Zgjidhja e krizës, si do të nisin negociatat
Delegacioni i KE-së do të kërkojë organizimin e tryezën politike. Mazhoranca dhe opozita përgatisin dosjet me kërkesat respektive
Miratimi i rezolutës për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri ka aktivizuar menjëherë mazhorancën dhe opozitën, të cilat kanë dhënë sinjalet e para pozitive për nisjen e dialogut. Parimisht, ditën e djeshme kryeministri Sali Berisha dhe kreu i opozitës,
Miratimi i rezolutës për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri ka aktivizuar menjëherë mazhorancën dhe opozitën, të cilat kanë dhënë sinjalet e para pozitive për nisjen e dialogut. Parimisht, ditën e djeshme kryeministri Sali Berisha dhe kreu i opozitës, Edi Rama, thanë se janë të gatshëm që të negociojnë, edhe pse deklaruan mostërheqjen e tyre nga qëndrimet e mbajtura deri tani. Të dy, si Berisha, ashtu edhe Rama dhanë “OK” paraprak për pjesëmarrjen e palëve në një tryezë të mundshme të organizuar nga presidenti Bamir Topi, sikurse thuhet edhe në rezolutën e Këshillit të Europës. Ndërkohë, duket se rruga për nisjen e dialogut, që synon zgjidhjen e krizës politike, do të nisë javën e ardhshme, kur në Tiranë do të mbërrijë një delegacion i lartë i Këshillit të Europës, përfshirë dy reporterët që hartuan rezolutën. Gjatë vizitës në Tiranë, delegacioni i KE-së do të zhvillojë takime me kryeministrin Sali Berisha, kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, kreun e opozitës, Edi Rama, si dhe me presidentin Bamir Topi. Në këto takime, drejtuesit e lartë të KE-së do të diskutojnë për organizimin e tryezës, si dhe do të njihen me qëndrimet e palëve politike në vend. Pas bisedimeve me mazhorancën dhe opozitën, delegacioni do të diskutojë me presidentin Bamir Topi, të cilit do t’i japë edhe mbështetje publike për nismën e organizimit të tryezës neutrale, që synon të mbledhë përreth kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e opozitës, Edi Rama. Pavarësisht kësaj nisme, burime në selitë diplomatike bëjnë të ditur se ekziston mundësia që takimi mes Berishës dhe Ramës të realizohet në Bruksel dhe jo në tryezën e presidentit Bamir Topi. Megjithatë, tryeza e presidentit Topi nuk do të mbetet bosh, për vetë faktin se dy kampet politike do të dërgojnë përfaqësuesit e tyre së bashku me dosjet e propozimeve që do të diskutohen. Përsa u përket negociatorëve, të dyja palët pritet të përzgjedhin si përfaqësues krerët e grupeve parlamentare.
Propozimet
Negociatat mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste i kanë të hapura të gjithë opsionet e rezultateve që do të prodhohen, për vetë faktin se të dyja palët nuk kanë shënuar lëshime përsa u përket kërkesave të tyre. Partia Socialiste pritet që të ngulmojë fort dhe pa lëshuar në kërkesën për hetimin e plotë parlamentar përmes hapjes së kutive. Po ashtu, mazhoranca nga ana e saj pritet që të ngulmojë edhe ajo fort në kërkesën për të mos hapur kutitë, me argumentin se kjo bie ndesh me Kushtetutën. Gjatë këtyre diskutimeve, pritet që Partia Socialiste të ofrojë si zgjidhje miratimin e një ligji të veçantë nga parlamenti, me afat të përkohshëm dhe vetëm për zgjedhjet e 28 qershorit, ku të përcaktohet qartë se rezultati i hetimit nuk do të ndryshojë as vendimet e Kolegjit Zgjedhor dhe as rezultatin e zgjedhjeve që është shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Në të kundërt, kur mazhoranca nuk do të pranojë as këtë propozim të Partisë Socialiste, atëherë kërkesa pasuese do të jetë vetëm ajo e zgjedhjeve të parakohshme, si alternativë që “kompenson” mungesën e transparencës zgjedhore të 28 qershorit.