Berisha: Pro-amerikanizmi i shqiptarëve i ka ndjenjat tek historia e tyre e lirisë
Kryeministri përuron në Fushë Krujë statujën e presidentit George W. Bush, duke kujtuar se shqiptarët e pritën Presidentin Bush, si Presidenti i një vendi me të cilin ata janë të lidhur shumë dhe që zgjodhi Tiranën të shpallte vendimin amerikan për pavarësinë e Kosovës
Kryeministri i vendit Sali Berisha ka nderuar një prej ngjarjeve më të rëndësishme për shqiptarët vizitën e Presidentit të 43-të të SHBA-ve dhe vizitës së parë në historinë e këtij vendi të Presidentit të vendit të madh të lirisë, George W. Bush, katër vjet më parë në 10 qershor 2007-ës. Kryeministri Berisha mori pjesë dje paradite ne ceremoninë e vendosjes së statujës së ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës George W. Bush në sheshin e qytetit të Fushë Krujës. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Tiranë, drejtues të pushtetit vendorë, deputetë të zonës, autorët e kësaj skulpture, etj.
Berisha theksoi se turneu i presidentit Bush në Europë kulmoi me vizitën e tij në Fushë Krujë.
“Fushë-Kruja, shënoi kulmin e një turneu evropian të presidentit Bush, shënoi kulmin e vizitës së presidentit Bush në Evropë. Në 10 qershor, presidenti erdhi në Shqipëri pas një vizite që ai kishte bërë me aleatët e vjetër të SHBA-ve. Turneu i tij kulmoi me vizitën në Shqipëri. Në këtë vend ai u prit me ndjenjat më miqësore. 21 të shtënat përshëndetëse për nder të tij, urdhri më i lartë i vendit akorduar në nderim të tij, dreka zyrtare dhe rruga e kryeqytetit të gjitha këto së bashku u tejkaluan nga ndjenjat më miqësore”, theksoi në fjalën e tij kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë shtoi se me vizitën e tij, Bush nderoi Shqipërinë me dy mesazhe të rëndësishme ku njëra prej tyre sipas tij ishte që Shqipëria të ishte anëtare e NATO-s dhe Kosova e pavarur.
Në Ceremoninë e statujës së presidentit Bush në Fushë Krujë morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë të pushtetit lokal në Fushë Krujës. Kryeministri Berisha shprehu nderimin dhe mirënjohjen më të madhe për Presidentin George W. Bush, për qeverinë e SHBA-ve, për Presidentin Obama, për të gjithë mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme, si dhe shprehu garancinë e plotë se shqiptarët, me ato ndjenja dashurie e respekti që dëshmuan në këtë vizitë, do të bëjnë gjithçka për të konsoliduar në Shqipëri lirinë, shtetin e të drejtës, ekonominë e tregut dhe për të përmbushur detyrimet si vend anëtarë i Aleancës së Veriut.
Më tej kryeministri Berisha theksoi gjithashtu se Shqiptarët, duhet të jenë krenarë për pro-amerikanizmin e tyre, pasi ai i ka rrënjët në historinë e lirisë së tyre, në rolin shpëtimtar të SHBA-ve në moment më kërcënuese për lirinë dhe ekzistencën e kombit, si dhe në përpjekjet e shqiptarëve për të ndërtuar të ardhmen e munguar, për të ndërtuar të ardhmen e merituar si komb dhe vend i lirisë. Ju përfaqësuat me dinjitetin më të madh çdo shqiptar në të katër anët e Shqipërisë, por edhe çdo shqiptar kudo në botë. Presidenti Bush erdhi në këtë vend në një ditë të madhe të historisë sonë kombëtare, erdhi në ditën e unitetit tonë kombëtar, ditën e Lidhjes së Prizrenit, nënvizoi kreu i qeverisë, Berisha.
“Pro-amerikanizmi i shqiptarëve është një pro-amerikanizëm me të cilin ata duhet të jenë krenar sot e në të gjitha brezat. Proamerikanizmi i shqiptarëve i ka rrënjët, themelet, në historinë e lirisë së tyre, në rolin shpëtimtar të SHBA-ve në momentet më kërcënuese për lirinë dhe ekzistencën e kombit. Pro-amerikanizmi i shqiptarëve i ka rrënjët në përpjekjet e shqiptarëve për të ndërtuar të ardhmen e munguar, për të ndërtuar të ardhmen e merituar si komb dhe vend i lirisë”, deklaroi më tej kryeministri Berisha.
Në përfundim të kësaj ceremonie kryeministri Berisha shprehu nderimin më të madh për Presidentin George W. Bush, për qeverinë e SHBA, për Presidentin Obama, mirënjohjen më të thellë për të gjithë mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme dhe garancinë e plotë se ne, me ato ndjenja dashurie e respekti që dëshmuam në këtë shesh e kudo, do të bëjmë gjithçka për të konsoliduar në Shqipëri lirinë, shtetin e të drejtës, ekonominë e tregut. “Do të bëjmë çdo gjë të përmbushim detyrimet tona si vend anëtarë i Aleancës së Veriut, do të bëjmë gjithçka që të zgjerojmë çdo ditë e më shumë liritë e qytetarëve shqiptarë”, theksoi në përfundim të fjalës së tij kryeministri Berisha.