E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha Prokuroria rrezoi draftin e Rames per hetimin

Kryeministri nga Brukseli: 8 nene mbështeten te dyshimi që nuk ekziston më

Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, deklaroi dje nga Brukseli se hetimet e Prokurorisë së Shkodrës ndaj kutive të zgjedhjeve të 28 qershorit kanë legjitmituar rregullsinë e procesit dhe kanë përgënjeshtruar përfundimisht kauzën e opozitës. Pas pjesëmarrjes në samitin e Partive Popullore Europiane, Berisha la të kuptonte se hetimi i zgjedhjeve të shkuara përmes sistemit të drejtësisë, ishte rruga që duhet të ndiqej për hetimin në ato zona ku PS shfaqte dyshime për procesin e korrikut të vitit të shkuar. “Prokuroria e Shkodrës botoi hetimin dhe nuk gjeti as edhe një votë të vetme ndryshe, sa ishte shkruar në procesverbale. Kjo është shumë e rëndësishme. Kjo është arsyeja që zoti Rama, pasi mbajti një vit rresht partinë e tij me kërkesën për numërim të votave, u tërhoq, se do të dilte si në Shkodër”, theksoi Berisha. Kryeministri theksoi se kjo ishte një përgjigje përfundimtare për opozitën, sepse tashmë organet ligjore konfirmojnë se në zgjedhjet e shkuara s’ka pasur asnjë manipulim. Rruga përmes prokurorisë, sipas Berishës, është mënyra e duhur për të hetuar zgjedhjet dhe mazhoranca është e hapur për të. Në këtë kuadër, kreu i qeverisë i kërkoi Ramës që të ishte i qartë me gjuhën e përdorur kur kërkonte hetim dhe t’ia përshtaste atë ligjit. “Rama ka paraqitur një kërkesë që në 9 nenet e saj, 8 bëjnë fjalë për dyshim. Por harron se në çdo vend demokratik ligjet përcaktojnë se cili dyshim hetohet i bazuar në fakte ose të dhëna. Në aspektin tjetër, ai të ngjet me një pamflet oreuellian. Në rast se zoti Rama pranon gjuhën e ligjit, pranon që këto dyshime të mbështeten mbi bazën e fakteve, grup fakteve dhe provat”, theksoi Berisha, duke iu referuar edhe komisionit hetimor për zgjedhjet e shkuara që pritet të ngihet së shpejti. Kryeministri Berisha gjeti rastin të njihte dje me vendimin e Prokurorisë së Shkodrës, edhe presidentin e Partive Popullore Europiane, Wilfried Martens. Nisur nga ky informacion Martens nuk ngurroi t’i bënte thirrje opozitës shqiptare ta pranonte rezultatin e zgjedhjeve të shkuara. “Unë e kujtoj shumë mirë Berishën, ditën e fundit të fushatës zgjedhore kur ai u fliste qytetarëve me bindje dhe jemi shumë të kënaqur me rezultatin e atyre zgjedhjeve. Një gjë duhet të pranohet nga opozita që këto zgjedhje ishin të ndershme dhe ajo duhet të pranojë rezultatin e tyre”, këshilloi presidenti i PPE-ve, duke theksuar gjithashtu reformat e mëdha që ka ndërmarrë qeveria e drejtuar nga Berisha. Po dje vendimin e Prokurorisë së Shkodrës e përshëndeti edhe grupi parlamentar i Partisë Demokratike, nëpërmjet zëdhënësit Gent Strazimiri. Sipas tij, pas këtij vendimi të marrë nga Prokuroria e Shkodrës, Edi Rama duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve për baltën që ka hedhur për më shumë se një vit në lidhje me pretendimet për manipulim të zgjedhjeve. “Ka të paktën një muaj që Edvin Rama u fsheh të vërtetën shqiptarëve dhe nuk del të bëjë gjestin e vetëm që mund të bëjë një politikan i përgjegjshëm- nuk del të kërkoje falje, ndjesë publike për baltën që i ka hedhur vendit dhe çdo shqiptari të paktën prej 1 viti e gjysmë”, theksoi Strazimiri, duke theksuar se ky vendim ishte i rëndësishëm. Qëndrimi i Prokurorisë së Shkodrës për këtë çështje pritet të ketë ndikimin e tij në lidhje me mënyrën sesi mazhoranca do t’i drejtojë kërkesat e opozitës në komisionin hetimor që pritet të ngrihet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›