Arvizu: Nuk ka krizë politike, shqiptarët janë të përqendruar te perspektiva optimiste

Ambasadori i SHBA-ve përsëriti qëndrimin e Uashingtonit se zgjedhjet e 8 majit në Shqipëri kanë qenë më të mirat e mbajtura në Shqipëri, me gjithë problematikën zgjedhore që paraqitet në Tiranë, ndërkohë që kujtoi faktin se ndryshimi i kursit javën e fundit, e shpëtoi Edi Ramën nga një humbje elektorale shumë e thellë
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Aleksandër Arvizu në intervistën e tij televizive në Vizion +, ka komentuar zgjedhjet vendore të 8 majit në Shqipëri.
Kryediplomati amerikan në Tiranë, Arvizu, tha se Shqipëria realizoi një proces elektoral të lirë, të ndershëm si dhe konkurrues. Pjesëmarrja e madhe e qytetarëve në të dielën e 8 majit, sipas diplomatit amerikan është tregues i qartë i besimit dhe shpresës së shqiptarëve te vendi i tyre. “8 maji ishte vërtetë një vlerësim pozitiv për zgjedhjet e Shqipërisë. Këtë e ka shprehur edhe zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Tomas Kantrimen. Më 8 maj ka patur një pjesëmarrje të madhe të qytetarëve, saqë ishte krijuar ideja e zgjedhjeve kombëtare”- u shpreh Arvizu. Ai solli në vëmendje se në Shqipëri ishte përhapur ideja se zgjedhjet vidhen dhe manipulohen, por tha diplomati amerikan, këto skenare të tmerrshme nuk ndodhën asnjëherë. “Ato skenaret e tmerrshme të vjedhjes së votave, manipulimit dhe dhunës së procesit, atë ditë nuk kanë ekzistuar. Më duhet të them se edhe vetë fushata ka patur elementë pozitivë. Të dy forcat politike u treguan konstruktive. Në Tiranë fushata ka qenë e qetë dhe të dyja partitë politike i lanë vendin njëra-tjetrës. Nga 11 minibashkitë e kryeqytetit, PD nëse më parë ka kontrolluar vetëm 2, këtë herë mori 7 prej tyre dhe 4-ër të tjerat i fitoi Partia Socialiste”- tha Arvizu.
Sipas tij, Shqipëria nuk është në “krizë politike”, veçse aktualisht ka një “ngërç zgjedhor” në Tiranë. Kryediplomati amerikan theksoi se kjo “gjendje amullie” ka dëmtuar reformat e vendit anëtar të NATO-s dhe aspirantit kryesor për në Bashkimin Evropian. “Unë nuk do të përdorja termin krizë. Mendoj se situata është serioze. Për mua kriza përfaqëson një situatë ndryshme. Por ka dy gjëra: së pari, ndonëse nuk ndodhet në krizë, përsëri do të thoja se është një gjendje amullie. Shtegu i reformave të Shqipërisë ka mbetur në vend. Nëse i referohemi 2009-ës, Shqipëria sapo ishte bërë anëtare e NATO-s dhe po vazhdonte reformat për marrjen e statusit të vendit kandidat. Kanë mbetur në vend dhe kjo është e qartë. Kemi një situatë ngërçi zgjedhor në Tiranë dhe ky ngërç po vazhdon si dhe ky është një burim frustrimi i dukshëm. E rëndësishme për njerëzit është që ata të kenë një ndjenjë shprese sepse ata nuk kanë për të rënë dakord për status quo-n. Jam i shqetësuar për ata që janë në universitete, në gjimnaze dhe të sapodiplomuarit, të cilët kanë nevojë për një rreze shprese”- deklaroi më tej Arvizu.
Duke u rikthyer te procesi i votimit të 8 majit, Arvizu ri-solli në vëmendje edhe njëherë se “ato ishin zgjedhje të lira dhe të ndershme, të cilat u vlerësuan nga misionet e vëzhguesve si korrekte, transparente dhe konkurruese”. “Ka patur rreth 350 vëzhgues të misionit të ODIHR si dhe 70 vëzhgues të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Votimi përfundoi në 8 maj, sigurisht që pati një vonesë dhe numërimi nisi me vonesë në datat 9 dhe 10 maj. Në atë kohë njerëzit filluan të lodheshin sepse kishin ditë të tëra që punon. Disa më raportuan se procesi kishte probleme veçanërisht në njësinë nr.5 dhe unë shkova pikërisht aty. E ndjeva se duhet të shkoja në disa qendra numërimi. Në mbrëmjen e 9 majit shkova në njësinë nr.2 dhe njësinë nr.9. Por të mërkurën, më 11 maj kur vazhdonte procesi i numërimit në mënyrë tepër të ngadaltë fillova të shqetësohesha, pasi edhe njerëzit ishin mjaft të lodhur”- u shpreh Arvizu, duke kujtuar vizitat e tij në disa qendra numërimi të kryeqytetit.
Ambasadori amerikan komentoi edhe fushatë elektorale të kandidatit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, ku shtoi se fushata e tij kishte në qendër shqetësimet e përditshme të qytetarëve të Tiranës, ndërsa Edi Rama me tonin e tij konfliktual, e nisi shumë keq atë. “Z.Rama e kishte më të vështira fushatën elektorale pasi edhe ishte kandidat për herë të 4-ër të bashkisë, por po ashtu ishte edhe kryetar i PS-së. Dhe kjo e vështirësonte. Në PS mendohej se edhe z.Basha nuk do të ishte një kandidat aq i fortë, pasi për ta ishte në kujtesë 2007-a. Në PS e dinin se z.Basha do të ishte një kandidat i fortë, por jo të gjithë e pranonin këtë. Edi Rama shfrytëzoi shumë kohë anë e kënd vendit dhe më pak në Tiranë, ndërsa nga fundi i saj pati një ndryshim dhe mendoj se edhe toni i PS u bë më i përqendruar. Rezultati është i papërcaktuar, mendoj se do të kishte humbur më thellë po të mos kishte ndryshuar tonin e fushatës.
Në përfundim, Arvizu foli edhe për marrëdhëniet Shqipëri-SHBA, ku shtoi se të dy vendet gëzojnë raporte të shkëlqyera. “Shqipëria është një vend pro-amerikan”- tha Arvizu, duke shtuar se vendet pro-amerikane në Evropë janë vende si Shqipëria, Kosova dhe Polonia.