E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Pro tryezës së Topit po bindi Ramën të tërhiqet Rama: Po dialogut, jo tërheqjes nga hapja e kutive të votimit

Kryeministri Sali Berisha dhe kreu i opozitës, Edi Rama, dolën dje në një bashkëbisedim të gjatë me gazetarët, ku treguan se janë të gatshëm për të bashkëpunuar në zgjidhjen e krizës politike. Edhe pse të dy dhanë sinjale pozitive përsa i përket pjesëmarrjes në një tryezë të organizuar nga presidenti Bamir Topi, sërish ata konfirmuan se nuk tërhiqen nga qëndrimet


Kreshnik KUçAJ
Kryeministri Sali Berisha dhe kreu i opozitës, Edi Rama, dolën dje në një bashkëbisedim të gjatë me gazetarët, ku treguan se janë të gatshëm për të bashkëpunuar në zgjidhjen e krizës politike. Edhe pse të dy dhanë sinjale pozitive përsa i përket pjesëmarrjes në një tryezë të organizuar nga presidenti Bamir Topi, sërish ata konfirmuan se nuk tërhiqen nga qëndrimet që kanë mbajtur deri tani. Fillimisht, kryeministri Sali Berisha përshëndeti miratimin e rezolutës nga Asambleja Parlamentare e KE-së, duke e lexuar atë si një thirrje që i bëhej opozitës për t’u kthyer në Kuvend. Berisha tha se bashkë me forcën e tij politike e mbështet plotësisht rezolutën, ndërsa theksoi se ajo do të zbatohej. Megjithatë, Berisha saktësoi se zbatimi i rezolutës do të bëhej me përpikmëri, që siç tha ai, hetimi i zgjedhjeve të bëhej konform Kushtetutës dhe pa hapur kutitë e votimit. “Në rast se do të lihej shprehja siç ishte në projekt, komision për të hetuar zgjedhjet, njëra palë mund të thoshte se kjo i përfshin të gjitha. Por, në fakt, nuk mund t’i përfshijë, sepse ka një limit dhe këto limite i ka përcaktuar Kushtetuta dhe Gjykata Kushtetuese e vendit”, tha Berisha, duke iu referuar zbatimit që mazhoranca parashikon t’i bëjë rezolutës. Berisha tha se përsa i përket një takimi mes tij dhe Edi Ramës, është i gatshëm që të takohet menjëherë, duke pranuar si negociator çdo njeri që mund t’i ndryshojë mendjen kreut të opozitës. “Nuk është çështje e imja, por në qoftë se Presidenti i Republikës e gjykon se mund të bindë zotin Rama, për t’u përshtatur me rregullat themelore të shtetit ligjor, që janë respektimi i gjykatave, unë e mirëpres pa asnjë hezitim dhe jo vetëm të presidentit, por të cilitdo. Unë e kam dëgjuar presidentin, por edhe ju e keni dëgjuar të deklarojë në mënyrë të përsëritur sesi kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë nuk mund të konceptojë që të merret me vendimet e gjykatave. Unë nuk paragjykoj askënd”, tha Berisha. Po ashtu, kreu i qeverisë zbuloi edhe planin e mazhorancës përsa i përket komisionit hetimor që parashikohet t’i lihet në shumicë opozitës. Berisha tha se për këtë çështje do të zbatohet një taktikë e veçantë, ku anëtarët e mazhorancës do të mungojnë në mbledhje, për të mundësuar që opozita të hetojë dhe të votojë e vetme.
Qëndrimi i Ramës
Por në daljen e djeshme, kreu socialist, Edi Rama, dha një tjetër qëndrim nga ai që dha Berisha. Rama tha se deputetët socialistë do të futen në Kuvend në momentin që kreu i mazhorancës do të firmosë një marrëveshje politike, e cila saktëson se hetimi i zgjedhjeve do të jetë i pakushtëzuar, pra me hapjen e kutive të votimit. Rama tha se është i gatshëm të ulet në një tryezë të organizuar nga presidenti Bamir Topi, por shprehu vendosmërinë që gjatë bisedimeve të mos ketë asnjë tërheqje të tij nga kushti i hapjes së kutive të votimit. Rama tha se ndërprerja e bojkotit është vetëm në dorë të Berishës, ashtu siç është edhe dalja nga kriza politike dhe institucionale që ka përfshirë vendin. “Ne duam transparencë kushtetuese dhe ligjore, jo përmbysje të Kushtetutës dhe të ligjit. Ne nuk kemi qëllim të përmbysim vendim të gjykatës, sepse gjykata nuk ka marrë vendim që parlamenti nuk lejohet të hetojë çfarë ka në kutitë e votimit për efekt jo të rezultatit, por të nxjerrjes në dritën e diellit të gjithë problematikën e rëndë të zgjedhjeve, me dy objektiva: objektivi i parë, në rast se kjo problematikë vërtetohet nga hetimi të jetë e lidhur me ndërhyrjen subjektive, pra me futjen e duarve në proces, cilido që e ka bërë këtë, duhet të shkojë para drejtësisë; objektivi tjetër, bazuar mbi këtë problematikë dhe mbi analizën e rezultatit të hetimit, të mund të përmirësojmë më tutje kuadrin ligjor të zgjedhjeve”, tha Rama. Kreu socialist tha se është i gatshëm për dialog në tryezën e presidentit Bamir Topi dhe do të jetë i pranishëm personalisht, ndërsa i bëri apel Berishës që të bëjë të njëjtën gjë, pa u vonuar dhe pa bërë lojëra fjalësh. “Dua të theksoj, që Partia Socialiste nuk bën asnjë hap mbrapa dhe nuk fillon asnjë lloj dialogu me qeverinë në sallën e Kuvendit, pa një marrëveshje të negociuar për hetimin e zgjedhjeve dhe për rivendosjen e të gjitha garancive demokratike në këtë vend”, tha Rama, duke paralajmëruar vijimin e protestave, deri në realizimin e marrëveshjes. Kreu socialist hodhi poshtë gjithashtu çdo mundësi, që në negociata opozita të pranojë marrjen e drejtimit të ndonjë institucioni kushtetues në këmbim të tërheqjes së saj nga kushti i hapjes së kutive të votimit.
 
 
Rrëzimi i marrëveshjes së kufijve
 
Berisha dhe Rama komentojnë vendimin
Kreu i mazhorancës, Sali Berisha dhe ai i opozitës, Edi Rama, kanë reaguar dje ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që rrëzoi marrëveshjen mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke për caktimin e kufijve detarë. Kryeministri Sali Berisha tha se ky vendim i gjykatës, edhe pse mund të mos i pëlqejë, do të zbatohet. Berisha tha se vendimi i gjykatës nuk është zbardhur akoma, megjithatë do të ngrihet menjëherë një grup pune për të realizuar sërish marrëveshjen me shtetin fqinj. “Së pari, vendimi i gjykatës, të pëlqen apo jo, nuk diskutohet dhe do të pranohet. Së dyti, do të autorizohet menjëherë grupi për të nisur punën dhe Shqipëria dhe Greqia do të kenë marrëveshjen. Në bindjen time, ligji i detit është zbatuar me korrektesën më të madhe, por provohet për së dyti vërtetësia e asaj që gjykata ka vendosur. Pra, zbatimi i vendimit të gjykatës, e theksoj, të pëlqen apo jo, nuk diskutohet. Ai do të zbatohet”, tha Berisha. Ndërkohë, Rama tha se forca e tij politike bëri detyrimin ndaj vendit përmes animimit të saj në Gjykatën Kushtetuese. “Ne kemi bërë vetëm detyrën karshi interesave të vendit tonë. Votimi unanim i kësaj gjykate duhet t’i shërbejë Sali Berishës dhe gjithë qeverisë për një reflektim. Marrëveshja e ujërave me Greqinë është një marrëveshje që Shqipëria duhet ta ketë. Nisma jonë ishte dhe mbetet një detyrim shumë më i lartë sesa interesat e politikës, dhe si të tillë, ne e bëmë dhe do ta bënim në çdo rast”, tha Rama, duke komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. 
 
 
PD mbledh Këshillin Kombëtar në shkurt
Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje, se në dhjetëditëshin e parë të muajit të ardhshëm, Partia Demokratike do të mbledhë Këshillin e ri Kombëtar, i cili do të votojë për zgjedhjen e strukturave të larta drejtuese. Kreu i Partisë Demokratike tha se votimet ishin parashikuar të bëheshin në muajin janar, por u shtynë, për shkak të përmbytjes së papritur që ndodhi në Shkodër dhe në Lezhë. “Do të mblidhet brenda 10-ditëshit të parë të muajit shkurt. U shty pak dhe kjo si shkak kryesor pati situatën e përmbytjeve. Në një situatë të tillë nuk mund të shkëpusja eksponentë të rëndësishëm të partisë, të cilët ishin ditë e natë në krye të procesit të menaxhimit dhe t’u bëja mbledhje për zgjedhjet. Gjatë 10-ditëshit të parë të shkurtit do të kemi edhe mbledhjen e Këshillit Kombëtar për të zgjedhur kryesinë, sekretarët dhe udhëheqjen e PD-së”, tha Berisha.
 
 
 
Qeveritari
 
Meta: I mirëpritur dialogu te presidenti, PS të hyjë në Kuvend
 
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, tha dje, se ishte normale rezoluta e Këshillit të Europës për dialog, përfshi ndërmjetësimin presidencial. Sipas Ilir Metës, “rezoluta bën të qartë dhe apelon për kthimin sa më të shpejtë të PS në parlament”. Meta i bëri deklaratat për BBC-në. “Ashtu sikurse rezoluta është në favor të një hetimi të zgjedhjeve, por pa cënuar Kushtetutën e vendit që është një element tepër thelbësor në respektimin e parimeve kryesore të shtetit të së drejtës dhe absolutisht që çdo tryezë, çdo dialog është tepër pozitiv”, - tha ai, teksa shtoi se nuk shihte “asnjë pengesë”. “Nuk e kuptoj se çdo të thotë që dikush të mos shkojë në një tryezë, dikush t'i shmanget dialogut në një vend demokratik, por për dialogun duhet të jenë dy palë. Mazhoranca asnjëherë nuk do të mungojë, përkundrazi do të krijojë të gjitha hapësirat që edhe lidershipi i opozitës të shkontraktohet dhe të marrë pjesë në mënyrë normale dhe të natyrshme në këtë proces të dialogut politik dhe forcimit të institucioneve demokratike”, - tha Meta. Ai, ndonëse vërejti sakaq keqardhje të Athinës për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për kufirin detar shqiptaro-grek, nuk mendon kushtëzime për raportet e Shqipërisë me BE-në nga Greqia. Ai tha se i vinte keq për këtë “instrumentalizim të kësaj çështjeje për qëllime krejtësisht të ngushta politike”. Meta u takua në Londër me ministrin e Jashtëm Plotësues të Greqisë, Dhimitër Drucas, ndërsa merrnin pjesë në Konferencën për Afganistanin. “Nga gjithë studimi që unë i kam bërë kësaj çështjeje, nuk shikoj asnjë tendencë të tillë. Mendoj që zgjidhja e këtyre çështjeve, zgjidhja e çështjeve të kufijve në tërësi, për vendet që ende nuk i kanë zgjidhur ato dhe që synojnë të anëtarësohen në BE, është një avantazh më shumë për të ecur më të sigurt në këtë rrugë, por absolutisht që të gjithë ata që pretendojnë apo që nxisin thashetheme të tilla, do të thosha absolutisht që do të ngelin të zhgënjyer”, - tha Meta.
 
 
 
Shqipëri-BE-KE
 
Topi i brengosur, por i gatshëm për ndërmjetësim
 
Kryeshtetari Bamir Topi shprehu brengën dje, për shkak të gjendjes së krijuar në Shqipëri dhe për më tepër që debatet janë zhvendosur në Strasburg. Topi i bëri komentet në takimin me Manuel Montobio de Balanse, ambasadori i Spanjës që mban Presidencën e Radhës të BE-së deri më 30 qershor dhe me Luixhi Bruzën, përfaqësues i Delegacionit të Komisionit Europian. Kryeshtetari vërejti se kishte lexuar me vëmendje të madhe rezolutën e Këshillit të Europës dhe shtoi se gjendja e Shqipërisë e brengoste, ngaqë debatohej në Strasburg mbi funksionimin e institucioneve demokratike shqiptare. Presidenti kujtoi se me kujdes të madh e përcillte gjendjen pas zgjedhjeve të 28 qershorit, andaj shtoi se mirëpriste të gjitha përpjekjet serioze për të kontribuuar në rivendosjen e dialogut kuvendar. Ambasadori i Mbretërisë së Spanjës të kryeministrit Hoze Luiz Rodrigez Zapatero i parashtroi presidentit pikëpamjet e Brukselit, përkatësisht Bashkimit Europian mbi gjetjen e zgjidhjes së gjendjes së krizës në Shqipëri si dhe mbështetjen për qëndrimin e Këshillit të Europës. Bashkëbiseduesit dëgjuan qëndrimin e presidentit për të qenë i gatshëm në mbledhjen e një tryeze nëse palët do ta shprehin vullnetin. Presidenti është treguar i gatshëm për çdo nismë që është e nevojshme të ndërmerret bashkarisht me forcat politike për ta tejkaluar krizën. “Arritja e qëllimit të përbashkët, integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, kërkon nga të gjithë një angazhim serioz dhe funksionim të plotë të të gjitha institucioneve për të vazhduar reformat e rëndësishme dhe bashkëpunimin e ngushtë të Shqipërisë me institucionet ndërkombëtare dhe partnerët tanë”-ka thënë presidenti.
 
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›