Rama, ky frikacak dhe qesharak

Nga tmerri se Kolegji Zgjedhor do shpallte që dje verdiktin përfundimtar të humbjes së Tiranës, Edi Rama përdhosi vetveten dhe u tall me zgjedhësit e me drejtësinë, duke tërhequr kërkesën për “anallim loje”. Tashmë të gjithë socialistët e kanë kuptuar se me këtë kryetar uzurpator, veç performancë frikacake dhe qesharake i pret, pa asnjë shpresë për ardhjen në pushtet, prandaj edhe versionet zyrtare të juristëve të PS-së ofrojnë buratinë që s’i kalojnë standardet minimale të profesionit
Ka ndodhur edhe dje, më fort e më qartë se shumë herë të tjera... Edi rama është konfirmuar si një kryetar frikacak dhe qesharak i opozitës shqiptare. I tmerruar nga mbyllja e “lojës” së ankimimeve procedurale dhe me sanksionimin e humbjes, Edvini shpiku dje të paimagjinueshmen për një politikan të vërtetë: urdhëroi kalecët e vet kadinj të përgënjështronin ato që ai pat thënë një ditë më përpara, duke tërhequr kërkesën për pavlefshmërinë e zgjedhjeve. Bashkë me këtë zbythje, u futën nëpër bagazhet e taksive edhe takëmet me dosje, filma e dëshmi dixhitale, të cilat del se kanë qenë një flluskë sapuni, sa kohë Rama i shumëzoi të gjitha me zero, sapo u tha se PD paraqiti kërkesën që gjyqi të bëhej me themel, veçanërisht për vlefshmërinë e zgjedhjeve. Zbythja tregoi qartë edhe frikën e tmerrshme të kreut të opozitës nga e vërteta, nga konfirmimi i faktit se ai kishte dështuar jo vetëm në rang kombëtar, me 140 mijë vota më pak sesa rivalët e tij, por edhe në kryeqytet, atje ku për 11 vjet ai kishte punuar për ndërtimin e rrjetit të klientelës që të paktën do t’i garantonte mbijetesën në krye të plevicës bashkiake. Por me tërheqjen e djeshme, me talljen flagrante me Kolegjin Zgjedhor, të gjithë socialistët kanë kuptuar se me ç’kryetar uzurpator kanë të bëjnë, i cili përveç frikës dhe performancës qesharake, s’ofron asnjë shpresë se do t’i sjellë një ditë në pushtet.
Kronika
Partia Socialiste pranon rezultatin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që shpall Lulzim Bashën fitues me 93 vota para Edi Ramës për Bashkinë e Tiranës
Ishte vetë Partia Socialiste që dje kërkoi nga Kolegji Zgjedhor pushimin e gjykimit të kërkesës më të cilën ajo mbante hapur në betejën e saj ligjore dy rrugë sulmi, kur krahas kundërshtimit të kësaj tabele rezultati, kërkonte dhe pavlefshmërinë e zgjedhjeve për kryetar Bashkie në Tiranë. Pasi Kolegji pushoi gjykimin, Partia Socialiste, nuk ndryshon dot më rezultatin me 93 vota para të Bashës, duke u orientuar vetëm drejt rrugës së vetme të mbetur, asaj të prishjes së zgjedhjeve, nëpërmjet anulimit dhe përsëritjes së tyre. Por socialistët kanë një shans vetëm nëse Kolegji Zgjedhor i Apelit në seancën e sotme i përgjigjet pozitivisht kërkesës tjetër të tyre, duke kthyer çështjen në KQZ, për të marrë në shqyrtim pavlefshmërinë e pretenduar nga socialistët. Në rast se kjo ndodh çështja ri-vjen në Kolegj për shkak të rrëzimit të mundshëm të saj në KQZ, duke u rikthyer disa ditë më vonë çështjen që këtë 6 korrik Kolegji Zgjedhor mund ta shqyrtonte në themel. Por mbetet dhe rruga tjetër më e shkurtër, ne rast se trupa gjykuese do të rrëzojë Partinë Socialiste, duke legjitimuar vendimin e KQZ që e cilësoi kërkesën e socialistëve për pavlefshmëri jashtë afateve. Në këtë rast presupozohet që gara për Tiranën prek finishin më 7 korrik, vetëm një ditë para se të mbusheshin plot dy muaj nga 8 maji i datës së zgjedhjeve. Gjithçka mori këtë rrjedhë pasi, socialistët kishin depozituar me disa ditë diferencë dy padi në Kolegj, duke kërkuar fillimisht pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Tiranë dhe më 2 korrik kthimin e çështjes për shqyrtim në KQZ. Demokratët në fillim të seancës për kërkesën e parë kërkuan bashkimin e dy çështjeve në një. Pas disa minutash konsultim jashtë sallës, socialistët vendosën të tërhiqeshin nga kërkesa për pavlefshmëri, një përpjekje për zvarritje të mëtejshme e garës u cilësua nga demokratët. Trupi gjykues që pushoi kërkesën e socialistëve për pavlefshmëri, kishte si relator Astrit Kalanë dhe anëtarë të tjerë të trupit gjykues Sashenka Jonuzin, Petraq Dhimitrin, Marie Qirjazin dhe Dhurata Haverin. Sot mbetet pothuajse i njëjti trup gjykues me përjashtim të faktit se tashmë relatore do të jetë Sashenka Jonuzi, ndërsa në vend të Petraq Dhimitrit shorti ka sjellë Meriban Mullain.
...