Klinton: SHBA, kundër çdo lëvizjeje për ndarjen e Bosnjë-Hercegovinë
Sekretarja e Shtetit, Hilari Klinton, u tha senatorëve dje se Shtetet e Bashkuara do të kundërshtojnë çdo lëvizje për ndarjen e Bosnjë-Hercegovinës dhe kërkojnë të shohin dyert e hapura për anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkimin Europian. Ka mendime mes serbëve të Bosnjës për shkëputje të pjesës etnike serbe nga shteti federativ. Korrespondenti i “Zërit të Amerikës”, David Gollust, njofton nga Departamenti i Shtetit.
Zonja Klinton tha se ndërsa çështja e Bosnjës dhe e të ardhmes së saj politike mund të jetë zbehur për nga rëndësia, ka ende punë të papërfunduar atje dhe çështje delikate që kërkojnë përgjigje.
Statusi i Bosnjës “u ngri” nga senatorët, ndërsa zonja Klinton kaloi pjesën më të madhe të ditës dje duke dëshmuar para dy komisioneve të Senatit, kryesisht për të mbrojtur buxhetin për marrëdhëniet me jashtë të administratës për vitin e ardhshëm.
Trupi ndërkombëtar që vëzhgon zbatimin e Marrëveshjes së Daytonit, që i dha fund konfliktit të viteve 1990 në Bosnjë, po takohet këtë javë në Sarajevë, mes tensioneve të vazhdueshme midis serbëve etnikë gjysmë autoktonë e myslimanëve, dhe pjesës etnike kroate të federatës.
Kryeministri i Republikës serbe të Bosnjës, Miloran Dodik, ka kërkuar një referendum për vazhdimin e rolit ndërkombëtar në qeverisjen e federatës dhe sistemin gjyqësor, që disa analistë shqetësohen se mund të jetë preludi i një referendumi për shkëputjen e serbëve.
Zonja Klinton i tha komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë se Shtetet e Bashkuara kërkojnë që Bosnjë-Hercegovina të qëndrojë e bashkuar dhe të shohë drejt Europës dhe se dyert për një anëtarësim të mundshëm drejt NATO-s mbeten të hapura.
"Nuk duam të shohim asnjë lëvizje që do ta ndante Bosnjën dhe jemi mjaft të shqetësuar për këtë. Pra ka një listë të gjatë shqetësimesh. Por hyrja në NATO, dhe unë po e shoh nga afër këtë çështje, pasi ndaj të njëjtin shqetësim me ju – duam që Bosnjë-Hercegovina të ndjehet e mirëpritur. Ata mund të jenë gati për anëtarësim. Por me pak më shumë përpjekje do të jetë e mundur".
Zonja Klinton iu përgjigj pyetjes nga senatorja demokrate, Jeanne Shaheen, e cila shprehu shqetësim se vendet anëtare të NATO-s dhe veçanërisht të Bashkimit Europian, mund të jenë të lodhura nga problemet e zgjerimit dhe po vonojnë t’i ofrojnë Bosnjës rrugën drejt anëtarësimit.
Sekretarja Klinton tha se Shtetet e Bashkuara po inkurajojnë BE-në të bëjë më shumë për t’i demonstruar Bosnjë-Hercegovinës të mirat e anëtarësimit dhe të punojë me qeverinë e Sarajevës për t’i treguar se çfarë duhet të bëjë për të qenë në gjendje të anëtarësohet.
Ajo tha se administrata “Obama” mbështet të njëjtën rrugë për Serbinë fqinje.
Më parë, në seancën dëgjimore në nënkomisionin e Senatit për kreditin buxhetor, senatori republikan, George Voinoviç, i tha zonjës Klinton se ishte tepër i shqetësuar pas një vizite në Ballkan javën e kaluar, pasi procesi i paqes në Bosnjë mund të dështojë nëse vendi nuk merr statusin e kandidatit për t’u anëtarësuar në NATO dhe atë të lehtësimit të vizave për në Bashkimin Europian.