Berisha: Problemi juaj është te gjykata
Hyrja e opozitës në Parlament pas gjashtë muajsh bojkoti u përgëzua nga mazhoranca në pushtet. Por, vetëm kaq. Pasditen e djeshme, krerët më të lartë të mazhorancës, Kryeministri Berisha, Kryetarja e Parlamentit Topalli dhe kryetari i grupit parlamentar të PD-së e konsideruan si një fitore të demokracisë, rikthimin e grupit parlamentar socialist në Parlament. Pavarësisht pritjes, nga ana e mazhorancës në seancën e djeshme nuk munguan batutat dhe as vendimi i palëkundur i shumicës për të mos pranuar asnjë kërkesë e cila lidhet me hapjen e kutive të votimit. Kryeministri Berisha, në fjalën e tij, përgjatë seancës plenare theksoi se duhet të ishin vetë deputetët e opozitës ata që duhet të kuptonin të parët se kutitë nuk mund të hapeshin, sepse kompetencat e Parlamentit dhe të ekzekutivit nuk e lejonin një gjë të tillë.
Në këtë kuadër ai i ftoi deputetët e PS-së, të bëheshin realistë dhe të kuptonin themelin e demokracisë, ndarjen e tre pushteteve. Berisha përmendi në fjalën e tij edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit legjislativi shqiptar nuk kishte të drejtën as të cenonte autonominë vendore dhe jo më pastaj të arrihej të diskutohej për cenimin e kompetencave të gjykatave. “Kështu që besoj se edhe kultura juaj juridike, parlamentare, sepse shumë prej jush kanë disa legjislatura në Kuvend, janë të mjaftueshme, ta perceptojmë njëlloj realitetin dhe jo në mënyra të ndryshme dhe pastaj të mbetemi me slogane që nuk shërbejnë”, bëri thirrje Kryeministri Berisha. Por, Kryeministri theksoi se ai i garantoi opozitës të gjitha të drejtat që i takonin në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, madje ishte i gatshëm t’i jepte asaj edhe të drejta shtesë. Madje, ai e ftoi opozitën të bënte edhe ndryshimin e sistemit zgjedhor në rast se ajo do e kërkonte diçka të tillë. “Sërish jam këtu për të garantuar opozitën se do të ketë dhe këtë të drejtë, do jetë përcaktuese në të gjithë kuadrin elektoral në rast se dëshiron edhe sistemin le ta ndërrojë, në rast se dëshiron le të përdorë teknologjitë më të larta, ndonëse me procesin e numërimit ne realizuam një gjë të parealizuar deri sot”, theksoi Berisha. Nga ana tjetër, Kryeministri përmendi në fjalën e tij edhe çështjen e mandateve të Qarkut të Fierit, pas “sfidës” që deputeti socialist, Gramoz Ruçi, i bëri për hapjen e kutive të Komunës Ruzhdie në këtë qark. “Ruzhdija është një qendër elektorale, në të cilën tre komisionerë të Partisë Socialiste u larguan që në mëngjes, morën vulën dhe ikën”, argumentoi Berisha. Sipas tij, rinumërimin në atë qendër e ka hedhur poshtë Gjykata e Apelit dhe për këtë arsye mazhoranca kishte hequr dorë nga kërkimi i të drejtës së saj për këtë zonë. “Nga Sali Berisha as keni pasur dhe as do të keni asnjë akuzë. Problemi juaj është te gjykata”, theksoi Kryeministri. Nga ana e tij, kryetari i grupit parlamentar, Astrit Patozi, deklaroi se mazhoranca dhe opozita ende kanë mundësinë për t’i bërë favore njëra-tjetrës, por sipas tij, Parlamenti nuk mund të jetë një vend ku hyhet dhe dilet për inat. “Pavarësisht se kundërshtarë politikë, ne jemi shqiptarë dhe kjo nuk e përjashton mundësinë për t’i kërkuar dhe bërë edhe favore njëri-tjetrit. Por e vetmja gjë, jashtë çdo logjike dhe diskutimi, është që të vijmë apo të ikim prej kësaj salle, për nder apo për inat të njëri-tjetrit”, theksoi Patozi. Po kështu, Patozi theksoi se është e rëndësishme që mazhoranca dhe opozita të vazhdojnë bashkëpunimin, ashtu siç është normale që mes tyre të ketë edhe debate. “Para nesh janë sfida të reja, janë reforma dhe ligje, me shumicë të thjeshtë apo të cilësuar, që presin jo vetëm bashkëpunimin, por edhe kritikën, jo vetëm dialogun, por edhe debatin e ashpër”, theksoi Patozi. Sipas tij, roli i opozitës është i pazëvendësueshëm për çdo shoqëri të lirë dhe demokratike dhe për këtë arsye ajo duhet të ishte pjesë e Parlamentit. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, theksoi se opozita është në të drejtën e saj për kontrolluar dhe për të kërkuar garanci në të sotmen dhe në të ardhmen, por në asnjë mënyrë ajo nuk mund t’i kërkojë mazhorancës një borxh të cilin ajo nuk ia ka marrë.
#