Rama Hetimi i zgjedhjeve kushtezon integrimin ne Bashkimin Europian
Hetimi i zgjedhjeve të 28 qershorit mbetet prioritet i angazhimit politik të Partisë Socialiste. Madje, sipas kreut të saj, Edi Rama, zbardhja e së vërtetës për procesin në fjalë, kushtëzon edhe integrimin e vendit në Bashkimin Europian, që parashikon kritere politike strikte. “Hetimi i zgjedhjeve është një imperativ për të zgjidhur krizën politike dhe për të hyrë në një proces normalizimi edhe në funksion të integrimit të vendit, por në radhë të parë në funksion të normalizimit të procesit demokratik dhe politik në Shqipëri. Hapja e hetimit në datën 23 dhe pse edhe kjo çështje e lënë për në seancën e fundit bashkë me mocionin për debat të lënë të kuptosh se nuk ka vullnet për zgjidhje. Kjo do të ishte hapja e asaj rruge që sot qëndron e mbyllur për Shqipërinë, që është rruga e integrimit në Bashkimin Europian”, deklaroi Edi Rama. Refuzimi i qeverisë aktuale për të pranuar propozimet e PS-së lidhur me këtë çështje do të vijojë sipas gjasave të mbajë pezull vendimmarrjen e Parlamentit shqiptar, i cili që prej vitit 2009, nuk ka miratuar asnjë ligj që kërkon shumicë të cilësuar. Këto janë ato nisma juridike, që materializojnë procesin e reformave në vend, i parë kryesisht si përputhje adaptim i kuadrit legjislativ me atë të vendeve të BE. Vijimin e marrëdhënies së kushtëzuar me Parlamentin e ka bërë të ditur edhe njëherë dje kreu socialist, i cili ka nënvizuar se mosmiratimi i kërkesës për hetimin e kutive të 28 qershorit, e bën të pamundur koordinimin e votimit në Kuvendin e Shqipërisë për çështje me rëndësi, të cilat ndikojnë vetiu në procesin e integrimit. “Nuk ka asnjë mundësi konkrete që Partia Socialiste të bashkojë votat me një qeveri e cila refuzon të bëjë transparencën e zgjedhjeve. Ne duam që ligjet që ne votojmë dhe që Parlamenti voton të mos jenë letra të shkruara që nuk zbatohen, por të jenë të zbatueshme për të gjithë. Ky është thelbi i kushtëzimit të marrëdhënies sonë me Parlamentin. Besoj se megjithëse thonë se përsëritja është mëma e dijes, kjo është përsëritur aq herë sa të gjithë e dinë”, tha Edi Rama. Ai e ka vlerësuar edhe vendimin e fundit të Prokurorisë së Shkodrës për kërkesën e Partisë Demokristiane për hetimin e disa kutive në këtë qark, si pjesë të manipulimit të dytë që po i bëhet procesit zgjedhor në Shqipëri. Sipas tij, nëse shumica sheh te ky akt një garanci se zgjedhjet kanë shkuar mirë, atëherë kjo do të duhet të çlironte PD dhe Kuvendin nga kompleksi i zgjedhjeve dhe kutive që përfaqësojnë realitetin e tyre. “Kam marrë një informacion të mjaftueshëm për të besuar apo dyshuar se jemi në kushtet e manipulimit të manipulimit... Në rast se zonjat e zotërinjtë e shumicës janë të bindur se ajo virgjëri që u shfaq befasisht në ato tri apo katër kuti të hapura...karakterizon të gjitha kutitë, t’i hapin. E gjithë Shqipëria të lehtësohet nga kjo barrë dhe sigurisht opozita dhe unë personalisht të marrim përgjegjësinë tonë”, tha Rama.