Arsimtarët, muajin që vjen shkurtohen mbi 1000 vende pune
Për periudhën 1 shkurt deri në 30 qershor, numri i arsimtarëve me kontratë të përkohshme do të reduktohet në 704 punonjës
Marsel LELA
TIRANë – Numri i mësimdhënësve që punojnë me kontratë të përkohshme në institucionet arsimore parauniversitare, do të ulet nga muaji shkurt deri në qershor të këtij viti.
Kështu, duke iu referuar numrit të mësimdhënësve që aktualisht punojnë me kontratë të përkohshme, do të shkurtohen 1 mijë e 307 punonjës që punojnë me një kontratë të tillë në sistemin arsimor parauniversitar.
Gjatë muajve shkurt-qershor të këtij viti, ky numër do të reduktohet në 704 punonjës mësimorë me kontratë të përkohshme. Vendimi u mor dje gjatë mbledhjes së radhës të Këshillit të Ministrave, pas propozimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, për reduktimin e numrit të këtyre punonjësve.
Përkatësisht, Këshilli i Ministrave vendosi gjatë mbledhjes së djeshme, që numri i punonjësve mësimorë me kontratë të përkohshme, për sistemin arsimor parauniversitar të vitit shkollor 2009-2010 për muajin janar të jetë 2 mijë e 11 veta. Ndërsa për periudhën 1 shkurt deri 30 qershor, numri i punonjësve arsimorë të sistemit parauniversitar të reduktohet në 704 punonjës.
Sipas vendimit të djeshëm të Këshillit të Ministrave, numri i punonjësve me kontratë të përkohshme, sipas Drejtorive Arsimore Rajonale dhe Zonave Arsimore, si dhe afati kohor i kontraktimit të punonjësve jepen sipas tabelës që do t’i bashkëngjitet vendimit të qeverisë.
Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi kapin shumën 290 milionë e 460 mijë e 465 lekë, shumë e cila do të mbulohet nga fondet e miratuara për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës në buxhetin e vitit 2010.
Vendimi i marrë dje nga Këshilli i Ministrave për reduktimin e numrit të punonjësve mësimorë me kontratë të përkohshme do të hyjë në fuqi menjëherë dhe do të botohet në Fletoren Zyrtare. Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministria e Financave.
Në lidhje me kualifikimin e personave që do të punojnë si mësimdhënës në sistemin arsimor parauniversitar, për këtë vit, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka përcaktuar që këta të fundit të kenë 5, 10 deri 20 vjet vite pune në arsim.
Për trajnimin dhe kualifikimin e mësuesve për vitin 2010, MASH-i pati urdhëruar vitin që shkoi të gjithë sektorët e kualifikim-trajnimit në DAR-të dhe sektorët e ZA-të, mbështetur në përvojat pozitive të punës së kopshteve-pilot, për marrjen e të gjitha masave për programimin dhe realizimin e veprimtarive kualifikuese.
Në këto veprimtari u përfshinë: programimi i integruar i veprimtarisë mësimore-edukative në bazë të temave mujore, javore dhe ditore; përfshirja aktive e fëmijëve në veprimtarinë mësimore-edukative, duke e individualizuar këtë proces, sipas nevojave dhe interesave të fëmijës; sigurimi i bazës materiale didaktike të nevojshme, duke aktivizuar përdorimin e materialeve të riciklueshme dhe përfshirja aktive e prindërve në procesin mësimor-edukativ.
Vendimi, tekste të reja për fëmijët e emigrantëve
TIRANë – Fëmijët shqiptarë që jetojnë jashtë shtetit do të mësojnë këtë vit me tekste të reja, të përgatitura nga profesorë shqiptarë. Këto tekste do të kenë në përmbajtjen e tyre mësime mbi gjuhën dhe historinë e vendit tonë.
Hartimi i teksteve të reja për fëmijët e emigrantëve shqiptarë do të fillojë gjatë muajit shkurt.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, tregoi se në shkurt do të nisin procedurat për hartimin e një teksti, i cili do t’u jepet të gjithë nxënësve të moshës mbi 9 vjeç.
“Do të shpallim për konkurrim hartimin e një teksti, i cili mund të bëhet për fëmijët pas moshës 9 vjeç. Fëmijët e emigrantëve duhet të kenë tekstet që u ofrojnë atyre informacion dhe dije mbi Shqipërinë dhe kombin shqiptar”, u shpreh ministri Myqerem Tafaj.
Në të ardhmen pritet të kemi një koordinim më të mirë mbi ambientet, por edhe mësuesit, të cilët aktualisht punojnë vullnetarisht ose paguhen nga shteti ku jetojnë emigrantët.
Shumë fëmijë shqiptarë, të cilët kanë lindur ose janë rritur jashtë vendit, nuk dinë të shkruajnë dhe të flasin në shqip.
Shoqatat e emigrantëve shqiptarë kanë kërkuar që të pajisen me mjete didaktike dhe të kenë lehtësira në gjetjen e ambienteve dhe në pagesën e mësuesve.
Nënë Tereza, memorial pranë korpusit të UT
TIRANë - Sot, në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve u mblodh grupi i punës për ngritjen e memorialit të Nënë Terezës, nën drejtimin e zëvendësministrit Nikollë Lesi, ku u diskutua për vendin ku do të ngrihet ky memorial, që përkon me 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, më 26 gusht. Pas diskutimeve të gjata për mbi dy orë, Komitetit Shtetëror për këtë çështje vendosi që memoriali të ngrihet në pjesën ngjitur me korpusin qendror të Universitetit të Tiranës, deri te rruga afër Gardës së Republikës, pra nga pjesa përballë Akademisë së Arteve, ku do të kërkohet prishja e lokaleve dhe bareve në këtë zonë. Natyrisht që grupi i punës do t'i propozojë Qeverisë për hartimin e një vendimi për kompensimin e tyre. Gjithashtu, grupi i punës do t'i paraqesë brenda javës edhe programin sesi do të kompozohet memoriali, që do të anojë më shumë drejt një universiteti popullor e qendër kulturore për rininë. Pas hartimit të programit nga specialistët e me miratimin e komitetit përkatës, do t'i kalojë Fondacionit Kulturor "Nënë Tereza", që ka marrë përsipër hartimin e projektit falas. Pjesë e mbledhjes ishte dhe debati që a duhet të miratohet vendosja e një busti të Nënë Terezës në pjesën para shatërvanit, në sheshin "Nënë Tereza", tek Universiteti i Tiranës, pasi busti i vendosur diku në një qoshe të shkallëve të universitetit nuk është dinjitoz. Pati debate të shumta në lidhje me këtë pikë të mbledhjes dhe u la për një ditë tjetër të vendoset, nëse do të miratohet vendosja e një shtatoreje tjetër më të madhe e të ndriçuar te shatërvani në sheshin në fjalë. Ndërsa propozimi për ta vendosur në vendin e bustit të ish-diktatorit Hoxha u rrëzua nga grupi i punës.
Ngërçi
Dështon antiduhani, dikasteret nuk u koordinuan
Mosfunksionimi i koordinimit të të gjithë aktorëve që po merren me zbatimin e ligjit solli mosrealizimin e tij
Marsel LELA
TIRANë – I nisur me një zell të madh, aksioni për zbatimin e ligjit antiduhan ka dështuar sërish. Edhe pse për zbatimin e këtij ligji u plotësuan procesverbale dhe u vendosën gjoba, për të cilat u tha se do të zbatoheshin me rreptësi në të gjithë lokalet dhe kafenetë e kryeqytetit, madje edhe në ato brenda institucioneve shtetërore konsumohet lirshëm duhan.
Ekspertë të Institutit të Shëndetit Publik thanë se ky aksion dështoi për mungesë koordinimi mes dikastereve.
“Mosfunksionimi i koordinimit të të gjithë aktorëve që po merren me zbatimin e ligjit solli në mosrealizimin e këtij të fundit. Ky ligj është plotësisht i zbatueshëm dhe i realizueshëm, por hallkat e kontrollit nuk kanë funksionuar në këtë drejtim”, u shpreh Roland Shuperka, koordinator për zbatimin e ligjit antiduhan.
Kur aksioni rinisi për të dytën herë para 4 muajsh, u tha se tashmë ligji do të zbatohej me rigorozitet, pasi ishte një ndër kërkesat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe nuk do të kishte asnjë tolerim për bizneset.
Së shpejti pritet të mblidhet komiteti ndërsektorial në Ministrinë e Shëndetësisë për të analizuar situatën dhe për të riparë edhe njëherë atë çfarë mund të përmirësohet ,për ta bërë ligjin antiduhan të zbatueshëm edhe në Shqipëri.
Duke parë komplikacionet që shkakton në organizmin e njeriut pirja e duhanit, si dhe tendencën në rritje të numrit të duhanpirësve, lind nevoja e gjetjes së një rruge për parandalimin e konsumit masiv.
Njëra prej metodave më efikase lidhur me këtë problem dhe që aplikohet prej kohësh në vendet e Bashkimit Europian, është rritja e taksës së cigareve. Specialistët rrëfejnë se efikasiteti i kësaj metode qëndron në faktin se numrin më të madh të konsumatorëve të duhanit e zënë të rinjtë dhe të varfrit, të cilët janë më të ndjeshëm ndaj rritjes së çmimit. Sipas tyre, njëra nga metodat që do të konsiderohen nga qeveria në fushën e taksimit të duhanit është parashikimi i rritjes së nivelit të akcizës.
Specialistët shpjegojnë se, përveç taksës 16 euro për kilogram që ishte deri një vit më parë, nuk është bërë rritje tjetër. Sipas tyre, rritja duhet të ishte sipas kësaj skeme: në vitin 2007-20 euro për kilogram, në vitin 2008-25 euro për kilogram dhe në vitin 2009-30 euro për kilogram.
“Implementimi i këtyre objektivave do të ndërthuret me përmirësimet në administrim dhe luftën ndaj evazionit fiskal”, shprehen specialistët e ISHP-së.
Sipas tyre, taksat e larta ndaj duhanit janë pozitive, pasi çojnë në lënien dhe uljen e duhanpirësve të rinj.
Për këtë duhet të bëhet një ristrukturim i normave të taksës së akcizës dhe të asaj doganore që duhet të aplikohet për produktet e duhanit. Direktivat aktuale të Bashkimit Europian lidhur me taksimin e duhanit dhe produkteve të tij janë: taksa dhe akciza minimale për produktet e duhanit duhet të jetë 64 euro për 1 mijë cigare, që është 57 për qind e përafërt me strukturën e taksës së akcizës.
Masat te çmimet dhe taksat përbëjnë një nga instrumentet kryesore më efektive për reduktimin e konsumit të duhanit. Disa studime tregojnë se rritja 10 për qind në çmim do të reduktojë konsumin e përgjithshëm 4 deri në 8 për qind.
Ndikimi më i madh do të jetë në moshat e reja, në vendet ose në grupet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Gjithashtu, rekomandohet një rritje e taksave të duhanit në nivel ndërkombëtar, duke u mbështetur në studimet e bëra nga Banka Botërore dhe Organizata Botërore e Shëndetit.
Efektet negative të duhanit
Pirja e duhanit në moshë të re, shkaku kryesor i kancerit të mushkërive
TIRANë - Duhanpirja vazhdon të jetë një problem gjithnjë e në rritje në vendin tonë. Sipas të dhënave më të fundit të Institutit të Shëndetit Publik, ky fenomen llogaritet në nivele më të larta në Shqipëri se në vendet e Bashkimit Europian. Mirëpo shqetësimi më i madh është numri gjithnjë e në rritje i të rinjve që konsumojnë duhan. Duke u bazuar në të dhënat në shifra të ISHP-së, duhanpirja në vendin tonë vlerësohet në masën 39 për qind kundrejt 28.6 për qind që është në vendet e Bashkimit Europian. Gjatë studimit është vënë re se duhanpirja është më e lartë te meshkujt, të cilët zënë përkatësisht 60 për qind, ndërsa femrat zënë 18 për qind. Sipas të dhënave të studimeve që ka kryer ISHP-ja me nxënësit e klasave të shtata dhe të teta të shkollave 9-vjeçare, si dhe me nxënës të shkollave të mesme, rezulton se rreth 16 për qind e nxënësve janë konsumatorë të duhanit, ndërsa 16.7 për qind e tyre që nuk kanë pirë kurrë duhan, kanë ndërmend ta nisin atë. Specialistët shpjegojnë se, fëmijët dhe adoleshentët që e konsumojnë duhanin mund të krijojnë shumë shpejt varësi ndaj tij, pasi nikotina është një substancë që krijon një tërheqje të lartë. Studimi i Institutit të Shëndetit Publik tregon se mbi 8 në 10 nxënës jetojnë në shtëpi ku ka duhanpirës, mbi 9 në 10 nxënës ekspozohen ndaj duhanpirjes në vendet publike dhe pothuajse gjysma e nxënësve kanë prindër duhanpirës.
Efektet që jep duhani tek të rinjtë
Pasojat shëndetësore të duhanpirjes tek të rinjtë janë afatshkurtra dhe afatgjata. Pasojat afatshkurtra përfshijnë efekte respiratore dhe jorespiratore, dhënia pas nikotinës dhe rreziqe që lidhen me kalimin në stade më të larta, siç është përdorimi i drogave të tjera. Ndërsa në lidhje me pasojat afatgjata, këto të fundit janë përforcuar nga fakti se konsumimi i duhanit mënyrë të rregullt nga të rinjtë, mund të bëjë që këta të fundit ta vazhdojnë konsumimin e duhanit edhe në moshë madhore. Të rinjtë që e pinë duhanin me paketë (domethënë ata që e pinë rregullisht) kanë një nivel të ulët të funksionimit të mushkërive, në krahasim me personat që nuk kanë pirë kurrë duhan. Duhanpirja redukton ritmin e rritjes së mushkërive, sëmundje të zemrës, apo atak kardiak. Gjithashtu, konsumimi i duhanit nga moshat e reja shton rrezikun e kancerit të mushkërive. Rreziku për shkaktimin e kësaj sëmundjeje shtohet në momentin kur personi vazhdon pirjen e duhanit. Specialistët tregojnë se adoleshentët që pinë duhan vuajnë nga shkurtimi i frymëmarrjes deri në tri herë më shumë se ata që nuk pinë duhan. Gjithashtu, duhanpirja ndikon edhe në sistemin nervor dhe gjendje emocionale të individit. Adoleshentët duhanpirës kanë prirje të vizitohen më shpesh te mjeku për një ankim emocional apo psikologjik. Këta të fundit janë të prirur për t’u bërë konsumatorë të alkoolit tri herë më shumë, tetë herë më shumë për përdorimin e marihuanës dhe 22 herë më shumë për përdorimin e kokainës.