku parkimet në qytet, janë kthyer në elementin më shqetësues, ndoshta dhe një nga tmerret e përditshëm për të gjithë qytetarët. Fare mirë, në rrugët e qytetit bregdetar mund të shohësh dy ose tre parkime në një korsi, ose parkim të dyfishtë duke e vështirësuar akoma më shumë qarkullimin. Së fundmi, një tjetër problem tjetër i është shtuar këtij qyteti, trotuaret e këmbësorëve janë kthyer në vendparkime për mjetet. Drejtues të automjeteve nuk hezitojnë t’i parkojnë ato në vende ku thuhet qartë se është i ndaluar parkimi apo edhe mbi trotuar. Plot 4 vjet më parë, bashkia e Durrësit lançoi me shumë bujë ndërtimin e parkingjeve të nëndheshme, me kapacitet 1 mijë vende, i cili do të ndërtohej në sheshin përpara stacionit të trenit. Edhe këtë herë, premtimi mbeti vetëm në fjalë, pasi sot është e vështire që të gjendet qoftë edhe një vend i vetëm parkimi.


Bregdeti i ndotur i Durrësit, në rrezik sezoni turistik

Në plazhin e Durrësit, ende nuk ka nisur puna për pastrimin e vijës bregdetare nga mbetjet urbane, por edhe leshterikët e dimrit të cilët kanë mbuluar sipërfaqe të mëdha të ranishtes. Panorama jo e zakontë për stinën në të cilën ndodhemi, shtrihet përgjatë gjithë vijës bregdetare nga Ura e Dajlanit e deri në sektorin Iliria, duke të ofruar ndotje masive.
Sinjalin për të menduar për sezonin e ri turistik 2011, e kanë dhënë frekuentuesit e parë, të cilët me ngrohjen e motit, kanë zgjuar ndjesinë e nisjes së frekuentimit të bregdetit, shëtitjeve, aktiviteteve të ndryshme dhe pse jo edhe futjes në det, duke i dhënë një tjetër gjallëri. Përballë një mjedisi të pushtuar nga mbeturinat, pushues jo vetëm vendas, por të ardhur edhe nga trevat shqipfolëse si Kosova, apelojnë për më shumë pastërti.
Durrësi është zona më e rëndësishme e vendit për turizmin masiv dhe atë elitar, ndaj ndotja e lartë e zonës urbane dhe plazhit, vë në rrezik sezonin turistik, ndaj pushteti vendor duhet ta fokusojë një pjesë të mirë të veprimtarisë së tij gjatë kësaj periudhe në funksion të ndryshimit të kësaj gjendje.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›