Berisha: Protesta dhe revolta në kohën më të shpejtë e të duhur

TIRANË, 10 shtator /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot për mediet, pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së PD, se “më 11 maj të vitit 2025, vendosa të shfrytëzoj çdo hapësirë për t’u rikthyer shqiptarëve votën e lirë”.
Berisha gjatë prononcimit për mediet theksoi se “jemi të vendosur për bashkëpunim ndërkombëtar, por jemi të bindur se shqiptarët, dhe vetëm qytetarët shqiptarë, do mund t’ua rikthejnë votën e lirë qytetarëve shqiptarë”.
Sa i përket analizës së brendshme të PD, Berisha u shpreh se, Partia Demokratike është parti e fjalës, e debatit të lirë, e mendimit të lirë.
Kështu që, shtoi ai, “do të jetë një analizë në të cilën absolutisht janë të ftuar, gjithë anëtarët, të gjithë mbështetësit, të japin mendimet e tyre. Nuk ka një datë fikse, sepse janë disa probleme në vazhdim e sipër. Por, askush të mos mendojë se partia nuk do t’i nënshtrohet një analize në interesin më të mirë të shqiptarëve”.
Berisha tha se askush nuk e kundërshtoi propozimin e tij në mbledhjen e kryesisë për të hyrë në parlament.
“Pati sugjerime për format, por në dijeninë time, jo. Askush nuk e kundërshtoi idenë e hyrjes në parlament”, tha ai.
Lidhur me propozimin e Ervin Salianjit, i cili propozoi që të shoqërohet me revolta, madje me protesta, Berisha tha se, është një propozim shumë i drejtë dhe se është 100% dakord me Ervin Salianjin.
Për protestat, Berisha theksoi se ato do të nisin në kohën më të shpejtë e të duhur.
“Unë i garantoj mbështetësit tanë dhe mirëkuptoj gjendjen e tyre, por janë përpara një misioni të ri dhe të madh, misionit të shpëtimit të Shqipërisë nga diktatura autoritare, e bazuar në drogën, krimin dhe vjedhjen e shqiptarëve”, tha Berisha.
Për ndryshimin e drejtuesve të partisë, Berisha tha se, “Partia Demokratike ka të gjitha fuqitë për të marrë çdo vendim që e quan të drejtë dhe të arsyeshëm”.
Për zgjedhjet në PD, Berisha u shpreh se, “PD ka një statut dhe do të jetë në përputhje me statutin e saj. Por, analiza do bëhet, kjo është e sigurte”.
I pyetur nëse bashkë me analizën e këtyre zgjedhjeve, do të ketë edhe analizë për zgjedhjet lokale të vitit 2023, Berisha tha se nuk është bërë, por shtoi ai, “ajo kishte një arsye tjetër, sepse kryetari i partisë u vendos nën arrest 333 ditë, dhe një seri procesesh u bënë të pamundura. Por, u përgatit libri i zi që i damksoi zgjedhjet. Dhe, mbi bazën e atij libri të zi, mbi bazën e atyre fakteve u votuan 4 rezoluta ndërkombëtare, se e 5-ta është pas zgjedhjeve, në të cilat Edi Rama u cilësua si narodiktator që zhvillon farsa elektorale, mbi bazën e atij libri të zi. Pra, nuk u bë brenda partisë, por bëri një punë, e cila i shërbeu, them unë”.
Sa i takon votëbesimit për kryetar, Berisha tha se mund të bëhet sa herë të duan anëtarët dhe ai e pranon.
“Absolutisht, e pranoj, si nuk e pranoj. Do të ishte marrëzi të pranoj se unë nuk pranoj votëbesimin. Statuti flet për zgjedhje, jo për farsë. Ishte votëbesim, se ishte farsë. Prit një minutë, ju dallojeni. Farsa është farsë, votimi është votim. Në qoftë se, ti fajëson viktimën për kriminelin, pastaj, ky është moral problematik. Nuk do mund të ndodhë kurrë që kjo parti të bëjë përgjegjës viktimën për kriminelin. Dhe këtu, krimineli i zgjedhjeve është Edi Rama, dhe numri 2, Altin Troplini. Por kjo, absolutisht nuk përjashton kurrë procedurën dhe të drejtën e anëtarësisë së partisë për t’u shprehur lirisht për të gjithë drejtuesit që duhen, përfshirë drejtuesin e PD në kohën e duhur”, tha Berisha.
/gj.m/r.e//a.f/