Berisha: Proces dinjitoz për një opozitë të fuqishme që do bëhet shpejt shumicë
Më 22 korrik anëtarësia e PD-së do t’i drejtohet kutive të votimit për lidershipin e ri demokrat. Kryesia zyrtarizon kandidaturat. Lulzim Basha: Nga procesi zgjedhor do të dalim më të bashkuar se kurrë
Kryesia e Partisë Demokratike mori dje në shqyrtim kandidaturat për zgjedhjet që do të zhvillohen në parti për postin e kryetarit të ri të saj. Kjo mbledhje e drejtuar nga kryeministri Sali Berisha zyrtarizoi kandidaturën e Lulzim Bashës dhe Sokol Olldashit, ndërkohë që, pjesë e garës pritet të bëhen, nëse do të plotësojnë kriteret, edhe dy kandidatë nga dega e PD-së Tiranë dhe asaj Fier, ndërsa kërkesat e tjera nuk respektojnë statutin e PD. Berisha theksoi se parashikon një proces dinjitoz për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD, duke i bërë thirrje anëtarësisë demokrate që tashmë duhet të veprojnë dhe mendojnë si një opozitë e fuqishme që tenton të vijë në pushtet. “Është në detyrën tonë më parësore flakja me një anë e mantelit të një force politike në pushtet, pra të pushtetarëve, përveshja e llërëve për t’u shndërruar në opozitën më të fuqishme që vendi ka njohur ndonjëherë. Partia Demokratike ka potencialin më të madh se kurrë në historinë e saj për tu bërë pushteti moral i vendit për të ndërtuar, promovuar dhe ngritur me të vlerat dhe parimet të cilat ajo ndan me qytetarët shqiptarë dhe partitë simotra kudo në botë. Partia Demokratike duhet të bëhet e vetëdijshme në çdo qelizë të saj për domosdoshmërinë jetike të rolit të saj si opozitë e fuqishme që ecën e sigurt drejt fitores së radhës. Pikërisht në këtë kuadër evenimenti më madhor dhe i rëndësishëm është gara për lidershipin e ri” - u shpreh Berisha. Lideri demokrat insiston në zhvillimin e një garë të qytetëruar, transparente dhe të pa ndikuar nga presionet. Ai deklaroi se posti apo pozita partiake që gëzon dikush në anëtarësi nuk duhet përdorur në lobim të kandidatit që garon për lider të PD-së. “Ky Forum që ndodhet këtu, Këshilli Kombëtar që është edhe Forumi më i fuqishëm, Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike me një vendim të drejtë, mendoj unë, ka transferuar pushtetin tek ju, tek vota juaj. Kam gjykuar se është interesi më i mirë i secilit prej jush të dashur anëtare dhe anëtarë të Partisë Demokratike në tërësi, që në këtë proces asnjeri të mos mund të përdorë pushtetin partiak apo shtetëror për të ndikuar tek vota juaj. Natyrisht, jam i vetëdijshëm se me këtë qëndrim cenoj në një farë mënyre një të drejtë të atyre anëtarëve të Partisë Demokratike që janë sot me pushtet partiak, apo shtetëror administrativ. Por, kjo është vetëm aparencë sepse unë jam shprehur, cilido prej këtyre zotërinjve që kemi këtu në këtë tavolinë dhe prej çdo zyrtari të Partisë Demokratike që dëshiron të lobojë publikisht dhe jo publikisht për njërin apo për tjetrin kandidat të kësaj partie, është i lutur të ndjekë shembullin e Kryetarit, të japë dorëheqjen fisnikërisht, Kryetari do e ruajë neutralitetin, kurse ai të mos e ruajë, por të lobojë nga mëngjesi deri në darkë për kandidatin që do. Kjo mendoj unë, sado që krijon një lloj cenimi të lehtë, është në interesin më të mirë të procesit dhe anëtarëve dhe anëtareve të Partisë Demokratike. Unë kam besim të madh tek anëtarësia e Partisë Demokratike se do realizojmë procesin më të civilizuar që kjo parti ka njohur ndonjëherë. Kam besim të madh se do të zgjedhim një lidership tek i cili besojmë më shumë se do të arrijmë qëllimin tonë. Kam besim të madh në integritetin e anëtareve dhe anëtarëve, e zyrtarëve të Partisë Demokratike, drejtuesve të saj të të gjitha niveleve dhe njerëzve të pushtetit të saj se do të dimë jashtë çdo lloj interesi, të bashkohen me lidershipin e ri në interesin më të mirë, të Partisë Demokratike”- theksoi Berisha. Sipas kryeministrit ai që do të zgjidhet nga anëtarësia e PD, atij do t’i jepet drita jeshile të propozojë forumet, ekipin që ai mendon se i çon më shpejt në pushtet. “Më duhet gjithashtu t’ju njoftoj se ai që do të zgjidhet nga anëtarësia e partisë, dhe duhet të biem dakord miqtë e mi, atij do t’i japim dritën jeshile, t’i propozojë forumeve, ekipin që mendon se na çon më shpejt në pushtet. N.q.s do të ishte një Konventë e gjerë, secili kandidat do të paraqitej në stilin e partive tona me ekipin e tij të ngushtë, por kjo është Konventa më e gjerë. Të zgjedhim së pari liderin më pas të ecim në kompletimin e lidershipit në tërësi” - vijoi më tej Berisha. Lideri demokrat i bëri thirrje që gjatë këtij procesi të refuzohen me përçmim çdo ndërhyrje që mund të bëhet nga jashtë. “Është një orë e veçantë për ju, të refuzoni me përçmim çdo lloj ndërhyrjeje në ndërgjegjen tuaj, të çdolloj e cilitdo. Përpjekje të dështuara bëhen nga segmente të caktuara të atyre që kontrollojnë mediat nga botë me të cilën ne s’na lidh asgjë, nga të huaj sharlatanë të cilët harrojnë që kur tentojnë të ndërhyjnë në këtë mënyrë janë thjesht një qe në pleh dhe asgjë tjetër. Por, ndërgjegjja, integriteti juaj është më i lartë se çdo kush tjetër, ndaj dhe kërkoj nga anëtarësia e Partisë Demokratike, të refuzojmë me përçmim përpjekjen për të ndërhyrë, nga Sali Berisha nuk keni asnjë përpjekje, zero. Detyra ime dhe e juaja është ta nxjerrim procesin në bregun e fitores siç na takon”- deklaroi kreu i PD, Sali Berisha.
Kandidaturat për kreun e ri të PD
Lulzim Basha
Sokol Olldashi
Astrit Sinani
Sokol Prekë Paja