“Kjo garë do t’i japë PD-së një fillim të ri që nuk e ka pasur”
Prononcim i kryeministrit Berisha për mediat
Pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Demokratike kryeministri Berisha u shpreh për mediat se Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi janë kandidatë zyrtarë për kreun e ri të kësaj partisë, sepse i plotësojnë të gjitha kriteret, ndërsa votimi do të zhvillohet më 22 korrik.
Sipas tij ky është një proces dinjitoz dhe fituesi do të ndërtojë lidershipin e ri të Partisë Demokratike, ndërsa kjo garë do t’i japë PD-së një fillim të ri që nuk e ka pasur. “Një mbledhje e rëndësishme e Kryesisë së partisë në të cilën së pari u shqyrtuan kandidaturat. Rezultoi që kushtet për të qenë kandidatura zyrtare të Partisë Demokratike plotësojnë dy kandidatët, kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, ministri i Punëve Publike Sokol Olldashi. Kryesia paraqet para anëtarësisë këto kandidatura zyrtare të Partisë Demokratike, sepse kandidaturat mund të jenë zyrtare të kryesisë, por mund të jenë edhe individuale. Kryesia konstatoi se përveç këtyre dy kandidaturave kanë shprehur vullnetin për të kandiduar për kryetar të Partisë Demokratike dy anëtarë të saj Sokol Paja nga Tirana dhe Astrit Sinanaj. Kryesia mendoi që këta kanë të drejtë duke plotësuar rrugën që përcakton Statuti për ata që duan të dalin. Nëse ata i plotësojnë i garantoj që do vendosen në lista. Kryesia ka vendosur të krijohet një KQZ me shtatë anëtarë dhe dy ndihmesa, do të kenë të dy kandidatët nga një anëtar në KQZ. Është caktuar data 22 për votimin e përgjithshëm për Kryetarin e ri. Mendoj se kjo ishte një mbledhje shumë normale. Kemi edhe personalitete të çmuara, por që s’e kanë emrin në listë dhe që natyrisht Statuti i autorizon të vendosen të gjithë anëtarët e Këshillit Kombëtar. Kjo do të marrë një zgjidhje. Shoh një proces shumë dinjitoz për Partinë Demokratike”.
Z.Berisha, mendoni se gara do të ecë mirë sa ndonjëri nga kandidatët të tërheqë anëtarët e vetë nga KQZ-ja?
Detyra e anëtarësisë së Partisë Demokratike është të japë procesin më dinjitoz që ka dhënë ndonjëherë, pastaj besoj që të dy kandidatët janë plotësisht të përgatitur për të pranuar me qetësi verdiktin e anëtarësisë së partisë. Pas kësaj Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike si Parlament i saj, është ai që përzgjedh Kryesinë, Sekretarin e Përgjithshëm. Por, Kryetari i ri do të ketë një zë të fuqishëm në këtë çështje.
Do të ketë fushatë të gjatë për procesin?
Degët do të marrin porosi nga Kryetari në detyrë që të organizojnë takime dhe ata të paraqiten veças. Sot kemi një proces shumë të civilizuar që po ecën. Ju faleminderit për vëmendjen e madhe që ndiqni këtë garë e cila do të jetë një garë që do ti japë Partisë Demokratike, një fillim të ri të fuqishëm që s’e ka patur ndonjëherë më parë.
Lulzim Basha: Nga procesi zgjedhor do të dalim më të bashkuar se kurrë
Kandidati për kreun e PD, Lulzim Basha në një prononcim për mediat pas mbledhjes së kryesisë, u shpreh se procesi zgjedhor do t’i shërbejë unifikimit të PD. “Kryesia ka marrë vendimin sot për zyrtarizmin e kandidaturave. Natyrisht, dua të shpreh mirënjohjen time për këtë vendim si edhe bindjen time që nga ky proces do të dalim më të vendosur dhe më të bashkuar”- u shpreh z.Basha. Ai garantoi se do të njohë dhe pranojë rezultatin që do të dalë nga vota e anëtarësisë së Partisë Demokratike.
Sokol Olldashi: Anëtarësia do të gjykojë vetë
Për ministrin e Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi kandidat për kryetar të PD, gara për lidershipin e ri, do të jetë një garë shumë dinjitoze dhe pozitive. Ai tha se anëtarësia do të gjykojë vetë me votën e 22 korrikut. “Jam i bindur që do të zhvillojmë një garë dinjitoze, shumë pozitive dhe e cila do ti japë strukturave të Partisë Demokratike mundësinë që të gjykojë dhe të arrijë me një vendim me votën e vetë të datës 22 korrik”- u shpreh ai. Pranimi i rezultatit, për z.Olldashi është një çështje që as duhet të vihet në pikëpyetje.