Skifterët” e Edi Ramës, sulme të turpshme ndaj kolegut Arben Malaj

Lexova dje në median e shkruar, ku ndër të tjera me ra në sy dhe më shqetësoi sulmi i pashembullt kundër Arben Malajt.
E njoh mirë teknologjinë e këtij sulmi të konceptuar dhe përgatitur nga Rama duke thirrur grupe - grupe dhe individualisht të gjithë skifterët.
Një sulm që ka filluar në mënyrë të shëmtuar me stilin komunist një ditë më parë në një media në dispozicion të Ramës ku flasin dhe shajnë më vete anëtarët e klientelës së Ramës. Në një faqe elektronike të kësaj medie pasi botohet një shënim për Arben Malajn, në blogun e saj në mënyrë të organizuar persona të organizuar e nën drejtimin direkt të Ramës (njerëz të katit të katërt të PS) fillojnë shajnë zotin Malaj me një gjuhë banale ekstreme e të turpshme për një parti politike, të gjithë anonime duke të dhënë përshtypjen e një bande të revolucionit kulturor kinez.
Malaj sulmohet veçanërisht nga persona që sapo kanë ardhur në PS si pjesë e klientelës së Ramës dhe nuk kanë asnjë kontribut për reformimin e PS. Njerëz që janë pasuruar nën siglën e PS-së. Njerëz që i kanë marrë dhe kërkojnë t’i marrin PS dhe nuk i kanë dhënë asgjë PS-së. Turp që Rama e organizon sulmin me të tillë personazhe, ndaj personave si Malaj që ka dhënë kontribut mbi 15 vjeçar për reformimin e PS-së dhe qeverisjet e saj; është një investim që PS ka bërë te Malaj i cili ka vënë në dispozicion të Partisë Socialiste të gjithë kapacitet e tij.
Por, turpi më i madh që tregon jo vetëm një mentalitet të vjetër komunist, por edhe një sjellje të pashembullt është se z. Malaj i cili kërkon që PS të bëhet bashkautorë e integrimit, sulmohet se po punon për Berishën. Nëse ka person që ka kundërshtuar dhe është ballafaquar më shumë me Berishën, është Arben Malaj. Ky është stil për spastrimin e kundërshtarëve i tipit ‘makiavelist’. Ky sulm i shkon për shtat më shumë një bande sektare.
Ky sulm ndaj Malajt në këtë moment është demonstrim ndaj të gjithë atyre që mendojnë ndryshe dhe shprehin opinione ndryshe.
Çfarë disipline ka thyer Arben Malaj? Asnjë vendim nuk ka thyer.
Por i kërkohet të qëndrojë i heshtur në rresht, të presë “vdekjen” në shtrat nga Edi Rama, po ashtu siç i ndodhi Musa Ulqinit, Ylli Bufit, Edlira Haxhiymerit, Eva Allushit e tjerë.
Qëndrimi për t’i mbyllur gojën është mesazh për të gjithë ata që heshturazi nuk miratojnë të gjitha veprimet e gabuara të Ramës. Rama me këtë sjellje ju thotë të tjerëve, heshtni se “vdekja” e tipit Ulqini apo Bufi është më e ëmbël sesa goditja që po i bëj Malajt.
Përgëzoj mikun tim, Arben Malaj për vendosmërinë dhe guximin për të thënë mendimet e tij.
Gjykoj se qëndrimi i tij ndaj çështjes së integrimit është i saktë dhe i drejtë dhe në rezonancë të plotë me dëshirën e shqiptarëve dhe opinionit ndërkombëtar.
Çështja “Fieri”/Propozimi i PS s’është alternativë rrugëzgjidhje, por një veprim radikal i maskuar
Pasi mora dijeni për propozimin e PS lidhur me thirrjen e një tavoline të partive kuvendore që do të mund të çonte në zhbllokimin e procesit të marrjes së statusit të vendit kandidat në BE, në reagimin tim të parë, u përpoqa të isha sa më pozitiv në vlerësimet e mia për propozimin e Partisë Socialiste me qëllimin e mirë për ta nxitur bashkëveprimin midis forcave politike parlamentare, por natyrisht duke bërë disa korrigjime. Kjo për disa arsye:
a) duke e shkëputur çështjen e Fierit nga çështja e integrimit;
b) duke biseduar e debatuar vetëm për të mundësuar afrimin e pozicioneve për tri ligjet që duhen miratuar në kuvend;
c) duke lënë zgjidhjen e çështjes së Fierit në duart e Drejtësisë.
Por mesa duket është e nevojshme të jem më eksplicit:
1) Propozimi i Partisë Socialiste nuk duket premtues nëse është menduar të zgjidhet çështja e Fierit në bashkëbisedim midis forcave politike kuvendore sepse Fieri është një çështje e rëndësishme që duhet të zgjidhet në rrugë gjyqësore dhe jo si një kusht për integrimin;
2) Propozimi i PS nuk duket të jetë i diskutuar në asnjë nga forumet e PS-së sepse deri para pak minutash se të dilte njoftimi për propozimin, të gjithë personazhet e PS-së njëzëri (përveç deputetit Arben Malaj) thonin që nuk ka miratim të tri ligjeve, pra nuk ka integrim pa u zgjidhur çështja e Fierit. Një opsion i pa diskutuar dhe i pa debatuar realisht ka pak shanse të jetë serioz dhe jetëgjatë; por ky është një problem i brendshëm i Partisë Socialiste;
3) Propozimi i Partisë Socialiste nuk duket as i sinqerte, sepse shumë deputetë socialistë nuk e kanë kuptuar përse bllokohej miratimi i tri ligjeve, pra integrimi duke vendosur si kusht Fierin, por ende as nuk e kuptojnë nëse me këtë propozim të ri synohet të çbllokohet çështja e integrimit si dhe nëse në bashkëbisedimin kuvendor do të përfshihet ose jo Fieri. Pra, propozimi është i paqartë, i maskuar, me stil të vjetër si gjithnjë dhe nuk jep shumë shpresë për të gjetur një zgjidhje që e ndan çështjen e integrimit nga ajo e Fierit, pra që lejon të futesh në rrugën e zgjidhjes;
4) Propozimi i PS-së fatkeqësisht ka në themel çështjen e Fierit dhe jo integrimin dhe prandaj më shumë duket një blof, për të nisur një debat tjetër se cili ka më shumë përgjegjësi për bllokimin e integrimit sesa një projekt apo opsion për të votuar tri ligjet dhe dërguar mesazh pozitiv në Bruksel për marrjen e statusit.
5)Propozimi i PS-së nëse përmban çështjen e Fierit nuk është një propozim i ri, por ai është thjesht një përsëritje e diçkaje të vjetër të paraqitur me stil të vjetër, një film i shikuar shumë herë, pothuajse në të gjithë veprimet politike të opozitës pas vitit 2009.
6) Propozimi i PS me kërkesën për të përfshirë Fierin në tavolinën e bashkëbisedimit kuvendor më shumë i ngjan një veprim radikal të maskuar sesa një reflektimi të thellë për të hequr dorë nga kushtëzimi.
Megjithatë përsëris, kur sapo dëgjova propozimin u përpoqa të jem pozitiv në disa aspekte: Së pari të jem pozitiv dhe dashamirës me synimin për ta konsideruar këtë propozim si fillimin e një reflektimi nga PS, qofte edhe minimal apo elegant, por në drejtimin e duhur, pra dhënien e konsensusit për integrimin në BE, pa kushtëzimin me Fierin. Me shpresën që në tavolinën e bashkëbisedimit, PS do të hiqte dorë nga çështja e Fierit dhe do të bashkohej me guxim për miratimin e tri ligjeve. Së dyti, për të vlerësuar pozitivisht idenë e një bashkëveprimi kuvendor, që është gjithnjë me i mirë sesa mungesa e bashkëbisedimit apo monologët televizive ndonëse për të qenë i sinqertë ky propozim duket i pakuptimte sepse vjen në minutën e fundit, ndërkohë që nuk ka asnjë arsye të shëndoshë të kuptojë perse një propozim për bashkëbisedim nuk është bërë një muaj, dy muaj, apo disa më muaj më parë.
Së treti me dëshirën dhe sensin pozitiv që në këtë bashkëveprim do të vihej me dëshirën e mirë, qoftë edhe minimale apo edhe in-ekzistente paraprakisht, për të gjetur një zgjidhje për miratimin e tri ligjeve, duke hequr dore njëkohësisht nga kushtëzimi me Fierin.
Prandaj, përsëris, fillimisht u përpoqa të isha sa më pozitiv dhe i orientuar për të qenë pozitiv e optimist deri në sekondën e fundit ndonëse nuk duhej shumë inteligjencë për të kuptuar se shanset ishin shumë të ulëta për të mos thënë nuk ekzistonin qe te gjendej një zgjidhje që do të hapte rrugën për marrjen e statusit përmes konsensusit për miratimin e pakushtëzuar të tri ligjeve dhe njëkohësisht po me të njëjtin vullnet të mirë të pranohej që të respektoheshin jo vetëm rruga gjyqësore, por edhe vendimet e gjykatave si mënyra më e mirë për të gjetur zgjidhjen më të përshtatshme edhe për rastin e Fierit.