Kuvendi miraton me 73 vota “pro” ndryshimet në buxhet

“Censusi”, Kuvendi miraton projektligjin. Pollo: Detyrim i Shqipërisë në kuadër të MSA-së. Reagon PDIU, Idrizi: Regjistrimi të jetë transparent dhe Kushtetues, jo regjistrim me vetëdeklarim
Ndryshimet në buxhet kanë marrë sot 73 vota “pro” në Kuvend. Ashtu sikurse pritej, projektligji, kaloi sot në Parlament vetëm me votat e mazhorancës, pasi opozita nuk ishte në sallë për shkak të bojkotit të nisur pas zgjedhjeve lokale të 8 majit. Duke mbrojtur shkurtimet në buxhet para komisionit të Ekonomisë dhe Financave, ministri Ridvan Bode deklaroi se shkurtimet në buxhet parashikohen 18.3 miliardë lekë, ndërsa të ardhurat do të jenë 14 miliardë lekë më pak se parashikimi në fillim të vitit. “Shkurtimet e parashikuara në këtë p/buxhet suplementar nuk do të prekin prioritetet, që do të thotë investimet publike, por shpenzimet operative në të gjitha institucionet”- deklaroi kreu i financave publike. Sipas Bodes, ekonomia shqiptare i bëri ballë krizës ekonomike globale, por gjithsesi ndjeu efektet e saj, duke patur një ngadalësim të rritjes ekonomike. Por, kreu i financave publike siguron se rritja ekonomike e vendit do të jetë pozitive dhe më e lartë se një vit më parë, duke thënë se ajo do të jetë 5%, ndërsa borxhi publik i vendit nuk do të pësojë rritje, por do të mbetet në të njëjtët parametra prej 59.7 % dhe se defiçiti buxhetor do të jetë 3.5 %. Pas diskutimit në parim buxheti do të rikthehet sërish në Komisonet Parlametare për diskutimin nen për nen.
Kuvendi i Shqipërisë nisi sot punimet me diskutime për rishkimin e buxhetit të vitit 2011. Në axhendë ishte parashikuar miratimi i projektligjit të buxhetit në parim, projektligji për regjistrimin e popullsisë, formula e privatizimit të INSIG, borxhi që i detyrohemi Serbisë, si dhe votimin e dy pr/rezolutave që lidhen me vlerësimin e veprimtarisë së institucionit të Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
“Censusi”, Kuvendi miraton projektligjin. Pollo: Detyrim i Shqipërisë në kuadër të MSA-së
Kuvendi miratoi sot me 71 vota “pro” dhe dy abstenime disa ndryshime në ligjin “Për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe banesave”, një proces ky i zyrtarizuar me emrin “census”. P/ligji, që parashikon amendim të ligjit të miratuar në vitin 2000, synon të zgjidhë nevojat imediate për një përmirësim të kuadrit ligjor në procesin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave, që do të nisë në muajin tetor. Ministri për Inovacionin, Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimin, Genc Pollo, duke mbrojtur nismën e qeverisë në Kuvend, tha se ndryshimet në këtë ligj janë një detyrim i qeverisë shqiptare në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Sipas tij, p/ligji ka të bëjë me adoptimin e legjislacionit europian në fushën e mbrojtjes të të dhënave personale, e cila parashikohet të ruhet me rregulla të përcaktuara. Një tjetër element i p/ligjit janë dhe masat ndëshkimore ndaj atyre që deklarojnë të dhëna të rreme në procesin e “censusit”. Gjatë seancës së sotme Kuvendi miratoi gjithashtu dhe disa p/ligje të tjera të rëndësishme, si ratifikimi i marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë për shlyerjen e borxhit të Republikës së Shqipërisë ndaj Republikës Serbe, si dhe disa ndryshime në ligjin “Për përcaktimin e formës dhe të formulës së privatizimit të INSIG SH.A”, si dhe miratimin në parim të disa ndryshimeve në ligjin “Për buxhetin e vitit 2011”. Seanca e sotme miratoi dhe dy p/rezoluta: ajo për vlerësimin e veprimtarisë së institucionit të Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave dhe të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Ndërkohë, edhe në seancën e sotme munguan deputetët e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, që vijojnë prej më se një muaji të bojkotojnë parlamentin, në shenjë kontestimi ndaj vendimeve të KQZ-së për zgjedhjet e 8 majit në bashkinë Tiranë.
Shpëtim Idrizi: Regjistrimi të jetë transparent dhe Kushtetues
Deputeti dhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi deklaroi sot në Kuvend se procesi i hartimit të projektligjit për regjistrimin e popullsisë duhet të kishte përfshirë dhe grupet e interesit. Gjatë seancës plenare Idrizi tha se “projektligji ka implikime politike”. “Ai është dhe duhet të jetë një hap dhe proces i rëndësishëm”- tha ai. Idrizi bëri të ditur se deputetët e PDIU-së kanë paraqitur edhe amendamentet që sipas tij, “janë një përpjekje për të bërë procesin transparent dhe të besueshëm”. “Ne shpresojmë dhe besojmë që rregullimet që do i bëhen projektligjit do e bëjnë atë më të besueshëm. PDIU vijon betejën politike nëse do të futen elementet objektiv apo subjektiv në formularin e radhës”- theksoi Idrizi. Duke e cilësuar me rëndësi regjistrimin e popullsisë, Idrizi vuri në dukje se, “për shprehinë e identitetit kombëtar duhet lexuar mirë Kushtetuta”. Sipas tij, ka njerëz që për interesa të caktuara kanë ndryshuar kombësi dhe kjo nuk duhet barazuar me shprehjen subjektive të etnitetit. Kreu i PDIU-së nënvizoi faktin për një proces të drejtë dhe transparent si dhe në përputhje me parimet universale dhe të mbrojë interesin tonë kombëtar.
Privatizimi i INSIG, Bode: Përmes një vendimi të posaçëm nga Qeveria
Pas 10 minutave pushim ka nisur sërish seanca plenare e Kuvendit ku një prej pikave të diskutimit ka qënë edhe privatizimi i kompanisë shtetërore INSIG. Ministri i Financave, Bode gjatë fjalës së tij ka deklaruar se në fillim të vitit 2009 u duk se privatizimi do të ishte i suksesshëm, ndërsa vlerësimi i kompanisë nga këshilltari për privatizimin u krye gjatë 2008. Sipas tij, zhvillimet në tregjet globale dhe dalja nga kriza nuk konfirmuan të njëjtat kushte dhe të njëjtin interes të kapitalit për të investuar në tregun financiar. Bode informoi gjithashtu se kompania e interesuar për blerjen e INSIG, ka njoftuar përmes një letre Ministrinë e Financave, për ofertat e paraqitura që ato janë në shuma të limituara me vlerësimin fillestar gjatë vitit 2008. “Këshilltari përmend ofertat më të ulta, pasi çmimi aktual është caktuar para krizës botërore, dhe nuk reflekton vlerën reale që ka sot kompania INSIG. Në këtë kuadër këshilltari ka rekomanduar heqjen e kufizimit të çmimit në kuadrin ligjor, ose azhornimin e një tjetër çmimi, për interesin e blerësve të mundshëm të kësaj kompanie në tregun tonë”- u shpreh ministri. Po ashtu, Bode nënvizoi faktin se qeveria propozon mundësimin që privatizimi i shoqërisë “INSIG”, të zhvillohet përmes një procedure të tenderit të hapur kombëtar, ku të lejohen edhe kompanitë vendasve. “Së dyti, formula e vlerësimit dhe privatizimit sipas rekomandimeve të këshilltarit të privatizimit rekomandohet, që neni 2 ka parashikuar heqjen si kusht ligjor të përcaktuar në nenin 4, duke krijuar mundësinë që vlerat e kompanisë së aksioneve 100% shtetërore të përcaktohet përmes një vlerësimi të ri të tregut që në përputhje me rregullat të miratohet nga Këshilli i Ministrave”- informoi ministri për të shtuar se do të jetë KM, që gjithë procesin e privatizimit do e miratojë përmes një vendimi të posaçëm të tij.
...